Aktualitet

Siguria rrugore, përfundon rehabilitimi i pesë kthesave në Qafë Thanë

Shkruar nga Liberale
Siguria rrugore, përfundon rehabilitimi i pesë kthesave në

Një tjetër aks i rëndësishëm kombëtar i është nënshtruar ndërhyrjeve rehabilituese, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të automjeteve si dhe rritjen e elementëve të sigurisë rrugore. Në pesë kthesat në zonën e Qafë Thanës kanë përfunduar punimet rehabilituese, të cilat bën të mundur riasfaltimin, vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale si dhe ndërtimin e bordurave.

Punimet u inspektuan nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ergys Verdho, i cili bëri të ditur detaje sa i takon punimeve të kryera në këtë segment teksa shtoi se këto ndërhyrje janë pjesë e projektit të "Mirëmbajtjes dhe Sigurisë Rrugore Bazuar në Rezultate” me financim të Bankës Botërore.

“Ky segment bën pjesë në kontratën e projektit të Bankës Botërore me Performancë dhe parashikon një rehabilitim në sigurinë rrugore nga Elbasani deri në rrethrrotullimin “Nënë Tereza” të Qafës së Thanës. Kemi filluar me pjesën e kthesave të Qafës së Thanës për të rritur koeficientin e fërkimit. Kemi përdorur një asfalt “miks design”, i cili është i përshtatshëm për kushtet e kohës dhe mjedisit, rezistent ndaj ngricave dhe borës. Faza e parë vijon me vijëzimin e të gjithë këtij segmenti dhe rrjetit të sinjalistikës horizontale dhe vertikale”, u shpreh Verdho.

Ndërsa inxhinieri i firmës kontraktore, që po realizon punimet, Ilir Kokona informoi lidhur me fazën e dytë të punimeve sa i takon këtij projekti.

“Fazë e dytë vazhdon nga Elbasani në drejtim të Përrenjasit ku konsiston në rritjen e sigurisë rrugore më tepër e fokusuar në dy shkollat, shkolla e Mengelit dhe shkolla e Përrenjasit. Aty bën të mundur rritjen e sigurisë rrugore dhe e bën më të aksesueshme për nxënësit e shkollave. Kemi një ndërhyrje në varrezat e Librazhdit, në hyrje të Librazhdit, ku vazhdon më mbrapa dhe me trajtimin e urës së Librazhdit. Ka një ndërhyrje goxha të konsiderueshme në sinjalistikë horizontale dhe vertikale në të gjithë gjatësinë nga Elbasani në Qafë Thanë, gjë që bën të mundur dhe rritjen e sigurisë rrugore”, u shpreh Kokona.

Pjesë e projektit është edhe ndërtimi i një trotuari i cili nis nga ura e Librazhdit në drejtim të fshatrave të parë të kësaj bashkie, duke lehtësuar në këtë mënyrë lëvizjen e banorëve, por njëkohësisht edhe ndërhyrjen për rehabilitimin e 3 pikave të zeza përgjatë segmentit Elbasan-Qafë Thanë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH