Aktualitet

Skandali i byzylykëve elektronikë me tre tendera të dështuar

Shkruar nga Liberale
Skandali i byzylykëve elektronikë me tre tendera të dështuar

Sot Ministria e Drejtësisë fitoi gjyqin me kompanitë që kishin fituar tenderin për të realizuar mbikëqyrjen elektronike të të parabugosurve, ku u urdhërua nga gjyqtarët e çështjes Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë Ratech shpk, Fastech shpk dhe Soft & Solutions që të depozitojnë në Buxhetin e Shtetit shumën prej 150 mln lekësh që kishte marrë nga marrëveshja nënkontraktore e nënshkruar që në 2017 me Ministrinë e Drejtësisë.

Në total, flitet për një shumë prej rreth 2.2 milion eurosh që merren nga sektori privat dhe kalojnë në buxhetin e shtetit.

Çfarë ndodhi tre vite më parë?

Kujtojmë se skandali i byzylykëve elektronikë të mbikqyrjes së të dënuarve rinisi të hetohej që me 29 dhjetor të vitit 2017, me urdhër të Gjykatës së Tiranës, pas ankimit që paraqiti ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Çështja u denoncua fillimisht nga ish-ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, i cili kërkoi hetim për zhdukjen e rreth 300 byzylykëve që kishin një vlerë prej 2 milionë euro të paguara direkt nga buxheti i shtetit.

Sipas legjislacionit në fuqi por edhe bazuar në kontratën e ministrisë së drejtësisë me dy kompanitë private, 300 byzylykët elektronikë duhej të ishin dorëzuar tek Shërbimi i Provës dhe të ishin marrë në dorëzim pas konfirmimit se funksionalë për t'u përdorur tek personat e dënuar që lihen në mbikqyrje elektronike.

Ky legjislacion nuk u respektua pasi pas denoncimit kompania që ofronte shërbimin aktual ktheu një pjesë të byzylykëve, të cilat sërish mbeteshin të papërdorshme pasi rezultuan jashtë funksionit nga kontrolli teknik.

Ministria Gjonaj ngriti dyshime në lidhje me kontratën e lidhur ndër vite me kompaninë përgjegjëse për byzylyqet e mbikëqyrjes së të dënuarve, pasi pajisjet e mbikëqyrjes kshin rezultuar aq problematikë saqë kishin bërë të pamundur zbatimin e ligjit “Për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim gjyqësor”.

Duke qenë e pamundur kontrollimi i të dënuarve nga mungesa e pajisjeve, dikastri ministror dhe Shërbimi i Provës kërkuan që Gjykatat dhe Prokuroritë të mos propozojnë apo të japin më vendime për të dënuarit për mbikëqyrje elektronike.

Gjatë raportimit të ministres Gjonaj u bë e ditur se ishin kryer tre tendera të ndryshëm. I pari ishte nënshkruar me shoqërinë TPS Global me një vlerë 33 milionë lekësh në vitin 2012. Më vonë në dhjetor të 2014 u lidh kontrata e dytë për garantuar përsëri mbikëqyrjen elektronike me objekt “Shërbim dhe mirëmbajtje të sistemit mbikëqyrje elektronike në fushën penale”, me një vlerë prej 68 milionë lekë. Me 21 shkurt të vitit 2017 u lidh një tjetër kontratë 4-vjeçare nga Ministria e Drejtësisë, me një vlerë prej 233 milionë lekë, me grup kompanish të FaxTecsh dhe Soft Solution shpk.

Problemi i ministrisë së Drejtësisë ishte fakti se kontrata aktuale me kompaninë në fjalë pritej të zgjaste deri në vitin 2021 dhe se prishja e saj nga ana e shtetit shqiptar do të kishte kosto shtesë.

Gjatë asaj kohe ministrja së bashku me stafin ekzekutues dolën në përfundimin se vështirësia qëndronte në faktin se për shkak të kontratës nuk mund të bëheshin lëvizje dhe as nuk mund të bëheshin përmirësime reale, ku dhe ajo pjesë e pajisjeve që ishin në gjendje pune kishin mbetur të pakolauduara.

Tashmë në një situatë të tillë, Ministria e Drejtësisë do të detyrohet të hapë një garë të re tenderesh që të zgjedhë kompaninë e ardhshme që do të merret me byzylykët elektronikë të mbikqyrjes së të dënuarve. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH