Editorial

SPAK nuk është për t’u ndërsyer…

Shkruar nga Liberale
SPAK nuk është për t’u ndërsyer…

Preç Zogaj

Kur kryeministri Rama u kërkon të hetojnë Sali Berishën, Ilir Metën dhe të tjerë zyrtarë e ish zyrtarë të spektrit jashtë Rilindjes, është e sigurt se SPAK dhe BKH nuk do të shkelin gazin për t’i shkuar në fund sa më parë zbatimit të kësaj kërkese. Përkundrazi. Gjasat më të mëdha janë të ngadalësojnë, madje ta shtyjnë punën e nisur, po ta kenë nisur.

Ta zemë se e kanë ndërmend . Mos vallë do të motivohen më shumë dhe do të kalojnë menjëherë nga të pasurit ndërmend në veprim duke dëgjuar kryeministrin? Aspak. Mendoj se do ta heqin edhe nga mendja

Përdorimi politik është plaga dhe kompleksi i drejtësisë sonë sot. Vjen si pasojë e një raporti të deformuar për shumë dekada, ku pushteti politik i është mbivendosur brutalisht drejtësisë.

Këtë raport të deformuar ka nisur ta ndryshojë reforma në drejtësi.

Pengesat, vështirësitë dhe hilerat alla shqiptare për dështimin e saj janë të llojllojshme. Kasta politike plurale tridhjetëvjeçare ka shtrënguar një përbetim interesi, që është shumë më i qenësishëm dhe më i fuqishëm se një përbetim i shkruar, për të ndaluar ndëshkueshmërinë në sferat e larta. Do të thotë të dështojë arsyen për të cilën ka lindur dhe ka filluar të veprojë kjo reformë.

Zhvillimet dhe kundërzhvillimet janë në vlim, në shumë rrafshe, të brendshme dhe të jashtme. Përveç vendosmërisë, duhet shumë kujdes e mençuri në mbështetje të institucioneve të reja të drejtësisë, ku SPAK dhe BKH janë pararoja. Se mund të nisesh për mirë dhe bën të kundërtën: U hap gojën subjekteve të hetimit për të denoncuar nxitjen politike të hetimit të tyre; vë në siklet dhe frenon prokurorët dhe hetuesit.

Nga ana tjetër kryeministri dhe politikanët që kanë votuar ngritjen e drejtësië së re nuk mund të mos u japin zë pritshmërive të publikut për bilancin e saj. Politika votohet. Në këtë mënyrë, ata realisht janë mes dy zjarresh: të flasin rrezikojnë në një anë. Të mos flasin rrezikojnë në anën tjetër.

Fakti është se nuk kemi krijuar ende një të folur politike adekuate për drejtësinë, që jo vetëm të mos merret, por edhe të mos jetë ndërhyrje në sferën e saj të pushtetit. Kjo është e mundur.

SPAK-u mund të kritikohet dhe po kritikohet. Pritshmëritë e publikut ndaj tij janë të mëdha.

Por SPAK nuk mund të ndërsehet. Nga kurrkush. Politikanët  nuk mund t’u tregojnë zanatin prokurorëve, hetuesve, gjyqtarëve.

Vendi ka institucione shtetërore dhe instrumente ligjorë për të ndërhyrë, korrigjuar e përmirësuar organet e drejtësisë . Qeveria dhe Kuvendi kanë tagrat dhe kompetencat të bëjnë amendamente ligjore të bazuara e të argumentuara.

Objekt vlerësimi dhe reflektimi në këtë rrafsh mund të ishte efekti i kritereve sa të ashpra, aq edhe të hapura të vlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Njëherësh zbatimi i tyre. Përveç largimit të merituarnga sistemi të të korruptuarve që kanë njollosur drejtësinë, këto kritere dhe zbatimi selektiv i tyre në jo pak raste kanë lenë jashtë për gjëra jo të qenësishme prokurorë e gjyqtarë me rekorde të kurajos dhe integriteti politik. Në këtë mënyrë, sistemit i kanë munguar dhe i mungojnë prokurorët e guximshëm që kanë ngritur akuza kundër ministrave dhe zyrtarëve të lartë në pushtet para se të miratohej Reforma në Drejtësi e jo më tani që SPAK ka mbështetje, mbrojtje dhe trajtim financiar shumë më të mirë.

Sektarizmi si mendësi e padijes dhe ligësisë shitet rëndom si puritanizëm në anët tona. Që nga koha e Enver Hoxhës. Por faktet kanë treguar se sektarizmi është tejkalim dhe e bën më pis e më keq se ishte. Këtu futet mendja e mprehtë e politikanëve të ditur e reformistë që dinë ta ndajnë, në funksion të së drejtës dhe rezultatit, çfarë duhet flakur e çfarë duhet mbajtur.

Shpërthimet e Ramës kundër SPAK nuk kanë asnjë lidhje me një qasje kësisoj. Ato tingëllojnë si shpërthime kundër vetes së tij.

Na duhet ta përsërisim për të disatën herë: Drejtësi e kapur në Shqipëri është ajo që nuk vepron kundër korrupsionit dhe abuzimeve në sferat e larta. Nga kjo pikëpamje, Rama të kapur e mori dhe të kapur e mbajti si çdo kryeministër para tij. Paraardhësit e tij nuk kishin e nuk e kanë problem ta kapë Rama. Le çfarë thonë. Kjo është brenda rregullit të pashkruar të përbetimit të tyre të pashkruar për të sunduar si stafetë autokratësh.

Shpërthimi i Ramës me një gjuhë pale si e Sali Berishës mund të jetë shenja e një ndryshimi të rregullit të mësipërm. Do të thotë se drejtësinë po e kap dora-dorës ligji. Ligji me mbështetje të fortë amerikane dhe europiane. Së cilës duhet t’i bashkangjitet edhe me fort mbështetja popullore, akoma modeste dhe spontane./Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH