Aktualitet

SPAK do të dërgojë për ekspertim videon e Lefter Allës

Shkruar nga Liberale
SPAK do të dërgojë për ekspertim videon e Lefter Allës

Pak ditë më parë gazetari Artan Hoxha publikoi një video, ku shihej një person teksa konsumonte kokainë në ambientet e një lokali. Sipas Hoxhës, ky person ishte kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla.

Lidhur më këtë video, Alla dhe Hoxha u morën në pyetje pasditen e djeshme nga SPAK ku Alla ka mohuar të jetë ai personi në video dhe ka deklaruar se pamjet janë montazh.

Marrë shkas nga këto deklarime, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do të dërgojë për ekspertim videon ku do të shihet autenticiteti i saj dhe do të vërtetohet nëse personi që konsumon lëndë narkotike është ose jo Lefter Alla.

Po ashtu, kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, me kërkesë të prokurorëve të çështjes duhet t’i nënshtrohet një testi për përdorimin e drogës.

Kjo do të thotë se ai duhet të dorëzojë në laboratorin përkatës kampionët e gjakut dhe të urinës. Nëpërmjet rezultateve laboratorike, prokurorët mund të zbulojë lëndën narkotike në trup vetëm 3-4 ditë pas përdorimit nëpërmjet testit të urinës dhe 1-2 ditë nëpërmjet atij të gjakut.

Por sipas mediave, Alla është shprehur se nuk është përdorues i lëndëve narkotike, dhe se nuk ka arsye që ti nënshtrohet testit të drogës. Sipas ligjeve në fuqi duke qenë se Alla nuk është kapur në kushtet e flagrancës është e drejta e tij të vendosë nëse do ti nënshtrohet ose jo testit të drogës.

Ndërkohë, bëhet me dije se kryebashkiaku i Bulqizës do të paraqitet sërish në Prokurorin e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku do të japë sqarime më të detajuara në lidhje me videon. Po ashtu, kanë nisur hetimet për të bërë të mundur identifikimin e personave të pranishëm në video, dhe lokalin ku pretendohet që ka ndodhur ngjarja.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH