Kryesore

Sigurim i detyrueshëm për banesat

               Publikuar në : 09:20 - 10/12/19 liberale

Tërmeti i 26 nëntorit duket se do të jetë fatkeqësia e fundit që do të dëmshpërblehet nga shteti. Kryeministri tha dje se sigurimi i banesave duhet të bëhet me detyrim, çka do të thotë se për përmbytjet, zjarret apo tërmetet e radhës dëmshpërblimi do të bëhet nga kompanitë e sigurimeve

Megjithëse tërmeti i 26 nëntorit në perceptimin e shumicës ishte një fatkeqësi e papritur, – pak e mbanin mend atë të Shkodrës në 79-ës, në opinionin publik po zë vend mendimi se katastrofat natyrore janë bashkudhëtarë të njerizimit, siç edhe ka qenë përjetësisht. Përpjekjet njerëzore për të qenë gati, përballuar apo minimizuar goditjet dhe dëmet e tërmetit, përmbytjes apo të nxehtit të radhës, që në mos sot një ditë do vij sërish, po vihen re, si tek individët edh te qeveria, megjithëse kjo e fundit është njëherësh e angazhuar në strehimin dhe planin e rindërtimit të banorëve të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kodi i ri të ndërtimit, ligji i ri po për ndërtimin, miratimi i hartës së re sizmike janë disa nga të masat që priten të miratohen në muajt në vijim. Por nëse në pikat e mësipërme nuk pritet ndonjë debat apo rezistencë, sigurimi i detyrueshëm i banesave që po ashtu u lajmërua nga kryeministri dje në mbledhjes e Komitetit të Rindërtimit, nuk duket se do kalojë pa kontestime. Sigurisht që masa e sigurimit do të jetë pika e nxehtë e iniciativës ligjore që do të përgatitet nga qeveria dhe raporti i tij me të ardhurat e pjesës dërrmuese të shqiptarëve.

Komiteti i Rindërtimit   

Kryeministri tha dje se brenda datës 16 dhjetor do të jetë gati fatura e parë paraprake për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit, pasi raporti final pritet që të dalë në fund të janarit të 2020. Në mbledhjen e dytë të Komitetit të Rindërtimit , kreu i qeverisë dha shifra zyrtare të dëmeve të shkaktuara nga lëkundja shkatërruese teksa beri disa propozime për ta kaluar sa më lehtë situatën post-tërmet, por edhe për t’u paraprirë atyre. Së pari, Rama tha se do u kërkohet ndërtuesve që 3% të hapësirave të dhurohen për nevoja sociale. Së dyti, sigurimi i banesave do të bëhet i detyrueshëm dhe së treti të prekurit nga tërmeti do të qëndrojnë në shtëpi me qira deri në maj të viti 2021, që do të thotë ky është afati deri kur priten që të ndërtohen lagjet e reja ku do të bëhet strehimi i tyre.

Në të vërtetë i pari që hodhi idenë e pagesës së faturës së dëmeve të tërmetit nga individët dhe jo nga shteti, ishte ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili shtoi se në këto raste nuk është shteti që paguan pasi shteti s’është pronar i shtëpive. Megjithatë Manjani nuk ishte i mendimit se sigurimi i banesave të bëhej i detyrueshëm me ligj.

Inxhinierja Luljeta Bozo, e cila ishte dje në mbledhjen e Komitetit të rindërtimit propozoi që një pjesë e shpenzimeve për rindërtim e banesave private të paguhet nga vetë pronari, por Rama tha se nuk është momenti për të bërë një kërkesë të tillë. Në vazhdimësi të këtij propozimi, shefi i ekzekutivit paralajmëroi se kjo do jetë hera e fundit që shteti do paguajë për ta.

Kryeministri ka deklaruar se pas kësaj fatkeqësie natyrore, sigurimi i banesave duhet të bëhet me detyrim. “S’u kërkojmë dot njerëzve që duhet të paguajmë, por duhet ta bëjmë të qartë që kjo është hera e fundit. Duhet që sigurimi i banesës të bëhet i detyrueshëm, sigurimi nga fatkeqësitë të bëhet i detyrueshëm. Gjithsekush të sigurohet. Bëhet një katastrofë apokaliptike rregullisht në Amerikë nga uraganet dhe njerëzit, përveç asaj që pësojnë se jetën nuk e mbron dot kur të vjen nga Zoti, kur thotë Elvisi, ose nga natyra kur thotë Skënder Gjinushi, por të paktën pasurinë e ke të siguruar. Janë një numër goxha i konsiderueshëm i këtyre që janë të dëmtuar dhe kanë marrë rimbursimet nga sigurimet. Sigurimet kanë dhënë deri më tani 12 milionë euro. Ka njerëz që shtëpitë i kanë të dëmtuara, kanë qenë më të mençur se të tjerët, nuk e kanë konsideruar dëmtimin e shtëpisë dhe kokës së tyre si taksë që po e merr armiku dhe tani po marrin lekët. Praktikisht, nga çfarë pamë me listën është 25 milionë totali i siguruar. Por këtë herë nuk mund të hyjmë në këtë, sepse do të ishte shumë e pakuptueshme për shumë njerëz dhe pak e padrejtë në këtë rast, por ama mesazhi duhet të jetë i qartë, ne nuk do rimbursojmë më dëme që janë si rezultat i mosmarrjes së përgjegjësisë individuale. Të gjitha banesat në këtë vend duhet të sigurohen. Kush nuk e ka të siguruar, e merr përsipër vetë që t’i përmbytet, t’i shkatërrohet dhe nuk mund të jetë kjo, një histori që kur është puna për të përfituar individi përfiton sa të mundet, kur është puna për t’u dëmshpërblyer, apo për t’u kujdesur për veten, duhet të kujdeset shteti. Se kush është shtetit? Shteti janë taksapaguesit e tjerë, ata që nuk kanë bërë nga këto shtëpitë me tela bunkerësh”, tha Rama.

Ndërsa Bozo ka evidentuar disa nga problematikat që shtetit duhet t’i shmang gjatë planit për rindërtimin e vendit për periudhën pas tërmet. “Kam disa probleme. Kemi një evidentim, që mund të ndryshoj shumë pak, sidomos në zonat rurale. Cilat janë ato godina që janë shembur fare dhe njerëzit janë në çadra, cilat janë ato që kanë dëmtime të lehta, duhet të specifikohet që të dimë se sa punë kemi për të bërë dhe duhet bërë brenda një kohe shumë të shkurtër. Brenda një jave duhet ta kemi këtë panoramim. Pas kësaj, duhet bërë një plan organizimi, nga njësia vendore ta organizojë punën se si të fillojë me strehimin e banorëve, nga ato që janë në qiell të hapur dhe të jepet një afat, afati është shumë i rëndësishëm. Që çdo gjë të jetë shumë e qartë. Kur janë tre-katër kurora në një shtëpi, sa shtëpi do t’u bëhet atyre?

Ligji special

Siç u bë e njohur dje në Komitetin e Rindërtimit, qeveria ka gati draftin e ligjit special të rindërtimit, ndërsa po përgatitet edhe aplikacioni për transparencën. “Po punojmë për një aplikacion për transparencën dhe besoj që në mbledhjen e ardhshme pas një jave do të prezantojmë. Kur të mblidhet komiteti do të prezantojmë. Këtu ka disa shpjegime për aplikacionin. Po përgatitet ligji special për rindërtimin për të krijuar një kuadër ekskluziv për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me rindërtimin. Një draft të parë e kemi gati, po bashkëpunojmë me komisionin e ligjeve për ta cuar drejt miratimit. Këtu kemi se çfarë përfshin; banesa të reja, për rindërtim, rindërtimi i të shemburave, rimëkëmbja ekonomike, banesat nga donatorët. Kemi 386 dosje projektesh për rindërtim. Dosje për fondacionet dhe donatorët për të shkuar në mënyrë të organizuar” tha Rama.

Sa i përket afateve të rindërtimit të banesave, nisjes së tyre dhe qëndrimit në hoetle apo shtëpi me qera të të dëmtuarve, qeveria njoftoi se “që të prekurit nga tërmeti do të qëndrojnë në shtëpi me qira deri në maj të vitit 2021, që do të thotë ky është afati deri kur priten që të ndërtohen lagjet e reja ku do të bëhet strehimi i tyre”.

Nga ana tjetër Rama ka deklaruar se ka persona të cilët po shkatërrojnë shtëpitë e tyre me qëllim që të bëhen pjesë e paketës së rindërtimit të shtëpi, teksa ua bëri të qartë që për këtë po tregohet shumë kujdes. Kreu i qeverisë bëri me dije gjithashtu.  “Po i bien murit me varre se thonë do na bëjnë shtëpi të re. Shqipëria ka banesa që janë në situatë kritike më shumë se kaq. Programi bëhet për ata që kanë humbur strehën ose rrezikojnë jetën nga banesa e tyre. Këto janë shtëpi pak a shumë dhe ne vijomë regjistrimin të atyre banesave që nuk i kemi bërë ende, ose regjistrimin e atyre që janë bërë pa të drejtë. Për qiratë, Bashkitë duhet të bëjnë kontratën që mos të vijnë dhe të thonë “kemi rritur qiranë” dhe kontratën e garancisë që deri në maj 2021 marrim përsipër strehimin tënd”, tha Rama.

Raporti i parë për dëmet do të jetë gati 16 dhjetor por do të jetë paraprak, pasi finali pritet që të dalë në fund të janarit të 2020 për të shkuar në konferencën e donatorëve. “Nuk ka ende nuk raport paraprak të dëmeve përfundimtare. Një grup me ne Bankën Botërore dhe OKB është duke punuar, në 16 dhjetor synohet të dalë raporti i parë paraprak. Do të ketë një raport paraprak, një të dytë dhe një final në fund të muajit janar për t’i hapur rrugë konferencës së donatorëve” tha Rama.

Shifrat

Dëmi në shifra

“261 pallate të dëmtuara rëndë dhe të pabanueshme në momentin aktual.

2137 banesa të dëmtuara rëndë

851 pallate me dëmtime të mesme ose të lehta.

4618 banesa me dëme të mesme

Tek pallatet e pabanueshme po bëhet një punë shumë e madhe, një pjesë e dytë kanë dëme të rënda, por të rikonstruktueshme. Do të përditësohen ditë pas dite.

Qarku i Tiranë 728 të inspektuara

Qarku i Durrësit 5667 të inspektuara, 438 për të shembur

Lezhë 1588 të konsiderueshme, 740 të mesme

Të gjitha 8 spitale me dëme të riparueshme, 2 me të lehta dhe 2 qendra shëndetësore jashtë funksionit 12 të tjer atë riparueshme

36 shkolla me objekte të rënda. “Emin Duraku” që inspektimet janë bërë, jo një po më shumë se një, situata është e qartë. Ka një pjesë të shkollës që mund të përdore, ndërsa pjesa tjetër nuk do të përdore. Të tjerat janë spekulime. Disa objekte në institucionet e drejtësisë që kërkojnë ndërhyrje urgjente. 19 monumente kulture me dëme të rënda.

500 inxhinierë.

Me zonën e Tiranës i kemi mbyllur sistemimin me shtëpi me qira, po akomodojmë në çadra ato të zonave rurale. Pastrimi i territorit nga inertet vazhdojnë, përfitimet financiare janë vendosur dhe brenda kësaj jave mbyllet dhurimi i apartamenteve për familjet me viktima.

20 mld lekë që në nisje me të ardhura buxhetore plus donacione, por pritshmëritë për donacione janë të konsiderueshme se kanë filluar bisedimet me shtet e tjera. Fond i veçantë dhe lehtësisht

666 familja janë aprovuar si përfituese e fondit me qira. Në Durrës nuk ka më apartamente, 1120 familje 922 janë akomoduar, pjesa tjetër në akomodim e sipër”, tha Rama. 

Basha: Dhjetëra familje jetojnë në kushte të rënda humanitare

Në 3 Dhjetor, Kryetari i PD, Lulzim Basha, shprehu shqetësimin e thellë për gjendjen e rëndë të dhjetra familjeve në Manzë, që jetojnë më çadra të papërshtatshme, në një situatë të rëndë humanitare. Basha u kthye në të njëjtin vend 6 ditë më vonë dhe konstatoi se, asgjë nuk ka ndryshuar për shumicën dërrmuese të familjeve, të cilat ndihen dhe te diskriminuara. Familje me fëmijë, të moshuar, të sëmurë edhe nga lagështia dhe i ftohti,  vazhdojnë të qëndrojnë në mes të ujit e baltës në çadra që nuk plotësojnë asnjë kusht minimal jetese. Banorët tregojnë të revoltuar se disa i kanë larguar nga çadra, ndërsa për ta nuk kanë asnjë kujdes. “Ne nuk na jepet asnjë zgjidhje. Na thanë se do t’ju evakuojmë, por asgjë”, – thotë një banor, duke i shpjeguar kreut të opozitës sesi bëhet seleksionimi i padrejtë. “Kemi ngelur ne që jemi me qira”, – thotë një tjetër qytetar, i cili prej 2 javësh po jeton në kushte johumane, bashkë me familjen. Një nënë tregon me lot në sy se i ka humbur shpresat pas kalimit të dy javëve dhe lënies në mëshirë të fatit.

“Asnjë dallimi nuk duhet bërë. Termeti njësoj i ka goditur edhe pronarët edhe qiraxhinjtë. Ja ku janë shkollat, të futen aty, nuk mund të vazhdojnë rë rrinë në çadra”, – u shpreh zoti Basha, duke kërkuar zgjidhje urgjente.  Banorët nuk e fshehin revoltën e tyre, kur treguan sesi Edi Rama jo vetëm nuk mori mundim ti takojë gjatë vizitës së të premtes, por mashtroi publikisht, kur tha se problemi i banorëve ne çadra ishte zgjidhur. “Erdhi si hajdut dhe u fut atje të shkolla. Asgjë nuk na pa. Ka ardhë për të na parë apo për të shkolla është në rregull. Nuk erdhi fare në kamp”– tha njëri prej banorëve. Kreu i opozitës tentoi të komunikojë me Shtabin e Emergjencës, i vendosur në shkollën e Manzës, por dera ishte e mbyllur dhe këto familje kaluan edhe një ditë tjetër të vështirë në çadra, që nuk plotësojnë kushtet më minimale./Gazeta Liberale

Tags: , , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back