Aktualitet

Skandali që mund t’i zhvatë Ballkanit integrimin

               Publikuar në : 08:53 - 13/08/19 Suadela Balliu

Rrezikut se Maqedonisë së Veriut mund t’i çeleshin negociatat në tetor, ndërsa Shqipërisë jo, tanimë i është shtuar ai i një përgjigjeje negative për të dy vendet e Ballkanit.

Skepticizmit të disa vendeve anëtare ndaj politikave të zgjerimit, i mbivendoset edhe zhurma e skandalit të fundit nga shteti fqinj, që ka përfshirë Prokurorinë Speciale, e ngritur për të luftuar  krimin dhe korrupsionin në  nivele të larta

 Suadela Balliu

Pak javë më parë, komisioneri për zgjerim Johaness Hahn ia shtonte edhe më shumë pritshmërinë Maqedonisë së Veriut se në tetor, mund të vinte drita jeshile për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Në fund të mandatit të tij, komisioneri madje do të shprehej i keqardhur për shtyrjen që vendet anëtare i bënë përgjigjes për negociatat gjatë  qershorit, që përkonte edhe me zgjedhjet e parlamentit europian, pasi sipas tij fqinjët e Shqipërisë ishin gati edhe dy muaj më parë. Hahn do të bënte të qartë se procesi i integrimit ishte i bazuar në meritat dhe arritjet e secilit vend, duke lënë të kuptohet se nuk do të ishte një vendim i marrë në bllok për të dy vendet e Ballkanit, që presin këtë vjeshtë përgjigjet nga vendet anëtare. Përgjigje që, i ka dhënë sinjalet e ftohta deri tani nga shtete si Holanda, e cila votoi në parlament pezullimin e lëvizjes së lirë për shqiptarët dhe Franca, e bindur se politikat e zgjerimit nuk janë aspak ide e mirë për të ardhmen e unionit.

Lidhja Shqipëri-Maqedoni

Maqedonia e Veriut deri në ditët e para të gushtit, ishte shteti ballkanik që dukej se ishte më i avantazhuar me suksesin e arritjes së marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit. Kryeministri Zaev madje do të shprehte shqetësimet se Gjermania mund të frikësohej nga kërcënimet e homologut të tij shqiptar se në rast të mos çeljes së negociatave, do të ndodhte një bashkim me Kosovën. Sipas kryeministrit maqedonas edhe shtete  si Franca e Holanda, ishin më skeptike ndaj Shqipërisë sesa fqinjëve të saj lindorë.

Kësaj ndarjeje i druhej edhe kryeministri Rama, i cili pak ditë më parë në një intervistë për rrjetin “Euronews” pranoi se nëse procesi i negociatave nuk niste njëherazi për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, do të qe jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme për stabilitetin e rajonit. Jo vetëm të rajonit, por në mes të krizës së brendshme politike, një përgjigje pozitive vetëm për fqinjët, do të rrezikonte edhe postin e tij si kryeministër. Opozita që kërkon largimin e tij prej muajsh do t’ia faturonte edhe këtë dështim keqqeverisjes së Ramës.

Duke mos ia mohuar progresin fqinjëve, të arritur me marrëveshjen e Prespës, kryeministri Rama do të lëshonte një pyetje për vendet anëtare: A do të ishte patjetër e nevojshme një konflikt, për t’u shpërblyer për atë ç’ka bën?

Sipas Ramës, çelja e negociatave nuk varej nga progresi i arritur prej vendeve, ku në maj Komisioni Europian rekomandoi çeljen pa kushte, por nga politikat e brendshme të anëtarëve.

Por të dy vendet  pretendente për çeljen e negociatave, përtej progresit në pikat kritike, ende çalojnë në sistemin e Drejtësisë. Hahn i sugjeronte Maqedonisë së Veriut reformimin e gjyqësorit për të trajtuar çështjet e nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit përpara se BE të caktonte një datë për nisjen e bisedimeve për pranim.

E megjithatë nga koha kur komisioneri Hahn vizitoi Maqedoninë e Veriut, ku inkurajoi vazhdimësinë e punës së prokurorisë speciale, situata duket se është përmbysur.

“Zhvatja”  

Ndërsa Shqipëria pret ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK, e cila do të marrë në dorë çështjet e mëdha të korrupsionit, në Maqedoninë e Veriut kjo strukturë speciale e ngritur për të hetuar krimet e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe rivendosjen e sundimit të ligjit në vend përmes luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta, është përfshirë së fundi në një skandal, të quajtur “Zhvatja”.

Skandali shpërtheu pas publikimit nga gazeta italiane “La Verita” të një videoje dhe audiopërgjimi, ku gazetari fliste me një biznesmen nën hetim për pastrim parash se masat ndaj tij duhet të zbuloheshin në shkëmbim të 8 milionë eurove.

Video tregon se si gazetari me emrin Boki 13 mori 1.5 milionë euro nga biznesmeni Orce Kamçev, duke i premtuar se me ndihmën e Katica Janevës do të lihet i lirë, lidhur me akuzën e rastit  “Perandoria”. Skandali ka vënë në pikëpyetje të madhe prokurorinë speciale në Shkup tek e cila kishte shpresë për të goditur korrupsionin ne nivele te larta.

Pas akuzave, ish-kryeprokurorja e Posaçme e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, dha dorëheqjen. Skandali është parë edhe si një luftë politike ndaj kryeministrit Zaev, ndërsa opozita kërkon arrestimin e tij dhe të prokurores speciale.  Për zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Matthew Palmer akuzat e ngritura nga skandali “Zhvatja” janë serioze dhe se mund të minojnë procesin e integrimit në BE.  “Këto janë akuza serioze dhe të gjitha akuzat e tilla serioze kërkojnë një përgjigje serioze”, do të shprehej Palmer për Zërin e Amerikës, duke shtuar se ShBA mbështet  hetim të plotë dhe transparent për këto akuza “dhe, nëse provat ekzistojnë, atëherë duhet të ketë ndjekje penale. Kjo është një mundësi për autoritetet në Maqedoninë e Veriut që të demonstrojnë besnikërinë e tyre ndaj sundimit të ligjit”.

Kryeministri Zaev i ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa është shprehur se pret përfundimin sa më shpejt të hetimeve.

Një nga mosmarrëveshjet e mëdha në shtetin fqinj, mes maxhorancës dhe opozitës është hartimi i një ligji të ri për Kodin Penal, ku do të vendosej edhe fati i Prokurorisë Speciale.

Palmer do të shprehej se palët politike duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet për mënyrës si duhej të reformohej apo modifikohej  Zyra e Prokurorit të Posaçëm, në të mirë të interesave të vendit. “ Koha për lojëra politike ka mbaruar. Tani është koha për treguar aftësi politike të shtetndërtimit”, shprehej pak ditë më parë Palmer, i cili megjithë skandalin beson se Maqedonia e Veriut e ka fituar mundësinë për çeljen e negociatave për anëtarësim. “Por … sinjalet që dërgon qeveria dhe suksesi i ligjit për Zyrën e Prokurorit të Posaçëm, do të jenë të rëndësishme për këtë çështje”.

Anëtarësimin në Bashkimin Europian, Palmer e shihte si një proces të gjatë e që kërkonte reforma themelore edhe për Shqipërinë. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, në prill të këtij viti, zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit do të shprehte angazhimin e ShBA se do të punonte për t’i bërë përfaqësuesit të lartë të qeverisë të japin llogari para popullit të tyre dhe llogari ndaj procesit të integrimit europian. Por reforma, do të pranonte zyrtari amerikan, do të ishte e dhimbshme politikisht. Në mes të krizës politike, kryeministri Rama përdor moton se “Reforma në Drejtësi nuk diskutohet, ajo vetëm mbështetet”  dhe se ai nuk do të bëjë pazare për të shpëtuar politikanë. Por ende pa u ngritur institucionet e reja të Drejtësisë, DASH ka shpallur ish-kryebashkiakun e Durrësit si person “non grata” duke i refuzuar vizën të gjithë familjes Dako, me motivin e përfshirjes në një rast madhor korrupsioni.

Por me dinamikën e ngjarjeve të fundit në shtetin fqinj, Shqipëria nuk mbetet më e vetmja “dele e zezë” e dyshes që pret hapjen e bisedimeve këtë vjeshtë.

Nëse vende si Holanda dhe Franca i shohin me mosbesim vendet që kanë probleme me sundimin e ligjit e nuk duan të lejojnë brenda familjes të tjerë shtete me probleme të këtij lloji, si Hungaria apo Polonia të pranuara në anëtarësimet e fundit, tashmë të vështirë nuk do ta ketë vetëm Shqipëria, e përndjekur edhe nga stereotipat që mbizotërojnë në vendin e ulët për lidhjet e shqiptarëve me krimin e organizuar.

Sipas analistit  të shkencave politike, Florian Bieber  mënyra më e mirë që këto vende mund ta bindin Francën është të përpiqen ekstremisht në zgjidhjen e sundimit të tyre të ligjit dhe çështjeve të korrupsionit, ose të krijojnë një levë në BE, “në mënyrë që vendet  e tjera anëtare t’i bëjnë presion Francës”. Por, pas skandalit “Reket”, do të jetë edhe më e vështirë të bindësh Francën, e cila është kundër zgjerimit të mëtejshëm, me vende që ende nuk i kanë mbyllur hesapet me çështjet e reformimit të sistemit të Drejtësisë.

Sipas Bieber, Franca mund të jetë më  e gatshme të pranojë Maqedoninë e Veriut, ndërsa Shqipëria mund të penalizohet për shkak të krizës së brendshme politike. Pas një prej protestave të opozitës, e cila përshkallëzoi në dhunë, komisioneri i BE-së për zgjerim, Hahn do të thoshte se imazhi i transmetuar mund të kishte ndikim shumë të madh te vendimmarrësit në Bashkimin Evropian.

Por, përpos problematikave të brendshme, analisti nga Luksemburgu Bieber, do të thoshte për “Euronews” se ftohtësia e disa prej vendeve anëtare ndaj shteteve në proces integrimi mund të minonte besueshmërinë e BE-së, veçanërisht pasi Komisioni Europian ka dhënë dritën jeshile për negociatat.

Një “jo” për të dy vendet apo qoftë edhe për njërin prej tyre, do të rezultonte thikë me dy presa, duke i bërë dy qeveritë, atë shqiptare dhe maqedonase, të zhgënjehen nga politikat e BE-së e të mendojnë se nuk ia vlen të bëhen kompromise të vështira, nëse nuk pranohen në bllok. Sinjal që mund të ndikonte negativisht edhe në Serbi e Kosovë, të cilët mund të vënë në dyshim se BE mund t’u japë gjë në këmbim, edhe nëse zgjidhnin mosmarrëveshjen mes tyre.

Por siç thoshte Hahn, një imazh flet shumë, ndoshta edhe më shumë se fjalët pozitive në progres-raportet e KE për të dy vendet dhe skandali i fundit në Maqedoninë e Veriut mund të ndikojë tek ata europianë, që sipas një vëzhgimi të fundit  janë kundër futjes së anëtarëve të rinj në union.

“Rruga e anëtarësimi është e gjatë”, do t’i thoshte kryeministri shqiptar gazetarit të “Euronews”  në intervistën që dha nga vila qeveritare në Dhërmi. “Dyshoj se do jem atje kur të firmoset anëtarësimi, e kam ëndërr, por dyshoj se do jem atje”, do të përgjigjej  Rama, që mendon se sado punë të bëjë, skeptikët e BE-së do të mbajnë të njëjtin qëndrim. Por, nëse ekzistonte një frikë se Maqedonisë së Veriut, mund t’i çeleshin negociatat para Shqipërisë, skandali rrezikon t’i zhvatë të gjithë hapat e bërë për një përgjigje pozitive në tetor./Gazeta Liberale

(Visited 91 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *