Aktualitet

Sot nuk ka rithemelim të PD-së, kasta 30-vjeçare s'mund ta ringrejë partinë

Shkruar nga Liberale
Sot nuk ka rithemelim të PD-së, kasta 30-vjeçare s'mund ta

*Enida Sheshi Haxhi

Në hartat e lashta, tokat e panjohura shënoheshin me fjalët "hic sunt leones - këtu ka luanë".

Ndërsa sot ne i kemi të identifikuar “luanët”; janë ata që udhëheqin botën, që përcaktojnë gjeopolitikat, strategjitë ushtarake e ekonomike.

Të gjithë ata që e mohojnë këtë fakt, thjesht gënjejnë, ose më saktë janë duke u përpjekur të manipulojnë masat që i ndjekin për qëllime që i shërbejnë interesave të tyre personale.

Dikush mund të thotë se ai që nuk nënshtrohet mbetet i lirë.

Dakort! - por, mbetet edhe përtokë, një askush i ndëshkuar dhe i mënjanuar.

Revanshi që filloi në Partinë Demokratike pas datës 9 shtator, i vetëquajturi “revolucion”- një term jashtë kuptimit që mbart fjala në vetvete, dhe qesharak në kontekstin e situatës - synoi vetëm ekzaltimin e turmës, për ta përdorur më pas për interesa qe nuk i sherbenin dhe nuk i shërbejnë Partisë Demokratike, përndryshe ishte diçka pa përmbajtje, një thes bosh.

Në fakt, siç e dimë revolucionet janë goditje thërmuese, përmbysje të mëdha kundër rendit ekzistues, e që më pas e ristrukturojnë sistemin politik.

Ky është përkufizimi politik i revolucionit, përndryshe “revolucioni” që u synua nga një grupth individësh mund të konsiderohet një rebelim ndaj institucionit të Partisë Demoktatike por, pa ide dhe ideale ashtu sikundër janë revolucionarët.

Me thënë të drejtën nuk është parë ndonjëherë ndonjë revolucion që të jetë ndalur e të jetë mbyllur brenda "pallatit".

Kjo është diçka me të vërtetë qesharake.

Pa dashur të zgjatem në çështjen teknike të ligjshmërisë së akteve të ndërmarra prej Grupit të Rithemelimit, - veprime këto që konsiderohen të pabazuara ligjërisht, për sa kohë jemi para një vendimi gjyqësor që nuk ka marrë formë të prerë, - diskutimi duhet përqëndruar në atë se çfarë do të vijë pas “ngjarjeve revolucionare”?

Ç’verë e re do të mbushë fuçitë e vjetra?

A mundet e njëjta kastë politikanësh me figura te konsumuara politikisht, me një jetëgjatësi 30 vjeçare në politikë, të përfshira ne akte korupsioni të bëjnë përmbysjen e madhe?!

A mundet që këta njerëz të ristrukturojnë sot një parti, kur i patën të gjitha mundësitë për ta bërë këtë përgjatë 30 vjetëve?!

A mundet që e gjithë kjo lëvizje të jetë zhbllokuese, dmth të zhbllokojë shoqërinë nga dara, duke sjellë idealet e progresit?!

A mundet të ndodhë që “revolucioni” të thyejë një guaskë që mban brenda saj një pjellë të gjallë që ka qënë bashkë-arkitekti i gjithçkaje qe ka ndodhur në gjithë këto vite?!

Dhe 30 vite kanë qënë jashtëzakonisht mjaftueshëm për të bërë shumëçka në interes të vendit.

Prandaj sot, nuk ka revolucion, rithemelim, ristrukturim - pra nuk ka asgjë - sepse përmbysjet e për pasojë ringritjet nuk mundet ti bëjnë dot ata të cilët e kanë frymëzuar dhe ndërtuar vetë sistemin.

*

Në gjithë këta muaj kam parë sesi propaganda e mbrapshtë, i ka vënë anëtarët e Partisë Demokratike në një gjendje amnezie, mpirje totale të të menduarit dhe të gjykuarit sipas një sensi të shëndoshë kritik.

Në fakt, propaganda është manipulim në vetvete, të mëson të mos mendosh; është opium i mendjes por, edhe një makinë lufte për të sulmuar dhe për të heshtur mendimin e të tjerëve, që nuk janë në një mendje me demagogun.

Kështu filloi revolucioni foltorist, - si një luftë fjalish ose me saktë "nofkash" të ulëta skualifikuese dhe përbuzëse të cilat iu veshën cilitdo që nuk u vu në resht.

“Kush nuk është me mua, është i shitur, tradhëtar, interesaxhi”, e kështu me radhë.

Lista është e gjatë dhe të gjithë e dimë përmendësh.

Pra u hodh një farë e “kulturës militanteske”, dmth e njeriut të mësuar me fitoren e lehtë të sharjes pa prova e fakte, të epiteteve denigruese pa argument.

Ndërsa ajo që nuk kisha mundur ta imagjinoj, ishte se si njerëz të arsyeshëm, që ushtrojnë të menduarit, të ishin kaq lehtësisht zëvendësues të argumentit me nofka e teorira manipulative e populiste.

Por propaganda është e tillë: garanton siguri absolute e në këtë mënyrë nuk bëhet e nevojshme kërkimi i faktit.

Çelësi magjik u bë togfjalëshi "shumica ka të drejtë, shumica vendos”.

Në fakt një shumicë e manipuluar, e helmuar me propagandë nuk ka të drejtë sepse si e tillë ajo shëndrohet thjesht në tirani të shumicës - në këto rrethana, e kuptuar si shtypje e mendimit ndryshe - e cila kërkon veçse konformizëm.

Megjithatë, kur u mëshohet fort këtyre metodave, ato kthehen në të kundërt dhe japin rezultate të përmbysura.

Atëherë receta është shtimi i dozës, - teprimi me “idealet”.

I tillë ishte edhe inicimi i peticionit ndaj ambasadores së SHBA Yuri Kim, një nismë krejtësisht e pakuptimtë, kur dihet që dështimi i sistemit gjyqësor nuk ka ardhur si pasojë e veprimeve të Yuri Kim, por e degradimit nga korrupsioni 30 vjeçar.

*

Qëkurse mbaj mend unë, kam jetuar midis të njëjtëve njerëz - atyre që sot “do sjellin ndryshimin e madh”, paçka se nuk kanë artikuluar asnjë ide të qartë se si kjo mund të bëhet e mundur.

I vetmi ndryshim që kam parë janë parullat.

Nën këto shprehje të reja, thelbi në fakt, është po ai dhe njerëzit janë po ata, veçse më të inatosur e më sektarë se kurrë.

Me këtë përfundim i kthehem përsëri pyetjes se ç’lloj vere do të rimbushë "rithemelimi”?

Përgjigjia vetëkuptohet.

“Ex nihilo nihil fit- nga hiçi lind hiçi”

*Titulli në fillim të shkrimit është redaksional, titulli origjinal i shkrimit është: Ex nihilo nihil fit - nga hiçi lind hiçi

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH