Aktualitet

SPAK jep detaje për operacionin që vuri në pranga biznesmenin dhe prokurorin: U zbardhën 4 ngjarje kriminale

Shkruar nga Liberale
SPAK jep detaje për operacionin që vuri në pranga biznesmenin dhe

Pas operacionit ë kryer një ditë më parë, ku përfunduan 8 persona në pranga, mes tyre prokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita, ish-kreu i Operacionales Oltion Bistri, biznesmenin Pëllumb Gjoka, SPAK ka dalë me njoftim zyrtar duke hedhur dritë mbi hetimet e kryera dhe zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale.

Njoftimi i plotë i SPAK

Më datë 16.01.2023 Prokuroria e Posaçme, ka regjistruar procedimin penal Nr.9 i vitit 2023, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Fallsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimit të narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, vepra këto të parashikuara nga nenet 78, 319/ç, 319, 110, 248, 309, 278, 283/a, 333/a, 334 dhe 287 të Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese belge, hollandeze dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitet kriminal në Shqipëri dhe në disa vende europiane. Po ashtu është hetuar edhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri në vitet 2019 – 2022.

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e B.K.H.-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale të ndodhura si më poshtë:

• Identifikimi i autorëve të dyshuar të vrasjes së shtetasit Gjin Ndojit alias Gjin Boriçi, ndodhur në Shkodër në muajin gusht të vitit 2020.

• Identifikimi i autorëve të dyshuar të vrasjes së mbetur në tentativë të shtetasit Taulant Pepa, ndodhur në Shkodër në muajin shkurt 2021.

• Identifikimi i autorëve të dyshuar në lidhje me sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasit Kleant Musabelliu, ndodhur në Tiranë gjatë vitit 2020.

• Identifikimi i autorëve të dyshuar në lidhje me sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasve D. D., I. L. dhe G. T., ndodhur gjatë vitit 2020.

Gjatë hetimeve të kryera nga SPAK, është bërë e mundur të dokumentohet se persona me precedent kriminal, të dënuar për vepra të rënda penale, kanë kryer edhe ngjarje të tjera kriminale për të cilat vijojnë hetimet.

Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publik, punonjës të policisë së shtetit të nivelit drejtues, punonjës të policisë të shtetit të nivelit të lartë drejtues, si dhe prokuror, të cilët cënonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës Parë për Korrupsionion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.94, datë 23.07.2023 ka miratuar masat e sigurisë personale “arrest në burg”, për 15 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale. Konkretisht për shtetasit Behar Bajri, Ervis Martinaj, Pëllumb Gjoka, Denis Brahoviç, Edmond Preka, K.H., P.K., Astmer Bilali, A.N., B.M., Elion Hato, A.B., Ardit Hasanbegaj, Oltion Bistri dhe Xhevahir Lita.

Gjithashtu me vendimin nr.314, date 24.07.2023 ka miratuar kërkesën për lejimin e kontrollit të 14 ambjenteve të ndryshme.

Më datë 27.07.2023 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kanë ekzekutuar urdhërat për ekzekutimin e vendimit penal nr.94, date 23.07.2023, për 6 shtetas, konkretisht shtetasit Pëllumb Gjoka, Edmond Preka, Astmer Bilali, Ardit Hasanbegaj, Oltion Bistri dhe Xhevahir Lita. Gjithashtu janë arrestuar në flagrance 2 shtetas të tjerë, S.T. dhe N.F., si të dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll në 26 banesa dhe ambjente ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete të ndryshme, telefona, armë zjarri të ndryshme, maska, pajisje elektronike, pajisje elektronike monitorimi (servere dhe kamera) me të cilat monitoreshin ambjente të jashtme në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës: Falenderojmë Policinë e Shtetit për profesionalizmin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.

Falenderim i veçantë për Eurojust, Europol, Autoritetet Gjyqësore Franceze dhe agjencitë ligjzbatuese belge, hollandeze dhe franceze, për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e dhënë në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH