Në një darkë në Forumin Ekonomik Global në Davos, George Soros ka thënë se do të investojë 1 miliard dollarë në atë që e cilësoi si projekt të jetës. Përmes fondacionit Shoqëria e Hapur, ai ka thënë se do të financohen institucione që do i bëjnë rezistencë rënies në autoritarizëm të vendeve si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina.
Pjesë konkrete e projektit është krijimi i një dege në Universitetin e Europës Qendrore, të themeluar prej tij 30 vite më parë në Budapest, që do të sjellë risi në sistemin arsimor, për të luftuar autoritarizmin me të njëjtën mënyrë që çoi në rënien e komunizmit.
“Faza e parë është krijimi i kësaj dege në rrjetin ekzistues të institucioneve arsimore të lidhura me Shoqërinë e Hapur. Në fazën e dytë, këtë rrjet do t’a zgjerojmë me universitete që tjera që duan të bëhen pjesë dhe që janë të kualifikuara”, është shprehur Soros.
Filantropi 89-vjeçar ka sulmuar presidentin amerikan Donald Trump, të cilin e ka etiketuar autoritarist dhe narcisist. Po ashtu, nën shënjestër ka vendosur edhe Facebook, për te cilën tha se po punon për rizgjedhjen e Trump-it President në presidencialet e Nëntorit të këtij viti në këmbim të mbështetjes nga administrata amerikane.
Soros, mbështetës i politikave liberal-demokrate dhe qendrës së majtë është akuzuar nga Trump dhe liderët e të djathtës nacionaliste europiane si nxitës i kaosit të refugjatëve nëpër Europë./Gazeta Liberale