Kryesore

Sondazhi i barometrit global që ktheu në lojë PS-në

               Publikuar në : 09:44 - 07/04/21 Shpendi Gashi

Shpendi Gashi

Lajmi që më së shumti i nevojitej Partisë Socialiste bëri jehonë duke kaluar madje edhe kufijtë rajonalë. Barometri global renditi Shqipërinë në vend të parë në rajon, sa i përket numrit të dozave në dispozicion dhe atyre që janë injektuar në 7 ditët e fundit. Janë lënë pas shtete si Serbia me Greqinë, të cilat e kanë nisur më përpara nesh procesin e vaksinimit. Shumë pozitiv mund të thuhet se është edhe fakti që po konsiderohemi si indikator pozitiv në rajon, diçka kjo që i bën mirë së pari imazhit tonë si vend.

Padyshim që kjo është një arritje e madhe, e bërë me dije për publikun nga burime shumë serioze dhe me përgjegjësi të lartë publike, siç barometri global është. Në këtë rast askush nuk mund të artikulojë akuza se çdo gjë është e stisur dhe propagandë, së paku jo tani, jo për këtë.

Nuk duhet të harrojmë gjithsesi faktin se të dhënat u referohen vetëm javës së fundit dhe nuk përfshijnë rezultatet e procesit të vaksinimit që prej fillimit.

Mesa duket Kryeministrit të vendit iu shpërblye në mënyrën më të mirë të mundshme gjithë përqendrimi i vëmendjes tek menaxhimi i situatës së pandemisë. I ka ardhur si ndihmë, ndoshta në pikën më kritike të fushatës së vetë, atëherë kur po konceptohej se Rama s’po bënte fushatë, pos se kalonte në përsëritje totale, duke rikuperuar kështu pikë të rëndësishme për rezultatin final.

Ajo çka ka trajtën e një postulati e që s’ka nevojë për vërtetim është fakti se Edi Rama duke e ditur se çështja e pandemisë do ketë një rol shumë përcaktues në votim, e vendosi prioritet kryesor në mos të vetëm. Taktika e ndjekur u pa se i dha feedback-un që kërkoi gjithë kohës. Mbase në këtë rast edhe e meritoi, pasi lajmi është shumë pozitiv dhe duhet të gëzojë çdo shqiptar.

Vetë Rama ka përdorur tone luftarake, duke iu rikthyer termit ‘’luftë’’ dhe duke deklaruar se lufta do fitohet vetëm nëpërmjet vaksinimit masiv që garanton vetëm lidershipi që është në krye.

Sikundër në një lojë shahu, kur ushtari dërgohet në vijën e fundit të linjës kundërshtare ka mundësinë të kthehet në një figurë më të fortë, kështu ishte edhe vaksinimi për kreun socialist. Kali i vetëm i betejës.

Ndoshta menaxhimi i situatës dhe garantimi i vaksinimit ishin të vetmet karta politike që mund t’i përdorte në fushatë, pasi edhe Rama në brendësi është i ndërgjegjshëm për vetë situatën në të cilën është, me një bilanc totalisht të tëhuajësuar nga pritshmëritë fillestare.

Të dhënat e barometrit sikur i trazojnë jo pak ujërat, duke e bërë akoma më interesante vazhdimin e dinamikës zgjedhore. Pesha që do ketë pandemia në zgjedhje mbetet për t’u parë pas 25 Prillit, por ajo çfarë shihet është se Rama u kthye përsëri në lojë dhe është ndoshta për të parën herë në këtë fushatë kompetitiv.

Nuk ka histori në faktin se Partia Socialiste, rezultatet e bëra publike do t’i ambalazhojë me pak petk zgjedhor, duke i ekuivalentuar në produkt politik. Fundja është e pritshme, çdo aktor politik inteligjent kështu do vepronte. I rëndësishëm është vetëm rezultati në fund.

Si do përdoret si taktikë elektorale gjithë arritja?

Së pari, tani po përpiqet të krijohet ideja se çdo gjë po shkon kah përmirësimit dhe normalizimit të situatës. U bë mëse e qartë për publikun se vaksinimi paskërkish qenë shumë efikas dhe u garantua se do vazhdojë në mënyrë të pandërprerë deri në vaksinimin e plotë të popullsisë.

Rama duke iu referuar si gjithmonë analizave të psikologjisë së masës, e di se izolimi dhe gjendja e mbyllur kanë ndikuar shumë negativisht në psikën njerëzore. Në fjalën e tij jo më kot përmendi se stina e verës është përpara dhe se po punohet për një sezon turistik të lehtësuar ndjeshëm.

Me një gjendje të rënduar, me frustracionin gati më shumë se 1 vjeçar dhe dëshirën për t’ju shmangur fashave orare apo kufizimeve të tjera, elektorati po përpiqet të joshet nga ideja se çdo gjë është kah përfundimit. Burimi është serioz për të mos u marr seriozisht.

Së dyti, Rama po përpiqet të përforcojë idenë e njerëzve dhe bindjen personale ndoshta të vetën, se vlerat që i atribonte vetes si faktori kyç dhe jetik në menaxhimin e situatës paskërkan qenë reale dhe jo një propagandë sikurse artikulohet poshtë e lartë.

Gjithashtu e gjithë situata pritet të marrë një marketim ndoshta më të madh se vlera reale që ka, për kushtet në të cilat ka ndodhur.

Ndoshta do marketohet më shumë se po të kishim të bënim më kapërcimin total të situatës, pasi ka ndodhur në pikën më të ulët të fushatës socialiste, ku nuk prodhoheshin më lajme, ndërkaq kundërshtari fitonte terren.

Së fundmi, këto grafikë të Barometrit, Rama i përdor si konkretizimin viziv të premtimit të tij se është me të vërtetë një lider që e bën të pamundurën të mundur.

Ramës dhe partisë së tij i duhen referenca shumë të freskëta dhe shumë pozitive sikurse këto, për t’i mbivendosur më pas mbi bilancin e 8 viteve. Mungesa e bilancit pozitiv është diçka që e ka zbehur fushatën e PS-së. Këtë mungesë e kamuflon përkohësisht arritja e një bilanci po të përkohshëm pozitiv, sikundër është rezultati për të cilin po diskutojmë.

Për Ramën vetëm kjo ‘’arritje’’ kundër armikut të padukshëm mund të mbyllet me sukses, shkak edhe përfundimi i mandatit, por garanton se në mandatin e tretë të gjitha reformat e lëna përgjysmë do përfundojnë suksesshëm sikurse e tanishmja.

Deliri është gjithmonë prezent tek liderat dhe këtij fakti nuk mund t’i shpëtojë as Kryeminstri aktual, i cili njëjtë si paraardhësi i tij Dr. Berisha, përfundoi fjalën duke artikuluar teza groteske të tipit se jemi më mirë edhe se Gjermania apo Anglia. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back