Aktualitet

SPAK reagon për arrestimin e drejtorit të burgut: Mori para

Shkruar nga Liberale
SPAK reagon për arrestimin e drejtorit të burgut: Mori para

Eduart Struga, drejtori i burgut 313 është vënë në prangat e policisë pasi akuzohet për “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Së bashku me të janë arrestuar edhe F. A., me detyrë Shef i Logjistikës i IEPV-së ″Jordan Misja″, Tiranë dhe E. K., përfaqësues i një subjekti tregëtar. F.A., ju sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, shuma prej 100 mijë lek, objekt përfitimi të parregullt.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndërsa njoftohet se hetimi ndaj tyre ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga një person më datë 9 mars të këtij viti.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 09.03.2020, mbi bazën e kallëzimit të një shtetasi, ka regjistruar procedimin penal nr.89/2020, për veprën penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Pas regjistrimit të procedimit penal u përdorën metoda proaktive dhe tradicionale të hetimit, falë të cilave, sot me datën 03.04.2020, strukturat e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. S., me detyrë Drejtor i IEVP-së ″Jordan Misja″, Tiranë; shtetasin F. A., me detyrë Shef i Logjistikës i IEPV-së ″Jordan Misja″, Tiranë dhe shtetasin E. K., përfaqësues i një subjekti tregëtar. Shtetasit F.A., ju sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, shuma prej 100 mijë lek, objekt përfitimi të parregullt.

Funksionarët publikë të arrestuar në flagrancë në kuadër të këtij hetimi, në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar dhe marrë shuma të konsiderueshme parash, (rreth 550 mijë lek) si përfitim i parregullt, në këmbim të krijimit të favoreve për të ushtruar aktivitet tregëtar në ambjentet e brendshme të IEVP-së ″Jordan Misja″, Tiranë.

Ndërkohë shtetasi E.K., i arrestuar në flagrancë, i ka dhënë funksionarëve publikë, si përfitim të parregullt, shuma të konsiderueshme parash.

Prokuroria e Posaçme falenderon kallëzuesin për kurajon dhe inkurajon çdo shtetas që të bëjë kallëzim në rastet kur zyrtarë publik abuzojnë me detyrën dhe kërkojnë përfitime të parregullta.

Prokuroria e Posaçme falenderon gjithashtu dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit të përfshira në hetimin e këtij rasti për profesionalizmin, seriozitetin dhe angazhimin e treguar.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vazhdojnë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH