Editorial

Skandali si strategji opozitare apo si skemë vazhdimësie?

Shkruar nga Liberale
Skandali si strategji opozitare apo si skemë vazhdimësie?

Bjorn Kamberi

Marrëdhëniet e politikës me skandalin si ngjarje që e turbullon status quo-në por edhe si cikël eventual ngahera e kanë shënjuar historinë e kohëve politike si pak çka. E mbase është pikërisht kjo karakteristike e skandalit si mjelmë mes një familje rosakësh, që e veçon një ngjarje prej përditshmërisë politike, duke e kapërcyer e njëherësh shënjuar diskurin publik. Teoria e komunikimit i kushton tematikës së skandalit një vend të veçantë e kjo sa për impaktin alla Deus ex Machina që skandalet kanë mbi realitetin politik po aq edhe për faktin që skandalet, krizat politike dhe kundërtitë janë gjithashtu pikat e kthesës dhe gurët kilometrikë që e shënjojnë luftën për pushtet. Në një shoqëri të vogël, veshë hapur karshi ndodhive politike e relativisht të apasionuar pas tjerrjes së  interpretimeve, skandalet ndikojnë më shumë se në kushte të tjera. Këtu me vlerë do të qe të analizohej qasja e faktorëve politikë karshi skandalit si koncept dhe ndodhi, pasojave të tij dhe trajtimi që zakonisht u bëhet këtyre në dobi të strategjive të PR-it të forcave respektive. Në këtë linjë, kjo analizë do mëtojë të shqyrtojë atë çka dimë deri më tani për qasjen e opozitës karshi skandalit si instrument politik si edhe të sintetizojë sugjerimet e optimalit teorik, në drejtim të suksesit të objektivit opozitar për rotacion.

Së pari, duhet të kuptojmë që skandalet dhe krizat akute për nga natyra e bartin peshën gravitacionale tek elementi i surprizës, trazimi i sipërfaqes së ujit dhe krijimi i dallgëve, të cilat më pas i shpërndajnë dhe riorganizojnë shkëmbinjtë e faktorëve politikë bregut të pushtetit. Thënë kjo aftësia për të përfituar nga skandalet që e trandin status quo-në dhe stabilitetin e një qeverie, duke demaskuar kështu edhe brishtësinë e këtij stabiliteti, është një sport që do ushtruar. Kjo aftësi ka qenë ndër ato asete që opozitat e vendeve demokratike nuk i lënë pa shfrytëzuar, e shpesh skandale në dukje banale kanë krijuar përmbysje të mëdha, të pabesueshme, dhe çarje të thella tektonike nën themelin e godinës së pushteteve. Analiza e korelimit të skandalit si agjent ndryshimi me konditat dhe nivelin demokratik të një shoqërie është temë e rëndësishme që i përket një studimi më të thelluar. Për tu kontekstualizuar në aktualitet, historiku i këtyre tre dekadave nën tranzicion na ka provuar disa herë që krizat e befta dhe skandalet e kanë potencialin për tu shndërruar në orteqe politike por parashikueshmëria e tyre është e ulët. Andaj edhe opozita e kësaj fushate duket se po ndjek një qasje të kujdesshme dhe të matur. Me gjasë ky reflektim vjen pas një rrugëtimi të konsiderueshëm, përgjatë të cilit opozita e orientoi retorikën e saj kah denoncimi i zullumeve dhe skandaleve të pushtetit. Edhe pse me shumë vlerë në një shoqëri normale demokratike e sidomos  në një vend të madh, ku opozita mund të kthehet në ndërgjegjësuese të popullsisë mbi çka ndodh prej pushtetit, në Shqipëri rrethanat janë të ndryshme. Në një vend si yni, zelli njerëzisë për ti analizuar e stër-analizuar ngjarjet politike shpejt sjell deflacion të interesit karshi krizave e skandaleve, qytetarët lodhen e imunizohen nga mahia e mllefi që normalisht do duhej të provokohej prej klimaksit që përfaqëson një skandal, ashtu siç lodhen klientët e një kozmetikë pasi kanë provuar një dyzinë parfumesh. Adaptimi i një qëndrimi të matur që e ngre stekën e diskursit opozitar kësisoj është jo vetëm dinjitoz por edhe një qasje inovative, si retorikë e re për veshët e një populli të shurdhuar nga skandalet e vjetra.

Së dyti, një qasje konstruktive karshi ngjarjeve që ndodhin shkon në linjë me makro-programin e Bashës për normalitet. Këtu s’duhet harruar se kuptimin si agjentë që duhen konsideruar, skandalet e marrin vetëm kur arrijnë ta turbullojnë normalen. Këtu çështja është se me kalimin e kohës, riciklimi i vazhdueshëm i skandaleve e kthen realitetin e mbushur me to në normal, e për pasojë ja brend atyre peshën gravitacionale për krijim fryme politike siç është ravijëzuar më sipër. Në këtë kontekst vërehet që Basha gjatë gjithë fushatës është shfaqur i fokusuar tek objektivi i tij për rotacion dhe indiferent në kufinjtë e përbuzjes karshi skandaleve. Kjo indiferencë reflekton mendimin se lideri opozitar i konsideron skandalet në dinamikë e sipër si simptoma të një sëmundjeje të njohur tashmë, kura për të cilën nuk do vonojë më shumë se dita e zgjedhjeve. Kështu Basha arrin të tejçojë mesazhin e seriozitetit e vullnetit të tij për ta çuar këtë zotim deri në fund, si edhe përqendrimin tek ky objektiv si të pacenueshëm prej asgjëje, duke përfshirë këtu edhe skandalet më kurioze. Edhe në qoftë taktikë, kjo stratagjemë dëshmon për pjekjen politike të një lideri që synon me të gjitha forcat që ti bindë shqiptarët se këtë radhë e ka seriozisht, andaj duhet ta marrin seriozisht, edhe sepse ai po mendon për hallet e tyre kur ata hutohen prej skandaleve të Ramës,

Së treti, zgjedhja për të mos u marrë drejtpërdrejtë me skandalet duket të jetë një mekanizëm i hollë pragmatik në dobi të maksimizimit të rezultatit në 25 Prill. Duke qenë se pas tetë viteve opozitë, pakënaqësia e akumuluar karshi qeverisë e ka arritur kulmin mes mbështetësve tradicionalë të opozitës, Basha ka vendosur ti përqendrojë kapacitetet, kohën dhe resursin e retorikës në bindjen e elektoratit të pavendosur. E në rast se një skandal e galvanizon bindjen e një militani dhe e habit të pavendosurin, për ta kanalizuar këtë habi në votë për rotacion Basha e ka kuptuar se duhet të ofrojë diçka më shumë, të paktën diç me shumë se thjesht një skandal dhe kostos që ai sjell për qeverinë. Në këtë prizëm përveçse i garanton opozitës një shfrytëzim më efikas të kohës së limituar të dy javëve të fundit të fushatës, me këtë qasje Basha e shmang përballjen e drejtpërdrejtë me Ramën në një fushë, atë të interpretimit të skandaleve, gjetjes së fajtorëve dhe propozimit të zgjidhjeve hipotetike, që kryeministri e ka faktuar të jetë e tija. Si një regjisor i paepur i teatrit të politik-bërjes dhe si protagonist e antagonist i shumë skandaleve e kundër skandaleve, Rama e ka provuar se jeton me të pamundurën dhe se ngadhënjen kur ndeshet në mediumin e të pazakontës. Bash për ta evituar këtë lojë në fushë kundërshtare, Basha vjen me një premtim programatik mbi të mundshmen, dhe u propozon qytetarëve ta zgjedhin për ti qeverisur edhe atëherë kur ilariteti i skandaleve bëhet bajat.

Thënë këto, gjasat janë që skandalet të vazhdojnë të jenë bashkëshoqëruese dhe ndikuese të fushatës së 25 Prillit. Këto ditë kanë qenë të mbushura me skandale dhe kriza që shërbejnë si lëndina ku kullosin makinat propagandistike të të gjitha palëve, ashtu si mbase kullosin përbri delet e barinjve të ndryshëm. Ka gjasë që kjo fanfare e madhe skandalesh, të jetë edhe ftesa për valle që elitat politike ja parashtrojnë tinëzisht popullit, një valle që të mbërthen e që duhet ta heqësh deri për zgjedhje, për tu ndjerë kësisoj i lodhur e i pakthjellët për të zgjedhur me cilën muzikë do doje të kërceje vallen e së nesërmes. Pikërisht për ta evituar këtë qorrsokak, por edhe për të përfituar nga ndryshimet mes tij dhe Ramës, Basha do duhet të ndjekë deri në fund qasjen e tij të matur, përçmimin e skandaleve si folklore banale dhe fokusimin tek optimizmi i rotacionit qe do të sjellë në pushtet normalitetin. Kështu Basha nuk i fton thjesht shqiptarët të kontribojnë në ndryshimin e pushtetit, por u tregon atyre edhe ndryshimin që do pasojë në marrëdhëniet e tij me shtetin, seriozitetin dhe qeverisjen e një mazhorance të supozuar që skandalet nuk i sheh si mjete politike por si gabime orthografike, që mund të koorigjohen e parandalohen nëpërmjet nje gome institucionale. Sidoqoftë kjo strategji vjen me rriskun e skepticizmit të shoqërisë, që mund ta shpërfilli ofertën e opozitës si të rrejshme ashtu siç shpërfillet saga e skandaleve e politkës së ngritur mbi to. E kjo për Bashën dhe strategjië e tij do të qe fatale. Skandali i vërtetë në këtë rast do të qe ai vetë, dhe paaftësia e tij për rotacion./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH