Aktualitet

Situata me zjarret, Peleshi kritikon kryebashkiakët: Kanë emëruar drejtorë që s'ua dinë emrat

Shkruar nga Liberale
Situata me zjarret, Peleshi kritikon kryebashkiakët: Kanë emëruar

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka folur sot për situatën me zjarret dhe masat e marra për të pasur gjendjen nën kontroll, ndërkohë që vatrat më serioze mbeten në Peshtan të Fierit dhe në Vlorë.

Në prani edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Arben Kingji, Ministri Peleshi kërkoi koordinim më të mirë të punës për përballimin e emergjencave në nivel vendor, ku nuk munguan kritikat ndaj bashkive.

“Ka bashki që nuk e kanë parësore punën e emergjencave civile. E quajnë punë të dorës së dytë. Kanë emëruar dhe një që sia dinë as emrin. Sepse mendojnë se ka një big brother e kanë një telefon dhe kërkojnë helikopterin” tha Peleshi, duke shtuar se Shqipëria ka kapacitete për përballimin e situatës.

“Ne nuk jemi një vend pa kapacitete operacionale. Kemi 1600 punonjës zjarrfikës në të gjithë vendin, 182 mjete zjarrfikëse, 80 autobote uji, kemi personelin dhe mjetet e FA që siç e dini që në çdo emergjencë janë në ballë të aksionit, të gjitha strukturat e policisë që është në dispozicion dhe me të cilët punojnë shumë mirë, urgjencën shëndetësore, rrjetin e vullnetarëve, etj”, u shpreh Peleshi.

Sipas tij, që prej një viti Shqipëria ka edhe mbështetje shumë të madhe nga anëtarësimi me të drejta të plota në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile.

“Kjo do të thotë që nëse në të gjitha nivelet vendore e qendrore shterojnë burimet, ne kemi edhe një suport nga ky mekanizëm që na ka funksionuar dhe është një nga më efiçentët. Teknologjia është shtuar. Kemi dronët për rikonjicionet, kemi dronët ”Puma” që janë vënë në punë nga viti i kaluar e që na japin informacion shumë të dobishëm dhe në kohë shumë të shpejtë. Gjithashtu edhe imazhet satelitore janë tani një ndihmë dhe një vlerë e shtuar”, u shpreh Peleshi.

Sipas këtyre të dhënave satelitore, Ministri Peleshi tha se janë evidentuar 125 vatra zjarrit në muajt qershor-korrik, vatra të cilat janë menaxhuar shumë mirë nga njësitë vendore.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH