Sport

Sócrates: Diçka më shumë se një legjendë futbolli

               Publikuar në : 20:23 - 12/04/19 Gazeta Liberale

Ishte 19 shkurti i vitit 1954 kur një foshnje erdhi në jetë dhe më vonë u dallua si një nga personalitetet më emocionuese në historinë e futbollit dhe në përgjithësi të sportit.

Sokrati (Socrates Brasileiro Sampaio de Sousa Vieira de Oliveira, emri i tij i plotë) mbeti në histori jo vetëm si futbollist, por edhe si njeri.

Jo çdo ditë lindin futbollistë që kanë mbaruar shkollën për mjekësi dhe kanë marrë një doktoraturë në filozofi (prandaj quhej me pseudonimin “Doktor”) dhe që shprehin pikëpamjet politike dhe shoqërore kudo që janë.

Si një personalitet shumëdimensional, është më mirë të informojmë, veç e veç, për çdo karakteristikë të SOCRATES.

Sokrates: “Bukuria është mbi të gjitha. Fitorja vjen më pas. Gëzimi është ajo që ka rëndësi”.

Ai filloi të luaj me Botafogon (1974) dhe më pas shkoi në dashurinë e tij të madhe, Corinthians (1978), duke shënuar 172 gola në 297 ndeshje, duke fituar tre tituj kampionësh (1979, 1982, 1983).

Një kalim i shkurtër te Fiorentina dhe më pas rikthimi i tij në Brazil për Flamengon dhe Santos ishin ndalesat e fundit të karrierës së tij. Sokrates u rikthye në moshën 50 vjeçare në vitin 2004 për të luajtur me Garforth për 10 minuta.

Një nga lojtarët më romantik dhe me teknikë fantastike. Organizator në ekip, pasime me saktësi kirurgjikale e lehtësi të jashtëzakonshme si dhe me shumë fantazi në shënimin e golave, duke përdorur të dyja këmbët.

Lojtar klasi me lëvizje që tregonte lehtësi në gjithçka, Sokrates dallonte jo vetëm për klasin e tij, por edhe për shtatlartësinë (1.93 m), flokët e tij të gjata, mjekrën kakakteristike dhe shiritin në flokët e tij.

Titulli origjinal i paragrafit do ishte “Lojtari i madh – dramaturgu Sokrati”, por do të ishte i paplotë, pasi nuk mund të mos i referoheshim jetës së tij jashtë fushës së blertë.

Një duhanpirës maniak, dashamirës i alkoolit dhe një Playboy, ai asnjëherë nuk pranoi këshilla dhe mbrojti pasionet e tij me çdo mundësi që iu dha.

Unë jam një antisportist. Unë nuk mund të mohoj ndonjë ndryshim që shkon përtej sistemeve strikte që karakterizojnë sportistët. Dikush duhet të më pranojë siç jam.

E vërteta ishte se futbolli nuk ka qenë kurrë një nga prioritetet e tij. Ndërsa ai ishte student mjekësie, Sokrates do të shkonte në mësim, nëse ai do të kishte stërvitje në të njëjtën kohë.

Ai u diplomua nga shkolla dhe më pas u bë profesionist në moshën 25 vjeçare. Alkoolin nuk e shihte si një pasion, por si bashkudhëtar.

Te Fiorentina e tha qartë: “Unë kam qenë një vit në Firence dhe disa herë nuk kam dashur të shkoj në stërvitje, por kam dashur të dal, të pi duhan, të dal me miqtë e mi. Ka gjëra më të rëndësishme në jetë sesa futbolli”.

Pi për të jetuar.Unë kurrë nuk kam qenë i varur nga alkooli‘,- disa nga deklaratat e tij të famshme rreth dobësisë që kontribuoi në vdekjen e tij.

Megjithatë, para Botërorit të vitit 1982, Sokrates kishte lënë duhanin dhe stërvitej shumë. Si rezultat, bota pa një skuadër të mrekullueshme me metronomin e saj në një gjëndje fantastike, një ekip që në shumë anketa u rendit në krye të listës me ekipet më të mira që kurrë nuk kanë fituar Kupën e Botës.
Ndeshja me Italinë (3-2 për Italinë) ishte epilogu i asaj skuadre fantastike. Në 1986 ai nuk ishte me i njëjti pas abuzimeve të viteve të mëparshme, por klasi, siç thonë, qëndron përgjithmonë. Vëllai i tij, Rui, ishte grumbulluar në ekipin kombëtar brazilian kur fitoi Botërorin në 1994.

Për atë Brazil fantastik një batut tregon gjithçka:

Unë e mas suksesin nga përvojat që jetojmë. Dhe duke luajtur në një ekip si ai, ishte si të dalësh në takim me femrën që dashuron“.

Dy batuta të tjera për futbollin:

Asnjë lojtar nuk e braktis futbollin. Futbolli i braktis lojtarët”.

Futbolli është një art dhe duhet të tregojë kreativitetin. Nëse Van Gogh dhe Degas e dinin se do të merrnin një famë të tillë ata nuk do të kishin krijuar atë që ata bënë. Ju duhet të gëzoni artin dhe mos mendoni se do të fitoni”.

Përveç klasit si futbollist, Sokrati mbeti në histori për veprimet e tij politike dhe sociale. Ai kurrë nuk kishte frikë dhe nuk ishte fshehur nga askush në luftën e tij për të drejta të barabarta dhe demokraci.

Lëvizja e tij më karakteristike ishte kur themeloi Lëvizjen Demokratike të Korinthias, një veprim romantik dhe i guximshëm që duhej të luftonte kundër kontrollit totalitar që klubi i impononte lojtarëve. Ishin vitet kur Brazili qeverisej nga një diktaturë dhe klubet ishin një mikrokozmos i shoqërisë.

Sokrates dëshironte që të gjithë të kishin mendimin e tyre në klub, dhe sidomos lojtarët do të ishin ata që të vendosnin për çështjet e tyre përmes dialogut dhe votimit.

Por, veprimi i lëvizjes nuk mbaron atje: ai i bindi lojtarët e tjerë, që kujdestarët dhe pastruesit e klubit meritojnë më shumë se thërrimet që merrnin, dhe votuan që një pjesë të shpërblimeve të shkonin tek ata.

Një vendim klasik që u mor gjithashtu ishte kufizimi i ditëve të përqendrimit (mbledhja e ekipit një ditë para ndeshjes në hotel), një zakon i urryer nga Sokrates sepse të premteve dhe të shtunave preferonte të ishte në shtëpi për të konsumuar birrën e tij.

Veprimi i vazhdueshëm i lëvizjes gradualisht solli bluzat me mbishkrimin: “Unë do të votoj më datë 15” në nëntor 1982, të veshur nga lojtarët e Korinthiasit. Popullariteti i tyre nxiti popullin që të votojnë në zgjedhjet e para pas 21 vjetësh dhe të jenë një nga lëvizjet e para që kërkonin rrëzimin e regjimit.

Në fund të atij viti, lojtarët e Korinthiasit dhe Sokrates mbanin bluzat me fjalën “Demokraci” në festimet e kampionatit që fituan.

Sokrates tha: “Ishte ndoshta momenti më i bukur i jetës sime. Dhe unë jam i sigurt për 95% të shokëve të mi “.

Në finalen me Sao Paulo (1984), lojtarët hynë në stadium, duke mbajtur një flamur që shkruante: “Fitore apo humbje, por gjithmonë me demokraci”.

Po atë vit ai u shfaq në një fjalim para 2 milionë njerëzve, duke theksuar se ai do të shkonte në Itali, nëse regjimi nuk i pranonte zgjedhjet. Përfundimisht regjimi nuk pranoi zgjedhjet dhe Sokrates u largua për në Itali për Fiorentinën (1984).

Nuk ka asnjë dyshim se ishte periudha më e pasur e jetës sime që më çoi në atë që unë jam sot, një qenie njerëzore, një aktivist.

Duke u rritur në një vend që merr frymë nga futbolli, ai gjithmonë kishte prioritet përmirësimin e jetesës. Libri që filloi të shkruante nuk u përfundua kurrë: kishte temën e Kupës së Botës të Brazilit 2014, abuzimit ekonomik, shfrytëzimit dhe prapaskenat e magjisë së yjeve dhe sponsorëve.

Ai gjithmonë kritikoi administratat dhe sponsorët dhe gëzimi i tij i parë pas vdekjes do të ishte të dëgjonte një ngushëllim formal nga presidenti i Korinthiasit. Do të ishte i zhgënjyer, nëse do të thoshte më shumë një njeri që e kishte kritikuar aq shumë në të kaluarën.

Êshtë e rëndësishme të kujtojmë që 40 mijë tifozë të Korinthiasit ngritën grushtin lartë, duke mbajtur një minutë heshtje para fillimit të ndeshjes së parë, pas vdekjes së Sokrates. Një veprim simbolik që i referohej festimit të Sokrates pas çdo goli. Dëshira e tij për të vdekur ditën e dielë dhe kënaqësia për të parë klubin e Korinthiasit duke fituar kampionatin u realizua.

S’mund mos t’i përmendim mesazhet dhe shiritin legjendar që mbante pothuajse gjithmonë në kokë.
Në vitin 1986, në Meksikë, mesazhi i tij ishte “Meksika, sigue en pie” (Meksika është ende këtu), për shkak të tërmetit vdekjeprurës që ndodhi 9 muaj përpara fillimit të Botërorit.

Në një mesazh tjetër ai shkruajti “Yes to Love, No to Terror” me rastin e bombardimeve të Libisë nga amerikanët. Ai kishte vizituar Gaddafin në të kaluarën dhe i dyti i kishte kërkuar atij të kandidonte si President i Brazilit.

Kur nëna e Sokrates deklaroi se emri Fidel për djalin e tij të porsalindur ishte i ekzagjeruar (në nder të udhëheqësit kuban), ai thjesht u përgjigj: “Nënë, shiko atë që ke bërë me mua”.
Filozofi Sokrat: Pi duhan dhe mendoj.

Ai u rrit në një familje ku babai i tij u dha emrat e filozofëve grekë bijve të tij (Sostenis dhe Sofokli ishin emrat e dy vëllezërve të tij). Babai i Sokrates ishte si një hero lokal, duke qenë përgjegjës për menaxhimin e financave të rajonit dhe duke ndihmuar për ta ringjallur atë. Shumë i pasur, ai ndihmoi djemtë e tij të merrnin një arsimim të mirë dhe shtëpia e tij ishte gjithmonë plot me libra. Megjithatë, në vitin 1964, me ngritjen e diktaturës, nga frika që shumë prej këtyre librave ishin të ndaluara, ai e pa atë t’i grisi në moshën 10 vjeçare.

Kuptova se nuk ishte e drejtë dhe diçka nuk shkonte mirë sepse babai im adhuronte bibliotekën e tij. Kuptova saktësisht se çfarë po ndodhte kur shkova në universitet “.

Sokrates u rrit duke pasur idhuj John Lennon, Fidel Castron dhe Ernesto Che Guevaran.

Kur shkoi tek Fiorentina dhe e pyetën nëse preferonte Sandro Matsolan ose Gianni Riverën, ai u përgjigj:

Nuk i njoh ata. Erdha këtu për të studiuar tekstet origjinale të Antonio Gramshit dhe për të lexuar historinë e lëvizjes së punëtorëve“.

Tek Fiorentina nuk u përshtat kurrë. Në ligën më të mirë të botës, skuadra dhe trajneri nuk mund të toleronin Sokrates për jetën ekstravagante që bënte.

Ai pyeste veten se pse ata ishin të gjithë kaq të rreptë dhe disa herë doli kundër shokëve të tij të ekipit për shitjen e ndeshjeve.

Dështoi të organizonte një ‘Lëvizje Demokratike’ si ajo te Korinthias.

Më e mira që futbolli më dha ishte të njihja shumë njerëz, njerëz që vuanin shumë, por dhe nga ata që kishin gjithçka“.

Nëse ai ka provuar ndonjëherë kokainën:

Jo. Kam tre kënaqësi: femrat, pijen dhe cigaren. Nëse marr edhe një tjetër, kjo do të thotë që unë duhet të zëvendësoj një prej tyre“.

Njeriu SOCRATES

Një histori fantastike që e përshkruan atë në hapat e tij të parë është ajo që ndodhi kur ai luante me Botafogon.

Viti 1975, shoferi i ekipit të Botafogos shkon për të marrë Sokrates nga shkolla dhe për ta çuar në ndeshjen që do zhvillohej, shoferi e sheh atë duke pirë një cigare.

Sokrates ishte yll në rritje dhe klubi respektoi përparësinë e tij për të përfunduar studimet, për këtë arsye ata dërgonin gjithmonë shoferin për ta marrë nga shkolla. Klubi do të luante ndeshjen e radhës me Corinthians dhe rruga ishte rreth 4 orë. Njerëzit e Botafogos do e prisnin deri 30 minuta para fillimit të ndeshjes, por ai u shfaq vetëm 15 minuta para fillimit.

Shoferi dhe Sokrates nuk e dinin se ku ishin dhomat e zhveshjes dhe lojtari i veshur si mjek bleu një biletë për të hyrë. Duke pyetur një roje ku janë dhomat e zhveshjes dhe duke theksuar se ai është një lojtar i Botafogos, roja u tall me të. Për fat të mirë, një person nga stafi i Botafogos e pa dhe e futi në stadium. Botafogo humbi 4-1, por më i miri në fushë ishte Sokrates.

Padyshim nga lojtarët më të mirë brazilianë: jo më i miri, por më i veçanti. Ai dashuronte jetën e mirë, me 4 gra dhe 6 fëmijë (“Më pëlqen riprodhimi” deklaronte).

Kërkimi në internet nga burimet e gazetarëve që u morën me të, tregon se ishte i mërzitur në martesën e tij të parë, si dhe nuk mund të merrej me planet e ardhshme dhe nevojat afatgjata në martesën e tij të dytë.

Në dy martesat e tij të fundit ai pinte nga mëngjesi deri në mbrëmje nëpër lokale, deri sa një bar e la atë të pinte falas, sepse Sokrates tërhiqte klientë. Ai pinte pa u dehur, luante në fushë pa u përpjekur. Filozofi i lashtë grek ishte kundër kënaqësive, ndërsa ai ishte mbrojtës i tyre.

Artist brenda dhe jashtë fushave (ai gjithashtu luante muzikë dhe shkruante poezi), por shkatërroi jetën e tij.

Por ‘Doktori’ ishte i sinqertë, besnik (jo me gratë e tij, por me vlerat e tij), romantik dhe me një fjalë: UNIK. Historia e tij vlen të bëhet film./Gazeta Liberale

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *