
Kanë mbërritur në ambientet e Gjykatës së Posaçme, dy avokatët e caktuar nga shteti për seancën e sotme për ish-kryeministrin Sali Berisha, lidhur me akuzat ndaj tij për korrupsion pasiv, për privatizimin e ish kompleksit “Partizani”. Bëhet fjalë për avokatët Rabie Cenalia dhe Jalldiz Kastrati. Mësohet se seanca është parashikuar që të nisë në orën 10:00 të paradites.
Dje Gjykata e Posaçme pasi i caktoi një avokat nga shteti Berishës, Artan Simoni, pak orë më vonë e zëvendësoi këtë të fundit me një tjetër. Kjo për shkak të një postimi të bërë më herët nga Simoni në rrjetet sociale.
Theksojmë se në dosjen “Partizani” dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa ish-kryeministri Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”. Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për 'korrupsion aktiv' dhe 'pastrim parash' . GJKKO vendosi të lërë në burg Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi.