Efektivë të përfshirë në krime vijojnë të kallëzohen nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe ankesave në prokurori, ku nuk kanë munguar dhe masat ndëshkuese.
Rasti më i fundit ka ndodhur në një lokal në Tiranë, ku një efektive policie ka rezultuar se ka ndihmuar vjehrrën e kolegut nënkomisar që ta ushtrojë aktivitetin e prostitucionit në një lokal të saj, duke e njoftuar për aksionet e policisë.
Pas konstatimit, SHÇBA ka pezulluar nga detyra dy efektivët e përfshirë në këtë skemë.
Bëhet fjalë për nënkomisarin me inicialet F.M, 29 vjeç, me detyrë specialist në sektorin e hetimit të aksidenteve rrugore në komisariatin e policisë së qarkullimit rrugor dhe inspektoren O.K, 27 vjeçe,me detyrë operatore e kamerave në sektorin e sallës së komandimit.
Mësohet se zbulimi i tyre u bë pas një hetimi disa mujor nga SHÇBA,i cili kishte marrë informacione në rrugë operative se nënkomisari 29-vjeçar ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast aksidentesh.
Kjo ka bërë që efektivi i qarkullimit rrugor të vihet në monitorim nga ku doli se ai krahas kësaj shkelje,nëpërmjet koleges së tij operatore e sallës së monitorimit ndihmonte vjehrrën që të ushtronte aktivitetin e prostitucionit në lokalin e saj.
Kjo e fundit njoftonte vjehrrën e kolegut për aksionet që organizonte policia, duke u bërë pjesë e shkeljes.
Në kuadër të këtij hetimi u procedua penalisht edhe vjehrra 53-vjeçare e policit pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj në qytetin e Memaliaj u gjetën dhe dy armë gjysmëautomatike dhe fishekë pa leje.
Në interes të thellimit të hetimit të përfshirë në këtë shkelje janë sekuestruar dhe katër telefona celularë.