Aktualitet

S’ka “zgjidhje konsensuale” me integritetin territorial të Shqipërisë

Shkruar nga Liberale
S’ka “zgjidhje konsensuale” me integritetin territorial

Partia “Zgjidhja” thekson se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i pyetur për marrëveshjen e detit, që është vënë si kusht nga qeveria greke për vijimin e përkrahjes së Greqisë në integrimin e Shqipërisë në BE, deklaroi për “Euronews Greece”, se me qeverinë e mëparshme janë bërë përparime dhe shpreson për arritje e një konsensusi me ekzekutivin e ri.

“Ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme për ca kohë dhe kemi bërë përparime të konsiderueshme dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e re, duke shpresuar se do të gjendet një zgjidhje konsensuale”, deklaroi ai.

Partia ‘Zgjidhja’ e pyet publikisht kryeministrin e Shqipërisë se çfarë do të thotë ‘zgjidhje konsensuale’? A ka pranuar konsensus për të riaktivizuar marrëveshjen e vdekur të detit të vitit 2009, që qeveria greke e kërkon ende?.

Marrëveshja për Delimitimin e Shelfit Kontinental dhe të Zonave Ekonomike Ekskluzive të të dy vendeve në detin Jon, e firmosur nga dy qeveritë në Tiranë më 27 prill 2009, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me Vendimin Nr. 15 datë 15 prill 2010, sepse ajo cenonte integritetin territorial të Shqipërisë, por edhe të drejtën ndërkombëtare, sipas Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982) dhe nuk ka shanse që të ringjallet. Ajo ishte një vepër antikombëtare e ish-kryeministrit Berisha, që i dhuronte Greqisë rreth 355 kilometra katrorë hapësirë detare, të pasur me burime të shumta nafte dhe gazi.

Edi Rama dhe ekipi i tij nuk duhet të pranojnë më asnjë pazar me integritetin territorial të Shqipërisë. E vetmja zgjidhje konsensuale për marrëveshjen e detit është parimi i barazlargësisë, sipas të Drejtës Ndërkombëtare dhe të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit. Çdo zgjidhje tjetër, qoftë edhe me ‘konsensus’, do të jetë tradhti ndaj atdheut.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH