Sport

"Skenë horror", Amarildo Dimo tregon çfarë ndodhi në Pukë

Shkruar nga Liberale

Amarildo Dimo realizoi golin që i dha një pikë Egnatias në fushën e Tërbunit, ku pas vërshëllimës përfundimtare të arbitrit shpërtheu dhuna.

Veterani fierak, me shumë përvojë edhe në Superiore, rrëfen për “Panorama Sport” si precipitoi situata pas ndeshjes në Pukë, duke theksuar se ishte një skenë horror, sepse ata që duhet të mbronin atë dhe pjesëtarët e tjerë të Egnatias, ishin vetë agresorët.

“Ishim në stolin tonë sapo përfundoi ndeshja në Pukë dhe menjëherë në atë moment në fushë hynë tifozë dhe u vërsulën drejt nesh për të na goditur. Mund ta kuptoni lehtë, ishte një skenë horror, ishim pa asnjë mbrojtje. Pjesëtarët e policisë private apo të policisë bashkiake hoqën jelekët dhe në vend që të na mbronin, na sulmonin edhe ata. Ishte e paimagjinueshme, nuk e kuptoje se nga të vinte sulmi. Ishim krejtësisht në mëshirë të Zotit. Dikush aty mund të kishte thikë me vete, mund të kishte armë apo diçka tjetër të rrezikshme… Ne jemi dhunuar dhe kjo është diçka e paimagjinueshme sot në sport.

Kemi familje, kemi fëmijë dhe shkojmë të luajmë futboll, ndërkohë na ndodhin këto gjëra. Jemi dhunuar nga ata që duhet të na mbrojnë dhe nga zyrtarë të ekipit kundërshtar. Nuk e kam se do të dënohet apo nuk do të dënohet Tërbuni, e kam me fenomenin. Nuk kemi bërë asnjë denoncim për atë që ndodhi.

Ky lloj administrimi i ndeshjeve të futbollit, pra me polici private, është krejtësisht i dështuar. Futbollistët nuk kanë asnjë lloj sigurie, sepse, e përsëris, sulmohen nga ata që duhet të të mbrojnë. Në fillim nuk arritëm të shkonim në dhomat e zhveshjes, më pas u futëm dhe kemi qëndruar brenda. Nuk kam pse ta fsheh, qëndronim 25 burra duke mbajtur derën nga brenda dhomës sonë se mos na sulmon sërish”, ka thënë Dimo.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH