Aktualitet

Sirenat e Lulzim Bashës dhe Ilir Metës për votat e “llumit”

Shkruar nga Liberale
Sirenat e Lulzim Bashës dhe Ilir Metës për votat e

Alfred Peza

Presidenti i Republikës ka folur në konferencën e fundit për shtyp, në lidhje me fenomenin që ai e cilësoi si ikje e “llumit” të LSI drejt pozicioneve të “ajkës” në listat e PS. Sigurisht që të etiketosh me këtë term ish bashkëpunëtorët e tu më të afërt në politikë, për një lider të rëndësishëm politik si Ilir Meta, është shumë e rëndë. Jo thjeshtë nga pikëpamja etike!

Përtej kapërcimit të kufirit të “qetësisë dhe dashurisë”, që nuk përbën më lajm kur është fjala për Kreun e Shtetit, çështja e përdorimit të këtij termi të papërshatshëm nuk ka asnjë lidhje me ata që nënkuptohen prej tij në këtë rast.

Edhe vetë LSI, partia që Ilir Meta ka themeluar, u krijua më së shumti nga të ikurit prej Partisë Socialiste. Por askush nuk i etiketoi ata, as në 2004 e as më pas, si “llum”. Sepse demokracia në përgjithësi dhe ajo shqiptare në veçanti, bashkëjeton me fenomenin e ikjes apo ardhjes së politikanëve, nga njëra parti në një tjetrën. Sesa e moralshme apo jo është kjo nga pikëpamja politike, kjo është një temë krejt tjetër diskutimi në këtë rast.

Fenomeni i ikjes apo i ardhjes së aktorëve dhe faktorëve të ndryshëm politikë, nga një parti në tjetrën në prag fushatash elektorale, është një shqetësim për lidershipin e tyre. Por asesi, ky fenomen nuk është kaq shumë shqetësues për shoqërinë, për qytetarët dhe zgjedhësit. Sepse në fund të fundit, janë ata që do të aprovojnë apo do të ndëshkojnë me votën e tyre, këto identitete politike që ndryshojnë flamujtë dhe siglat partiake.

Shqetësimi real për shoqërinë shqiptare në fushatat elektorale ka qenë, është dhe do të mbetet fenomeni i “llumi”-t në raport me Kushtetutën, shtetin e së drejtës dhe ligjin e dekriminalizimit të politikës shqiptare. E në këtë aspekt, sinjalet që vijnë nga shtabet drejtuese të fushatave opozitare, po bëhen gjithmonë e më shqetësuese. Sepse lidershipi i tyre kryesor, po jep mesazhe kontradiktore, të cilat joshin dhe inkurajojnë këto kontigjente për tu përfshirë në proces.

Ky po që është një shqetësim thelbësor që duhet adresuar, duhet evidentuar, duhet diskutuar, duhet debatuar dhe i duhet bërë presion maksimal publik e mediatik, në mënyrë që liderët politikë të sprapsen sa janë në kohë. Mesazhet e ambasadores së SHBA në Tiranë dhe të BE, për këtë çështje, kanë qenë të qarta. Ndaj Lulzim Basha dhe Ilir Meta nuk mund të thonë dot nesër, se nuk kishin veshë për ti dëgjuar, se për kë binin këto këmbana perendimore në Tiranë!

Lulzim Basha përtej retorikës boshe dhe stilit kaçurrel të të folurit në të tilla raste, duhet të japi garanci të plota, të qarta dhe institucionale se kur përmend ndryshimin e Kushtetutetës pas 25 prillit, nuk ka në asnë rast parasysh asnjë hap sado të vogël për ta frenuar, bllokuar apo zhbërë Reformën në Drejtësi. Burimet diplomatike flasin se ka një vëmendje të shtuar këto ditë, në lidhje me këtë çështje, për shkak se ajo nuk ishte pjesë e programit elektoral të PD dhe opozitës.

Frika është se artikulimi i tezës së ndryshimit të Kushtutetës, nga ana e kandidatit të opozitës për Kryeministër në këto zgjedhje, fsheh pas saj pikërisht synimin diabolik për ta minuar reformën, procesin e vettingut dhe ngritjes së institucioneve të sistemit të ri të drejtësisë në Shqipëri. Garancia që ky skenar hipotetik nuk do të ndodhë, janë SHBA dhe BE që kanë investuar aq shumë për këtë proces historik, i cili nuk mund të kthehet dot më pas.

Prapa kësaj retorike, e shumta mund të fshihen sirenat që liderët e opozitës shqiptare kërkojnë të dërgojnë për në veshët e “të fortëve”, të subjekteve të OFL, ish gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar për shkak të reformës ose të rrezikuar prej saj, por edhe drejt lobeve dhe grupeve të tyre të interesit, për ca vota më tepër.

Kur kësaj retorike të Lulzim Bashës i bashkon edhe atë të Ilir Metës, për tu bërë “ministër i Brendshëm” menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit, atëherë tabloja e kësaj strategjie elektorale opozitare mer trajtë e formë duke u bërë edhe më e qartë. E keqja Shqipërisë deri më sot nuk i ka ardhur nga ikja e disa politikanëve nga një parti në tjetrën, por nga “llumi” që në fushatat elektorale nga 26 maji 1996, janë bërë njësh me liderët për nevojat momentale të kolltukut të tyre.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH