Për shkak të situatës alarmante në vend nga koronavirusi, ku çdo ditë po shënohen rekorde të reja infektimesh, disa prej spitaleve dhe laboratorëve privatë, kanë vendosur që të unifikojnë si dhe të ulin me 30% çmimin e tamponit për qytetarët.
Çmimi i testimit tashmë do të jetë në vlerën 8500 lekë, duke filluar nga data 18.11.2020.
Në një deklarate të përbashkët, strukturat private që janë licensuar për kryerjen e tamponëve, theksojnë se kjo ka ardhur duke marrë shkas mbi ecurinë e situatës epidemiologjike në vend.
Deklarata e përbashkët:
“Duke marrë shkas nga ecuria e situatës epidemiologjike në vend, e cila ditët e fundit është shoqëruar me rritjen të numrit të personave të prekur nga infeksioni Covid-19, në cilësinë e përfaqësuesve të autorizuar të: “Laboratorit American Hospital, Dega 2/ “Intermedica Center/ Genius Lab/ Noval Giagnostic/ si struktura të licensuara dhe të njohura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale për kryerjen e testit Real Time PCR, për Sars Covi2, për arsye administrative bazuar në kërkesat e përsëritura të MSH, angazhohemi për të ulur çmimin e testit PCR, me 30%, unifikim të tij në vlerën 8500 lekë, duke filluar nga data 18.11.2020, si dhe vijimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me kapacitetet tona në mbështetje të kësaj pandemie.”
Burimi: TopChannel