Letërsi

Sqetullat e natës

Shkruar nga Liberale
Sqetullat e natës

Nga Vladimir Myrtezai

Tri kurvat e zonës së Librit Universitar, Gizi M., Marta Z. dhe Buqe D., nga mesnata, në një lokal buzë rrugës po llafoseshin ndërvedi se sa dhunshëm e kishin kaluar një natë më parë me klientët e tyre, dhe se sa e vështirë vinte e bëhej zanati i tyre plot rreziqe dhe nerv, pasi duhej të maskoheshin dhe të ishin gati në çdo moment, që tutorët e tyre t’i rreshtonin në punën e mundimshme të nxjerrjes së parave kësisoj. Që të tria po kuvendonin se sa herë kishin hyrë në dush, u kutërbonte një erë e pashqitshme klientësh, veçmas Gizit, nga një klient i përsëritur që i mbante goja një erë të tmerrshme. Për një moment, Gizi M. u shkëput nga tavolina dhe me një pasthirrmë të shurdhët i ra në krahë një njeriu, që qe ulur anash tyre, dhe rrinte krejt ndryshe nga njerëzit e zakonshëm. Gizi M. ishte përkulur ta përqafte, ndërkaq dora e tij hollake dhe e zbehtë peshonte në anën e djathtë të të pasmeve të saj, me një përkëdheli të lehtë, duke e gjuajtur pak si me cytje, siç ndodh të goditet prapanica e një kali para një gare.

Marta Z. dhe Buqe D., kur ajo u shkëput, pikasën prenë e Gizi M., dhe që të dyja njëherësh iu vërsulën Rado H., duke e përshëndetur në mënyrë të zhurmshme. Ato e shihnin çdo natë Rado H. në vende të ndryshme dhe me të njëjtin qëndrim, puthitur mjaft hepshëm me njerëzit e mësuar tashmë të netëve të vona. Të tri kujtuan çaste të bukura me të, në rrethana të ndryshme, dhe ishin të një mendjeje se kishin përpara një burrë soji të pafjalë e qejfli, që ishte shumë kavalier me to, e mbi të gjitha, i njerëzishëm dhe komod.

Rado H. iu dukej një mashkull klasi, që vinte nga një shtresë misterioze e mbuluar me lavdi, me lidhje të fshehta në zona me nam për femra në kryeqytet.

Gizi M. kish fjetur me Rado H. dhe ishte ndjerë si në mëndafsh nga mënyra se si e kishte trajtuar, dhe kishte shumë mall ta dëgjonte se si e ngrinte lart si zonjë race. Ajo nuk i kishte kërkuar asnjëherë para’ në këmbim; e ruante si një gjë të çmuar e shumë të veçantë marrëdhënien intime me të, sepse i kish lënë shenjë në shpirt dhe e adhuronte. Vuri re me trishtim se qe zbardhur edhe ca, dhe u përpoq ta fshihte këtë ndjenjë habie, duke iu afruar që ta kapiste me sy përfytyrimin e saj të rrallë, që e tejkalonte ndjesinë e mishit.

Rado H. ishte më se i bindur se nuk kish sebep më të madh për të mbushur jetën sesa rruga dhe qyteti i tij, pa të cilin ai vetë nuk do kishte kurrfarë kuptimi. Pra, shtëpia e madhe e tij, ose skenografia e parë, ku ai kishte përmbushur të gjithë egon prej njeriu. Një aleancë e fshehur e atij, që bën kanakarin e jetës së rrugës, e cila shënjonte të gjithë harbimin pa kushte. Kishte edhe tone bujarie në këtë shtegtim. Krejt i lirë, i mëvetësishëm në vendimet që merrte, por edhe i mirëmbajtur në të gjitha tërmetet shpirtërore që kish kaluar. Rado H. nuk kishte asnjë merak që përzgjedhja e tij e fshehtë dhe aleati më i madh i tij mbetej si pa drejtim; pikërisht kjo rrugë e pabukur ndoshta, dhe jo shumë në modë e perfekte, që gjithsesi i ngjante një dashurie të madhe. Aventurat më të mëdha kishin ndodhur këndejpari, në rrugë, nëpër rastësi të magjishme, ose në kalvarin e dritës dhe territ, që kishte ndarë në shtratin e saj. Një mrekulli e madhe.

Aq shumë e kish rrahur frymën dhe trupin në rrugë, saqë tanimë ishte i dorëzuar krejtësisht ballë faktit që ato hapësira jete, po të kishin gojë, do ndërtonin serialin më të madh të shkruar ndonjëherë mbi gjallimin e përditshëm, mbi zhargonin e rrugës, mbi këtë shtrirje natyrore të inskenuar nga dora dhe vullneti kalimtar njerëzor.

Rado H., si një kalorës modern që di ta kullandrisë lirinë e tij të përkohshme mbi tokë, ishte më se rehat dhe shqetësohej se si në këtë raport të madh të bëhej një shenjar po i madh i bëmave të pjesshme, ku kalohet me copa jeta e frymorëve. Dhe kishte njëfarë të drejte, pasi kjo materie e ngurtë qe e mbarsur përplot shenja e histori, që nuk mbaronin, pa fund e pa krye.

Kishte arritur deri aty, saqë besonte se fati i kish sjellë në derë këtë formë mizanskenimi, si një shkak hyjnie, që ai të realizohej. Ai besonte akoma se nuk ka shkaqe objektive në këtë mesele, por veç shkaqe vullneti të një fuqie që i dha dritë materies së vdekur për të shkaktuar lumturi të shumta, që ai i ndërtoi pikërisht aty, si një lojtar i mbrujtur nga natyra e shumë pranë saj, që të realizohej me gjithsej.

Të gjitha ndërtimet dhe shkatërrimet në kohë, përveç erozionit, ishin me kast shndërrime rifreskuese të një trupëzimi në favor të ngjarjeve, që ai shkaktoi si një refleks mes rozës dhe mavisë, me të gjitha ulje-ngritjet dramatike në formë reostati ndjeshmërish. Edhe humori dhe dëshpërimet e tij dukej që i jepnin ngjyrë kësaj metamorfoze, dhe merrnin trajtën e një testi mishor të hapur, për ta shënjuar si një jetë të rrallë. Gjallimi i një shndërrimi të vrullshëm, sikur ia kishin ndezur edhe më sharmin dhe dukjen e një predispozite për t’u kryer sa gjatë gjerë në këtë planimetri ideale, ku nyjat nervore, të pleksura, i jepnin dritëhije të plota magjie. Nuk mendonte që ishte produkt i një a disa rrugicave pa emër, që shumë nga shkrimtarët, veçanërisht poetët, vuanin të identifikoheshin si akt, apo si shenje me fjalë të përmallshme.

Rado H. ishte forma e përkryer e njeriut pasmodern, që kishte një diafragmë të zgjeruar dhe fuqinë të luante në e mbi këtë materie, si një zotërim loje i saj, duke mbajtur nën kontroll gjithë atë nevraturë shpirtërore, që zgjatej e luhatej në forma të hoshiluara; ulje e ngritje energjish, gjallime allasoj e magji pamore në softe boreale të moshës, ngjyruar me momente të larta tensioni e vëmendjeje.

Shumë marrëdhënie të ndërtuara në kurriz të saj, në çdo kënd, si dhe përthyerje, mbanin nga një histori të ndryshme me një gazmend të mjaftë për t’u rreshtuar në histori pasioni të përhime, që e bënin të pamundur shkëputjen nga ky vendqëndrim i ndryshuar i tij.

Rado H., ishte fotograf, që për shkakun dhe fatin e zgjedhjes kishte kaluar një kohë të gjatë në formën e ndryshuar të kësaj materieje.

Një grintë mashkullore me pamje të butë e të stampuar saktë në rrethinat e në burri në të pesëdhjetat, që gjallimin e tij joshës mund ta ngatërroje me një molusk të formës së intelektit, ku pa vëmendje krijonte vorbulla tërheqëse.

Edhe shumë vite më parë, kur funksionimi i gjërave kontrollohej imët, Rado H. kishte pasur mundësinë dhe fatin të depërtonte deri dhe në territore të ndaluara për masën, dhe kishte krijuar ngjarje dhe lidhje të pashlyeshme. Epoka e re që po kalonte e kish tronditur pak në fillim, pasi nuk po ambientohej me garën trallisëse, dhe në njëfarë mënyre kishte shprishur forcën e rëndesës dhe të vëmendjes së tij. Por, e mori veten shpejt, duke u akomoduar tashmë me të gjitha gjërat që i vinin në favor të mbretërimit të tij, ngaqë këtë cak hierarkik të pashpallur e quante të lindur si trajtë e afruar me zell në mbretërinë e rrugës.

Një bohem race në zhdukje e sipër, që në thelb, si katalizator i lojës, kishte “detyrën” e prishjes së rregullave të saj. I kujtoheshin gjithandej forma të ndryshuara në trajtë të dyfishtë vendesh ku kishte ndarë histori të ëmbla e dramatike, dhe nuk e shqetësonte kjo gjë, sepse e krahasonte me mbivendosje ngjarjesh në një kujtesë të vjetruar, ku ngjarjet zëvendësoheshin me ngjarje të reja, dhe lulëzonin me forcën e pasionit të tij.

Aq aktive ishin ngjarjet në jetën e tij, sa nuk kishte kohë për të reflektuar e konservuar çaste në mundësinë e zverdhjes në kohë; sepse përsëri nuk e kishte atë luks t’i kthente në artefakte të lexueshme, apo të qesëndisura së largu me ngenë frymëzuese. Në hierarkinë e marrëdhënieve që kishin lëmuar kurrizin e rrugës ku ai mbretëronte, kishte çudanëri nga më impresionueset: që nga gratë e dëshpëruara e në ngut për të kapur fundin, e deri te gra klasi, që i kishte rrëzuar me joshje e talent, deri te me më të rejat në pasarelë, fare të rastësishme, që i binin në lugë si kuriozitet i cekët e i shfrenuar goditjesh instinktive rruge.

Forma trupash e zakonesh njerëzore ishin arkivuar në memorien, saqë, herë-herë, kur nuk u mbante mend inicialet, mund t’i përcaktonte me nuhatje, apo në ndryshueshmëri shenjash, si defekte që i kishte në favor.

S’i harrohej njëra syresh, një e çartur mendsh që e kishte me të ulëritur takimin me të; jo në aktin seksual në çlirimin ngadhënjyes, por kishte maninë ta aksidentonte takimin me të qeshura dhe thirrje deklamuese, si një pankartë që vinte në përsipër lumturinë e takimeve të saj. Apo një brune e thekur, që kishte qejf t’i krijonte panik, dhe e detyronte të hidhej nga kati i dytë i një pallati, sepse e quante si një sakrificë sublime lidhjen me të, dhe donte ta vinte në provë. Apo një tjetër, që kishte lakminë të bënte dashuri në vende të hapura, nën dritën e hënës, dhe e shtynte të recitonte togfjalësha dashurie nga klasikët.

Ishin me dhjetëra rastet e marrjes së kështjellave nga brenda, saqë nuk i mbante mend më nga raporti me to, por nga vendet ku kishin ndodhur. Duke përjashtuar studion e punës, ku tashmë kishte humbur kuptimin e shenjës nga radha në radhë e kalimit të modeleve, që ai kopsiste në emër të zanatit, ose të imazhit, këtij idhulli që pak i kanë rezistuar.

Ai ishte një trajtë e përkorë burri, disi melankolik dhe me një buzëpritje të qeshur, që të ftonte si dashje pa dashje në takim. Kishte klas në mënyrën se si ndillte atmosferën kudo që rrinte, dhe e mbushte hapësirën me akte e grimasa, që i ravijëzoheshin fare spontanisht.

Lidhjet, për shkak të profesionit, i kishte të shumta, dhe ishte i kudogjendur në emër të punës. Rruga, reklamat, policët e trafikut, fshesaxhinjtë dhe lypsarët ishin dekori i përhershëm, por me shumë syresh kishte miqësi; me lypsarët në veçanti, pasi në sheshpauzat e tij këmbente ndonjë kusur që ua hidhte në xhep. Por, edhe me policët, ngaqë ata e shihnin me njëfarë respekti të shprehur mekanikisht, nga rëndësia e një njeriu, që shihej me pamjen e atij që duhet të kishte një përmbajtje me rëndësi.

Rado H. shpenzoi gjithë pjesën më të madhe të jetës në këtë hapësirë të pamat e të konsumueshme, në rrugë, gjë që reflektohej kohëve të fundit në një simbiozë, si dy gjëra që nuk kishin kuptim pa njëra-tjetrën; si një enë plotësuese në këmbim të përmbajtjes së tyre.

Rado H. sa vinte dhe e ndërtonte me energji këtë raport, edhe pse i lodhur nga vitet mbi kurriz. Kishte reduktuar mjetet në ato më të lehtat në komunikim, dhe sa vinte e nuk rrinte më në lokale të mbyllura, por nëpër trotuare, në pozicione të lexueshme.

E gjithë trajta e komunikimit me trup i ngjante postimit fotografik të rrugës, si lexim i parë, si një domosdoshmëri e shfaqjes, që dukej se nuk do t’i mungonte kurrë, me një besnikëri të verbër dhe të mbushur me nënkuptime. Kishte humbur sensin e formës së mbyllur; dukej që të gjitha zejet e zakonit të njeriut i kryente në rrugë; madje shpesh aludohej që si i pagjumë, nuk flinte më, por rrinte aty si llambadar i harruar, si një objekt i bashkëngjitur tashmë në pafunksionin e tij; si paralelet e përhershme e të palëvizshme të reflekseve që afron rruga.

I ishte shtuar zelli dhe, bisedat e gjata që shtjellonte për çështje tipike njerëzore, sikur ia çelnin fytyrën.

E thamë edhe më lart se ai ka pasur edhe lidhje paralele, dhe vinte në qendër një dashuri të fundit, që po i kushtonte dhe më shumë në ndërgjegje. Mbreti i rrugës, si shumë të ngjashëm me të, që kryheshin në aleancë shpesh nisur nga ndonjë hall, kishte raste që bëhej si pulë, si lëkurë apo dekorim i vjetruar i saj, ose si një direk anijeje që hesht në muze, por që rrëfen.

Po mundohej nga një tis melankolie, përzier me ngjyrime të hirta mbetjesh në luftë me kohën, për gjërat që një ditë asgjësoheshin, ose që marrin formën e emblemës, që në përmbajtje ruajnë forma të vakëta, pavarësisht se si lavdi mbretërish.

Asgjë nuk kishte fuqi ta ndryshonte këtë luftë me kohën, përveç gotës së verës që kish përpara, si sundues i rrugës, si kalorës tavolinash ku perëndonte ndonjë gotë allasoj, që e shoqëronte gjatë, me shëmtinë e pashprehshme të mossuksesit të saj, por me zakonin e vjetër e të mësuar ndaj tërheqjes së ngadaltë në zgjedhjen e verërave të vjetra, si vetë lavdia e mbretit të rrugës.

Dalëngadalë Rado H. po i ndryshonte vaktet e qëndrimit në rrugë, pasi dukej në muzg të rendjes së ditës, për nga fundi, dhe hynte në natën e gjatë me qëndrime të gjata, me reklamat, ndriçimin e tyre të zbehtë, taksistët, lypsarët dhe policët që dukeshin aty-këtu. Një dekor i përmbajtur e në shuarje, që e bënte qëndrimin e tij edhe më të sofistikuar dhe plot hije e dritë, si një kalorës i regjur dhe i pashkëputshëm nga një dashuri e vjetër me vendin ku u rrit me gjithsej.

Gizi M., Marta Z. dhe Buqe D. kishin varur shikimet e tyre te pasqyrimi i zbehtë i tavolinës së tyre, krejt të rraskapitura nga nata, dhe po diskutonin për ditën e re, që tashmë u ishte bërë zakon. Ca më larg mbretëronte Rado H,. mbreti i rrugës, që për herë të parë qe mbështjellë me agun e mëngjesit si kurrë më parë, i trishtë dhe i drobitur edhe ai, që për çudinë e vajzave nuk kishte atë spërndritje në qëndrim e lëvizje; nuk kishte as vëmendjen e duhur në praninë e tyre. Qe një mëngjes si i vagullt. Diçka kishte ndodhur dhe ato të tria e ndjenin që mbreti i rrugës kishte një hall. Nga të gjitha spostimet e tij në lojë me një përmasë të madhe e të çrregullt, ai kishte humbur sigurinë dhe ndihej në panik. Gizi M. e pranoi frikshëm idenë që do kish rënë viktimë, se as që parashikohej ndryshe. Tre minuta më vonë, në tavolinën e tij të ngrirë ia behu një femër e gjatë, me tipare të theksuara dhe me një dendësi tërheqjeje imponuese, që iu ul në ballë dhe e zvogëloi edhe më atë sfiduesin e dorëzuar, gati në prag tërheqjeje. Rado H. shkëmbeu diçka të shpejtë dhe urdhëruese, dhe ajo u ngrit dhe trokëlliti përgjatë rrugës, duke shkaktuar një përhumbje: zbrazëti, dyshime, nënqeshje, të gjitha njëherësh.

Ato të tria kuptuan se Rado H. kish humbur fronin e sunduesit të rrugës. Bëri ca lëvizje të avashta, si i përhumbur, pa stof e lavdi dhe pa epërsinë misterioze, u ngrit dhe u lëshua në rrugë, duke u zvogëluar pa kthim, jo thjesht fizikisht.

Në rrugë ia behu një nga ato makinat që spërkasin me ujë, dhe bashkë me pluhurin, fshiu gjithë çfarë gjeti, edhe atë pakëz histori nate, dhe kështu paralajmëroi ditën e radhës, që tanimë kishte hyrë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH