Aktualitet

Spartak Ngjela komenton arrestimet e SPAK në Ministrinë e Brendshme

Shkruar nga Liberale
Spartak Ngjela komenton arrestimet e SPAK në Ministrinë e Brendshme

I ftuar në studion e emisionit ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën në News24, avokati i njohur Spartak Ngjela komentoi arrestimet e bujshme të ditëve të fundit, me urdhër të SPAK.

Për Ngjelën fundi i pandëshkueshmërisë ka nisur, por duhen edhe denoncime, pasi sikur u shpreh pa denoncime nuk ka proces.

Ndër të tjera Ngjela komentoi arrestimet e kryera këtë të shtunë në ministrinë e brendshme ndërsa u shpreh se informacionet për të kishin ardhur prej kohësh.

“Lleshaj është hequr befas nga ministër, pa ndonjë arsye. Do të thotë informacioni ka ardhur nga jashtë dhe Rama ka qenë i detyruar. Dhe informacioni ka qenë pikërisht për tenderin e uniformave. Luftën antikorrupsion nuk e drejtojmë dot ne sa i përket provave, shërbimet janë të dobëta, dhë shumë mirë që janë marrë ata. Të dhënat e mia që kam, m’i kanë sjellë të gjitha, por kini parasysh nuk janë prova gjyqësore, por fakte. Tani BKH duhet t’i kthejë në prova gjyqësore.”, u shpreh Ngjela.

Ndër të tjera avokat Ngjela u shpreh se nën akuza do të jetë një pjesë e mirë e zyrtarëve apo ish zyrtarëve në vend, duke nisur nga postet më të larta drejtuese.

“Për të mos e zgjatur kryeministra, 90 % e tyre kanë qenë të korruptuar. Ja ku janë a janë me pallate, ku i gjetën. Këtu janë ish ministra apo kryeministra me pronë deri në 2 mijë ha. Ku i gjetën? Cështja qëndron që shërbimet i dinë, por këto duhen kthyer në prova. Nën akuzë do jenë të tërë.

Të dy palët duhet të kenë frikë, goditja vjen nga pushteti dhe goditja këtu do vijë majtas. Është aksioma e Bonapartit që kur goditi me antiterror terrorin, arrestimet i filloi majtas, nga vetja. Edhe SPAK nga e majta ka nisur. Edhe Rama i njoftoi, nuk kam asnjë përgjegjësi për ju. Tregon se është bashkuar me antikorrupsionin, mendoja se ishte i lëkundur, por kuptova se është angazhuar tërësisht me antikorrupsionin.” -tha më tej Ngjela, ndërsa theksoi se sipas ligjit të gjithë do kalojnë nën akuzë, nëse ka prova”.- u shpreh Ngjela.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH