Aktualitet

Sintaksa mbi kornizat qytetëse

Shkruar nga Liberale
Sintaksa mbi kornizat qytetëse

Një profil ekstra për Maks Velon

Nga Vladimir Myrtezai

Maks Velo është imazhi më adekuat i ëndërrimit për t’u inkuadruar në një epokë të caktuar, si maja më e lartë e të besuarit se ke mbërritur në kulm të një ambicieje, apo si koha më e përshtatshme e vet identifikimit në një materie të ëndërruar gjatë si forma më e lartë e një personaliteti.

Për të arritur në këtë “përkufizim” iu desh të harxhonte një jetë të tërë në ulje-ngritje me strapacime, të keq vendosura në kohë, por edhe si një fat zbulues për një karakter në lëvizje të shumëfishtë për të qenë i përmbushur si shenjë në vlerë e  dallim. Ai bëri një udhëtim të vetmuar e në përplasje të hapur. Maksi shkonte kundër shijeve dhe zgjedhjeve të personalizuara, si një kulturë e ndikimit në zgjedhje, jo çdo herë si tolerancë e gjithë përfshirjes kulturore, apo si shumë territoresh në lëvizje të pa ndalur për t’u emancipuar, për të shpërndarë pastaj modelin e njeriut kundër.

Prania e tij më e dukshme publike ishte në vitet 1970-75, ku u shënuan disa ndryshime për një konceptim më të gjerë të arkitekturës dhe zhvillimit urban, mbi ligjësi më të përparuara e në një gjuhë më moderne. Krahas kësaj, në portofolin e tij zhvillohej edhe një pasion i fshehur për të shkruarit dhe të pikturuarit.

Në vigjiljen e një fryme liberalizuese, Maks Velo ishte një personazh qendër në këtë filozofi shndërruese, për të bërë të mundur e thirrë në skenë ndjesi të frymëzuara nga postmodernizmi, që ishte në kulm aso kohe në Europë. Qe një ndikim që erdhi si rezultat i shkëmbimeve me shkolla e kultura të ndryshme, ku kishin studiuar disa. Në këtë mënyrë u krijua një klimë e favorshme për t’u bërë qendër e gjithçkaje, një frymë shndërruese e me protagonizëm në të gjitha fushat e krijimtarisë.

Vitet 1975-80 e më pas ishin vitet më të errëta e të mbyllura për hapësirën kulturore, saqë njihet si reperkursioni i rreptë i një revolucioni të ashtuquajtur purifikues, që duhej nisur nga poshtë-lart. Në këtë furtunë fshirëse fati i shumëkujt që u përpoq të ëndërronte e të ishte në natyralitetin e vet u degdis e u burgos në qelitë më famëkeqe të kohës.

Qe një histori dramatike që veshi një periudhë të zgjatur kalvarësh, ku çdo i vuajtur i ndërgjegjes kreu në mungesë lirie të plotë dhe në një izolim total, si më i pamëshirshmi në të gjithë hartën e vendeve që ishin nën diktaturë. E drejta e fjalës dhe e mendimit u asgjësua, dhe çdo gjë varej nga partia-shtet, në një ligj të mirë menaxhuar e absolut të saj. Në këtë atmosferë kemi zhvillime të mekura e të konservuara nga të gjithë të vuajturit e ndërgjegjes, në pak dëshmi, herë të gjalla e herë të lëna me shkrim, si një nga gjendjet e nëndheshme që mbetet për t’u marrë në analizë. Nga kjo prapavijë dolën shumë zgjatime në jetën fizike, por edhe në një protagonizëm në rritje kur trokiti liria në vitet 1990.

Si për çudi, në kushtet e lirisë, Maks Velo nuk zhurmoi dhe nuk u shfaq në ambicie të larta, në kuptimin e të qenit në skenën e të shpërblyerve apo për të qenë prezent me forcë në të drejtën e tij në krye të herës, në prurjet e rreshtimet e mundura për të marrë pushtet. Profili i tij ishte ai i një intelektuali më shumë në eko sesa në protagonizëm. Me sa duket, brenda tij vlonte një tjetër ego: ajo e të qenit përsëri në një opozitë të hapur me të gjitha pushtetet e mundshme.

Pjesëmarrja e tij në publik i takonte një urie të zhauritur për të rijetuar në vendet e zhvilluara dhe në qendrat historike të parashkelësve të tij në atdheun e madh të ëndrrave. Me shpejtësi humbi me çdo kusht në kryeqytetet e artit në një ri takim real e të freskuar me modernët. Shkeljet e para u realizuan në atdheun më të vjetër e në zë, Parisin, për të vijuar në Londër, Nju Jork e gjetkë. Në prerjen e tij kërkonte gjysmën dhe më shumë të pjesës së bjerrë nga rinia, dhe me siguri edhe ëndrrën në sirtar.

Askush më shumë se ai brez nuk do ta kuptonte admirimin për artistët e ëndërruar, në llojin dhe zgjedhjen që ata bënin, duke prekur së gjalli vepra në origjinal të fundshekullit nëntëmbëdhjetë, ndaj të cilëve u ndërtua një referencë e jashtëzakonshme, si e parritshme, për shak të mbylljes drastike të Shqipërisë ndaj çdo gjëje që vinte nga “bota e ndaluar”.

Prekja e një kufiri kulturor për së gjalli ishte një ndjenjë që po ta përshkruash mund të konkurrojë edhe ëndrra të çuditshme, që shiheshin veçse syhapur, me zellin e dëshirës deri në prekje fizike. Ky qe një shkak që më vonë nuk se pati integritet normal në kalimin e periudhave historike, në një rritje normale, por gjithherë i cunguar dhe në një depersonalizim të së drejtës së informimit. Gropa të tilla ndarëse sollën edhe akte të larta të admirimit të kësaj periudhe, si një kufi i ri i ndarës mes avantgardave historike, që dalëngadalë, nga admirime u kthyen në qëndrime krejt të mbyllura e konservative ndaj asaj që pritej të hynte në propozimet e reja të arteve si bashkëkohësi.

Por, gjithsesi, udhëtimi, edhe pse shumë vite më vonë, solli një produkt post në kujtesë të referencave të qarta e të hapura në shtegimet e larta të artit modern e postmodern, si një oreks i pakryer dhe si një pozë që duhej të derdhej në të gjitha drejtimet e kuptuara dhe keqkuptuara të saj. Por, kurrë nuk ka një kufi dhe kurrë s’mund të themi kurrë, pasi në çdo riciklim mund të dallojmë edhe kontributin e një transplanti të vonuar, por të ri ardhur në vështrime, që të bëjnë të ndalosh e të ngresh pikëpyetjet e tua. Kjo edhe për shkak të një harte të gjymtuar e jo në rrjedhë normale të zhvillimeve të artit.

Por, pelegrinët kanë fluturimin e tyre dhe kërkojnë klimën e duhur për t’u shfaqur në një trend disi më linear e më të rrethantë, duke zhvilluar si me pahir pikturën intime, apo pikturën e vogël. Shumë syresh kthehen në udhëtime të vogla, ku zbulojnë ndjenjat rreth përshkruese të një udhe të humbur në një kohë absurdi. Kjo lloj krijimtarie vjen si një revoltë në një bosh të nderë ideologjik.

Në fakt, nuk e di pse por Maksin e përfytyroja gjithnjë si të dyshuarin kryesor në veprën e Kadaresë, si personazh kryesor në vorbullat përfshirëse, në skandalet e heshtura të dashurive të shumta apo nën maskën e heroit në qendër, me një dramë mbi krye; gjithnjë në rrezik të lartë e në yshtje ku ndahen fate. Ndoshta për shak të emrit apo të një figure të ndërtuar si një nga intelektualët e kohës, në përkrahje të hapur të veprës së tij. Një asociim prej adoleshenti, që më ndërton pa teklif ngjarje të këtij lloji. Mbase edhe për shkak të një heshtjeje ngrirë mbi këtë profil, që o është në një sulm të hapur e total, ose i përkorë dhe krejt i tërhequr. Një teknikë në stil që më përafrohej me personazhe liberalë, që shkaktoheshin në libra dhe shpesh edhe në romanet e Kadaresë.

Ngjyrimet e vërteta si personazh publik janë në një shtrirje më të zgjatur në shpinën e demokracisë së re shqiptare. Shenjuesi më i fortë për të do të mbetet opozitarizmi, pa dyshim i trajtuar herë drejtpërdrejt e herë me elegancë intelektuale. Kjo nuk është pak nëse shohim se si dita me ditë po ndërtohet një kasë e ndërvarur mes pushteteve dhe formateve në shërbim të tyre, ku shumë intelektualë janë të gatshëm të banojnë në këto formate.

Polemikat e shumta të tij për shumë çështje delikate kanë lënë shenjë në mendimin ndryshe nën fuqinë e shembullit për të qenë i pavarur, i pamolepsur me interesat e ditës.

E gjithë statura e Maks Velos lundron në një patinë të shtresëzuar personalizimesh dhe lufte të individit, jo në grup, por vetëm, si një piskamë e qartë e një modeli për të qenë jashtë përgjegjësive të ashtuquajtura kolektive/shoqërore.

Gjithnjë brenda kësaj lëkure të mbivendosur përshkruhet ngulmi i tij për të vijuar rrugën e zhvendosur nga shumë mediume, ku spikat dëshira e madhe për t’u rreshtuar te piktorët e rëndësishëm shqiptarë. Bile mendoj se kjo është edhe ëndrra më e thellë e tij, që në pamje të parë duket si lodërti dhe sfogo, por që, në thelb, na shfaq një kolorist klasi, me një referencë të qartë historike, si e risjellë në një ndriçim post. Ekspozita e fundit në Galerinë Fab e vërteton sërish këtë bindje timen, duke e shndërruar hapësirën e galerisë si të ishte një ekspozitë e fillim shekullit njëzet, diku në Parisit, Londër apo Nju Jork.

Piktura e perceptuar si dritë dhe rezonancë tematike të bën të lundrosh me një sy të mprehtë, ku të ndërmenden mjeshtrit e fillim shekullit njëzet. Ashtu i përveçëm pikturon mbresa dhe kujtesë, sublimuar në shenja apo arketipë. Kjo qe një dhunti që e zotëronte që në goditje të parë, dhe më pas të vijnë rrotull narrativa të ndryshme që sikur të ofrojnë një shëtitje të pangjashme. Gjithçka afrohet nën dashurinë prekjes si drithërimë. Ata të cilët janë ushqyer me pikturë të mirë mund ta përkthejnë.

Herë si primitiv e nomad, herë si prekës asimetrish, por e gjitha në një harmoni trascendente.

Maksi dinte të përvidhej drejt ritualeve të tij të heshtura. E shihja shpesh në mushkërinë e kryeqytetit, te Liqeni, ashtu të zhytur në veprimet, sikur bënte monolog e jo stërvitje.

Përmes personazheve të tij, çdo vend krijon kornizat kohore, që e bëjnë atë të dalluar për nga fryma apo identiteti. Është një frymë që, kur ndihet, vjen e ravijëzuar; ndërsa kur hesht nuk ka shenjë, dhe duket si kulturë e mbjellë keq, pa dashurinë apo pasionin e duhur. Brenda këtyre kornizave qëndrojnë personazhe që e tejkalojnë kohën, duke e ngadalësuar si në fotografi.

E çdo të ishte një shoqëri pa të tilla fërkime dhe pa njerëz kontroversë që çlirojnë adrenalinën dhe rrisin kulturën e të qenit kundra dhe hapur?! Do ishim një vend pa shenjë, jashtë kohe, ose më keq akoma: një vend i vet pushtuar nga mediokriteti.

E vështroja një ditë Maksin nga lart poshtë, në një ecejake të shqetësuar e të ngutur, ku nuk ecte, por vend qëndrohej si në një takim të pamundshëm. Provova një të qeshur me veten, sepse e dija shumë mirë se ishte në hyrje të ekspozitës së tij, duke pritur të shfaqeshin njerëz që i shtynte e i përjashtonte nga universi mistik apo i fshehtë i botës që ai afron. Por, gjithsesi njerëzit janë nepsqarë kërkojnë t’u tregosh diçka, sepse sikur nuk afrohen. Përndryshe, duhet t’i lësh që të të admirojnë apo shajnë nga larg.

Sa herë e shihja nëpër qytet më krijohej ideja se ai është personi i duhur për t’u dhënë vlerë atyre kafeneve buzë Senës në Paris, pasi kishte diçka të përbashkët në ikongrafinë e së tërës, si një lëkurë e vjetër që ka marrë shenjat e duhura në luftë për të kërkuar jetën. Kështu, të tillë si Maksi duket sikur jetojnë në skenë, dhe po të mungojnë çdo gjë zbehet dhe humbet identitet. Janë të nevojshëm, sepse i japin fizionomi vendit ku rrinë, ku flasin, zihen apo bëjnë lëvizje që evokojnë një parehati të dukshme. Ata janë qenie që e mbushin peizazhin e një qoshku si humus, në eko të zgjatur të gjërave të pathëna, që ndikojnë thjeshtë e me prani.

Tirana nuk mund të kuptohet pa këtë lloj myshku, që e patinon shndërrimin e saj të beftë edhe në një përditësim në lëvizje staturash karakteriale.

Fenomeni i këtyre profileve është si të marrësh një kornizë dhe të duash të kornizosh një hapësirë në ajër, dhe për një çast ke ndërprerë një imazh, duke e shkëputur si fiksion në kohë. Pastaj e merr këtë imazh dhe e vendos si memorie, dhe në çast ke kryer një pauzë të imazhit, si të papërsëritur. Po ta bësh përsëri, herë pas here, duke e mbushur qiellin me koka njerëzish, ke bërë po atë gjë.

Kështu ndodh dhe me historinë e një qyteti, me fenomenet dhe personazhet e tij, ku një ditë bëhen kujtesë e zgjedhur për vëmendjen tonë të brishtë./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH