Aktualitet

Skënder Balaj, piktori i gjendjeve me diellin përkundër

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

E takoja gjithnjë natën, nën dritat e ngrohta të Çesenatikos, në të njëjtin impostim që kanë piktorët ndaj natyrës së gjallë. I përqendruar. Dukej sikur koha i kishte veshur një palë kufje që ia detyronte gjuhën e trupit rrjedhës së njerëzve.

Një port i vogël, i projektuar nga Da Vinci, me një arkitekturë të ulët në zhdërvjellje proporcionale; një frymëmarrje e drejtë e raportit mes njeriut dhe nevojave të tij në një shtrirje si romantike me dallesa të shkëputura butë kohësh në rrjedhë ndryshimi.

Me një pinakotekë në qendër të Emilia Romanos, me bibliotekë, galeri arti dhe institucione argëtuese në një hapsirë të bollshme për t’u frekuentuar. Asgjë që kërcet apo bën zhurmë, diçka që i ngjan një frymëmarrjeje normale në një qytezë tregtare mes agroturizmit e shijeve të detit.

Çesenatiko është ndërtuar me personalitete të investuar në rrjedhat e ndërtimit dhe kreacionit, në një hap jo shumë çudibërës, por nën një rrezatim që, për një njeri që thellohet mbi atë materie, mund të zbulonte talente dhe investime të rëndësishme që i japin ngjyrë e tipologji kësaj qyteze. Një vend që pushojnë në një marrëdhënie të hershme një grumbullim delikat jahtesh e varkash të vogla tregtare, por edhe një gjerdan azhur i njerëzve të kryer në mundësitë më të mundshme të modestisë, mes prakticitetit të nevojshëm dhe stimës dalluese të pasurive që ruan kjo zonë, pa harruar emra të shquar piktorësh të zonës si Alberto Sughi, një protagonist i fillimshekullit njëzetë; Gio Ponti, arkitekti i minimalizmit dhe kthesës së arkitekturës moderne; pastaj poeti Marino Moretti, piktori Walter Masotti, Pino Casali; arkitekti Saul Bravetti e shumë emra të tjerë të afërt e të largët. Është vendi që kalëroi në erërat që sillte deti me legjendat e shumfishuara të Garibaldit, heroi dhe apostulli i bashkimit në gjuhën e mbrojtjes e krenarisë vendëse.

Mbi këtë qytet sundonte herazi një mjegull e dendur e herazi një qartësi marramendëse kthjellimesh. Në këtë qytet gëlonte një jetë si e nëndheshme, pa shumë bujë. Ndoshta është një nga vendet më të mira për të jetuar. Një gjendje e thjeshtë praktike e me shumë perëndime të magjishme. Qyteti i biçikletave dhe i famës dalluese përmes këtij sporti me një yll rekord si Pantani.

Kisha menduar mijëra herë se piktorët që ndërtohen në rrugë kanë një lloj magjie, atë të të qenit të lirë e të zhvendosur në botën e tyre, në një raport krejt të pavarur e të pakushtëzuar. Kisha takuar ngado gjallje të tilla në lëkura të llojta, njëfarë patine ushqyese që dominohet nga interesi i punës së tyre: ngado, në Paris, Londër, Firence, Venecia, Berlin, Amsterdam e gjetkë. Janë pothuajse në një uri të njëjtë rruge, të butë e të përkorë, nën një gjendje instinktive gati të pagabueshme në gjuetinë e karaktereve.

Njëherë, në Paris, provova gjendjen e një njeriu që peshkon rrjedhën njerëzore, por, për fat të keq, herën e parë fryu një erë e marrë kundër gjithçkaje, dhe m’i fluturoi mjetet në ajër si një destin i pakthyeshëm për të mos u ulur më, por edhe si një parashikim që nuk do i rezistoja dot një pune që kish ndërvarje të drejtpërdrejtë.

Diçka e brendshme më shynte që të mos thyhesha nga çdo cytje përfitimi, për të mos iu nënshtruar kollaj çasteve që parashikohej një punë e zgjatur deri në lodhje. Por, pikërisht për këtë procesion të pakryer së brendshmi vuaja sloganin që e përsërisja me veten: nuk e kapa dot atë nivel, në kuptimin e madh të një shijeje e të jetuari e të punuari në rrugë. Ama përherë i kam dashur këta mëtonjës të ajrit të mbrëmjes, që gjendeshin në rrjedhë dhe protagononin me aftësitë e tyre riprodhuese. Jo vetëm për dinjitetin, por edhe për një lloj akti performativ ndaj një sfide të drejtpërdrejtë publike, duke e vërtetuar kështu se sa të lidhur janë me mjetet që zotërojnë; se si lundrojnë në një punë ngulmuese me një komunikim njerëzor me publikun. Ata janë të shumllojtë në ngjyrë e karakter, por edhe në fashon pamore që ruajnë. Pozojnë po aq sa ata që pozojnë për ta, duke krijuar bërthama vorbullash interesi në mbetejet e fundit të ditës, në harkadën e magjishme të perëndimit të diellit përkundër.

Skënder Balajn e kam njohur pikërisht në këto rrugina melankolike të një qyteze që të krijonte përshtypjen se bota kishte harruar vërshimet e mëdha dhe gjente pramje në të tilla ekstreme të vagullta qytetesh mesdhetare plot dritë, arkitekturë e shejza të kursyera mjaftueshëm për një kovë lumturi. Një vend ku hukateshin njerëz, varka me vela dhe sardele të freskëta. Një gjendje e paqtë, ku të dukej se kishe hapur një libër enciklopedik e shulleheshe në një kuriozitet të ngopur tashmë, që nga peizazhet idilikë e deri të inskenimet e disa dyqaneve tregtare në erë të mirë djathi, proshute e krijesash që falte deti. Qyteti ndiehej si një skenografi, nga ato konvencionalet, që ushqehej me histori vendi e rrugina të vjetra të lulëzuara me një shije kartoline, mjaft prekëse në intimitetin e vet.

Shkoja shpesh në këtë qytezë për shkak të lidhjeve familjare, dhe humbisja si në një libër të zverdhur nga e gjithë rrokopuja marramendëse e qyteteve të zhurmshëm. Pikërisht këtu jeton Skënder Balaj, si shumë piktorë që përpiqen ta riatdhesojnë veten qetë.

Para disa vitesh endesha në mbrëmje në pjacën e qytetit, një hapësirë që pluksonte nga dritat e ngrohta në të verdhë. Rrugëve shihje lloj-lloj racash të çuditshme që ngopnin kuriozitetin me përgjërim. Ishte pjesa e vjetër e qytetit. Diku më në skaj, një lloj trageti sa një dhome shtëpie kryente lidhjen e dy pjesëve të qytetit që ndaheshin nga një vijë uji që lidhej me detin. Ishte si një muze i hapur, ku luajnë anije të mëdha peshkimi, nga më të vjetrat e deri te ato më modernet. Më pas, në një ndriçim gati skenografik, ndieheshin të afishuara në krah shumë dyqane të vogla ngjitur vijës së ujit, plot me turistë e vendës në një gjallëri të lëshuar, si një dallgë e sheshtë, e butë e plot oksigjen. E gjithë pjacëza është e mbushur me shfaqje të ndryshme argëtimi, që nga koncertet e vogla, performancat, parukeritë, shitësit e rraqeve të vjetra dhe piktorët me kavaletët e tyre.

Boresi, im bir, kishte një kuriozitet të shpërndarë e të pastepshëm për të marrë pjesë në këtë hare që nuk e kontrolloje dot. Ndiehej dehja e stinës së verës në një çtendosje të lirë e të çharmonizuar për nga llojshmëritë e ndërthurjet në një qytezë mesdhetare.

Bores ulëriti: – O ba, një piktor këtu.

U afrova. Noel, ime bijë, po bënte një gërshet të kuq te një mjeshtër cinglash. Ndërsa ime shoqe, Monika, po shihte e shtangur një prestigjator diku më tej. Ndiehesha i shpërndarë, në një gëzim nga ata të kotët, ku endesh si një somanbul.

Piktorin e pashë në kurriz. Nga shprishja e flokëve dhe përqendrimi më ngjau i njohur, meqë kanë një lloj tipologjie të përbashkët në erë e lëkurë. Qëndrova për disa minuta për të vëzhguar lidhjen mes modelit dhe vizatimit, por edhe me ndjesinë e fshehtë të një piktori që gjen shëmbëllimin e vet në një situatë që fatkeqsisht vetë e kishte përjashtuar si disfatë në zgjedhje. Piktori nuk lëvizi nga vendi, por në momentin që dëgjoi të flitej shqip u ngadalësua dhe u përpoq të më shquante mes mizërisë së njerëzve. Picërroi sytë, ngaqë isha në një pozicion “strategjik”, dhe si duket më dalloi. Më thirri në emër dhe u përshëndetëm.

– A je, Myrtezai!?

E përshëndeta edhe unë duke i bërë me shenjë që të vazhdonte punën. E lamë që të takoheshim për një kafe e për të ndarë biseda nga ato të përgjithshmet, me shumë halle e mund, por edhe për preferencat, zgjedhjet, kujtimet e shkollës e ndodhitë që përmbysën jetët tona.

Ishte një djalë imcak e simpatik. Ishte e vështirë që t’ia dalloje plagët e emigrimit, sepse kish fituar një natyrshmëri me vendin dhe ishte i qetë, jo një natyrë thërritëse. Ishte nga ata me këmbë në tokë, që e mbjell produktin dhe e korr me një arsyetim të mjaftë. Piktorët shtegojnë, janë si zogjtë, kanë një përshtatshmëri instinktive; rrëmojnë e marrin ngjyrim me interesat që shfaqin dhe mundësitë që gjejnë.

U kuriozova për të zbuluar më thellë një piktor që në pamje të parë të duket si i rastësishëm. Doja të dija diç më shumë, se si e ngre folezën dhe i jep rrezatim mjedisit, duke ndikuar në mënyrën e vet. I kërkova që t’i bëja një vizitë në studio. Shtëpinë e kishte mu në qendër të qytetit të vjetër, nga ana e portit të jahteve dhe e gastronomive të zmadhuara të peshkut. Një zgjedhje atipike në lloj dhe një ngrehinë e përcaktuar mirë nga një ngjyrë portokalli e pastër, me shumë gjelbërim të afërt, tipike për oborret e shtëpive italiane. Që në ballinë ndieva një shumë rraqesh e simbolikash të vjetra, copëza kujtimesh e mbaresa shenjash nga më kontradiktoret.

Në përshtypje të parë Skënder Bala ishte një zgjedhje në lloj e një piktori nomadme një informalitet të pikasur; një gjendje e rrëmujshme ngjyrash ku nuk po dalloja dot se çfarë përdorej për tavolozë e çfarë për një kuadër a shesh pikturimi. Në zgjedhje ishte një fovist që merrte shenja nga natyra dhe i riorganizonte nga pesha e ngjyrës, shoqëruar me një vizatim të semplifikuar, ndonjëherë edhe monumental e me qendër të fortë. Por, gjithnjë në një gjendje kontrastesh të zmadhuar, dritë e hije dhe një ndjeshmëri akute për ngjyrat e pastra (primare), si një përzierje fatlume për të ekuilibruar një narrativë të butë. Janë gjendje që i kisha kaluar si përjetime të hershme në eksperiencat e mia, dhe m’u duk se po gjeja sivëllain në një rrjedhë të shkueshme, që me siguri mund ta ngrohte bisedën mes dy të ngjashmëve.

Gjatë kohës që po kryeja ritualin e heshtur përmes përjetimit të studios së një piktori, i hidhja nga një pyetje për ta çkornizuar nga një impostim i sikletshëm në gjuhën e pritësit, sepse në njëfarë mënyre e kisha impresionuar.

Në një moment e pyeta se ku parkonte.

– Nuk kam makinë, – më tha. E pashë disi me çudi, por e mirëkuptova: ishte nga ata që nuk e kishin përqafuar të dalurit jashtë si nënshtrim kushtesh shërbimi e shkathtësie për të bërë gjithçka. Qesha me të dhe fillova ta dua fort, pasi natyra të tilla të privuara tregonin një tjetër veti të shfaqur në gjendje “mangësie” të atyre që përqendrojnë energjitë në mënyrë emocionale drejt një qëllimi të vetëm.

Distanca nga çfarë bënte në sheshin e pjacës me atë se çfarë e shqetësonte pikturën e tij ishte aq e madhe saqë kishte si rrjedhojë një punë të ndarë: ajo që fitonte bukën e gojës dhe krijimtaria me synime vetëm artistike. I pëlqente shumë Ibrahim Kodra, të cilin e kishte të veçuar si figurë komplekse, sepse sipas tij kishte bërë gjithçka, dhe ndër të tjera kish shpëtuar nga dogma e realizmit socialist. Ky i fundit është një kompleks i njohur piktorësh për ta ndarë pikturën dhe krijimtarinë më shumë përmes termit të larguar sesa një përafrimi ideologjik të shkatërruar e të humbur tashmë.

Balaj jetonte me klientelë dhe kishte marrëdhënie të ngushta me njerëz të shquar që kishin parakaluar në studion e tij. Nuk kishte komplekse dhe nuk vuante nga një jetë e programuar e në garë. Ndiente se kishte një takim të fortë me pikturën që realizonte: gjithnjë në kërkim të një forme që ia kënaqte libidon dhe e linte të kryer.

Për çudi nuk ndieva atë lloj sëmundjeje nga e cila infektohen shpesh piktorët: mjeshtëria/zanati. Ky fill ndryshimi më bënte të besoja se ishte një artist i mirë, i butë në klimën e vet të zgjedhur dhe në limitet e tij. Një natyrë me dinjitet, një lloj karakteri që e përmbushte ndërgjegjen herë me damarët e prejardhjes e herë me gjeninë krijuese, për të mos qëndruar në vendnumëro, por në një kërkim të çlirët e të lëshuar në një frymë të zhdërvjellët.

Nuk më nxori as katalog dhe as u kujdes të më numëronte ekspozitat që kish realizuar. Më shpjegoi një lidhje të afërt me nobelistin e letërsisë si shumë i njohur  Dario Fo, me të cilin si duket ndante afshet e nënshtresave kulturore në tone të larta. Në fakt, ishte ende i shqetësuar në përpjekjet e tij, me një lloj evokimi të pikturës së traditës në një kundërthyerje që të jepte idenë e lartësimit të pikturës figurative, por në pavetëdije notonte mes dritës dhe kontrasteve të forta, gjë që e shkundte disi pikturën e tij, duke zmbrapsur në të njëjtën kohë një lloj nostalgjie që të del vetvetiu në krijimtari.

Kisha dëshirë të komunikoja në biseda të afërta, për ta shkelur e zbuluar, sepse piktorët kanë udhëtime të dyfishta në një rrjedhë bisede mes dyshimit dhe vërtetësisë që duan të shkulin te dëgjuesi që kanë përballë, ndaj dhe nganjëherë fjalitë e tij ngeleshin si përgjysmë e të tranduara nga ky raport. Por, isha mësuar me natyra të tilla nga shtegtimet e mia të kuriozitetit, kështu që plotësoja bisedat e lëna në gjysmë si një hare e rrallë komunikimi. Piktorët ose janë të prerë si llafazanë apo oratorë, ose të prerë në të kundërt, në një heshtje që flet më shumë se një bisedë e artikuluar. Më ngjau se nuk ishte mjeshtër i fjalës, por dukej mjeshtër në mënyrën se si artikulonte dritën në hapsirë.

Udhëtimet e mia do ishin të shumta mes këtyre natyrave disi të pambyllura, që të lënë në shije plotësuese. Ishte ajo natyrë që kisha marrë me mend: një gjë e investuar mirë, e shestuar në interesa dhe qëllime, si dhe një bashkëbisedues me karakter që do nge ta shijosh, ashtu si përballë një vepre arti, që na bën të flasim për ta mbajtur afër në simpati.

Skënder Balaj jeton midis Çezenatikos e Hagës; një qytetar i lirë i Europës në një lidhje dashurie me holandezen Annet Rosmalen dhe me djalin e tyre të vetëm Xhimi Balaj, një trio mbi biçikleta që shëtisin të lirë, punojnë e jetojnë si europianë mes Durrësit, Çezenatikos dhe Hagës.

Po kërkoja një fjali përmbyllëse për rrëfimin tim dhe m’u ripostua në mendje si piktori i natës me diellin e fshehur nën krah, një dritë që e shfaq në prerjet konvencionale të pikturës duke i dhënë ngjyrë jetës së tij. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH