Aktualitet

Si të rrëzojmë barrierat e sjelljes ndaj “të ndryshmit”?

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPRESS – 15 vjet

Titulli: HYRJE NË KOMUNIKIMIN NDËRKULTUROR

Autorë: Judith N. Martin, Thomas K. Nakayama

Nga autorët

Ndërsa vazhdojmë të informojmë dhe të shkruajmë rreth komunikimit ndërkulturor, na bën përshtypje nevoja e vazhdueshme për informacion në lidhje me aspektet praktike të komunikimit përmes kulturave. Botimi i dytë i këtij libri përkoi me situatën pas ngjarjeve të shtatorit 2001, sulmeve mbi Qendrën Botërore të Tregtisë në qytetin e Nju Jorkut. Që atëherë ngjarje të tilla si pushtimi i Irakut, sulmet me bomba në Londër, Rusi dhe Spanjë dhe një përkeqësim i konfliktit në Lindjen e Mesme, e kanë fokusuar më shumë vëmendjen tonë në konfliktet ndëretnike dhe ndërfetare në botë. Katastrofa natyrore si ajo e Cunamit në Indonezi dhe uraganet Katrina e Rita, që goditën Bregun e Gjirit, kanë treguar kujdesin e jashtëzakonshëm dhe keqardhjen e shprehur përmes ndarjeve ndërkulturore dhe ndërkombëtare, por gjithashtu kanë vënë në dukje pabarazitë e mëdha sociale të thelluara nga këto tragjedi. Për më tepër, përdorimi më i gjerë i teknologjive të reja, si interneti dhe telefonat celularë, kanë bërë që ndërveprimet ndërkulturore, të cilat dikur mund të na ishin dukur të largëta, ose sipërfaqësore në jetët tona, të jenë tashmë shumë më të prekshme dhe të theksojnë ndërlidhjen në rritje të kombeve në një ekonomi globale, duke treguar që jeta dhe puna jonë varen gjithnjë e më shumë nga aftësitë e komunikimit ndërkulturor. Si mund të përdorim aftësitë e komunikimit ndërkulturor për të na ndihmuar të pasurojmë jetët tona dhe jetët e atyre që na rrethojnë? A mund të promovojnë studiuesit e komunikimit ndërkulturor një botë më të mirë për të gjithë ne? A janë aftësitë e përgjithshme të komunikimit ndërkulturor të përdorshme në një larmi kontekstesh kulturore? A ka informacion specifik kulturor, që mund të na ndihmojë të bëhemi komunikues ndërkulturorë më të mirë? A ka një mënyrë për të shfrytëzuar informacionin në internet, i cili mund të na japë udhëzime të vlefshme për komunikimin ndërkulturor? E kemi shkruar këtë libër për të trajtuar pyetje dhe çështje të tilla. Ashtu si dhe në libra të tjerë, jemi përpjekur të përdorim të dhëna nga një sërë qasjesh në fushën e komunikimit ndërkulturor, duke u tërhequr nga qasjet tradicionale sociale, psikologjike, si dhe nga studimet etnografike dhe studimet bashkëkohore të kritikës së mediave. Megjithatë, theksi në këtë libër është mbi natyrën praktike dhe eksperimentale të komunikimit ndërkulturor. Ne përpiqemi të ofrojmë udhëzime të qëndrueshme dhe praktike, ndërsa vëmë re shtresat e kompleksitetit në komunikimin përtej kufijve kulturorë.

TIPARET E LIBRIT

Ky libër trajton çështjet dhe problemet kryesore të komunikimit ndërkulturor, duke paraqitur një grup aftësish të përgjithshme në kapitullin 1 dhe, duke theksuar konceptet dhe aftësitë për të komunikuar ndërkulturalisht, përgjatë gjithë tekstit. Ky tekst: - Përfshin një trajtim të ekuilibruar të aftësive dhe teorisë. Përqendrimi i aftësive bazohet në prezantimin e aspekteve konceptuale të kulturës dhe komunikimit. Çdo kapitull ka një seksion të quajtur “Ndërtimi i aftësive ndërkulturore”, i cili jep udhëzime për përmirësimin e aftësive të komunikimit ndërkulturor të studentëve. - Paraqet një strukturë për të kuptuar komunikimin ndërkulturor, duke u fokusuar në katër elementë (kultura, komunikimi, konteksti dhe pushteti) dhe katër barriera (etnocentrizmi, stereotipizimi, paragjykimi dhe diskriminimi). - Fokusohet në përvoja personale, duke përfshirë rrëfime të studentëve dhe përvoja personale të autorit përgjatë tekstit. - Paraqet materiale në një mënyrë të kuptueshme për studentët. Këtu përfshihen katër tipe informacioni studimor dhe copëza argëtuese të ofruara për interesin e studentëve.

TË REJAT NË BOTIMIN E TRETË

Ky botim përfshin materiale të rifreskuara, që trajtojnë sfidat e kohëve të fundit të komunikimit ndërkulturor, duke përfshirë konfliktet e zgjeruara fetare në mbarë botën, çështje të globalizimit dhe emigrimit, sfidat e teknologjisë dhe problemet që lindin për studentët, që merren me çështjet ndërkulturore. Për shembull, në kapitullin 8, ne përfshijmë materiale të reja mbi mënyrën se si dallimet fetare mund të jenë burime të konfliktit ndërkulturor. Ne, gjithashtu, përshkruajmë mënyrën se si institucionet fetare, si kishat dhe sinagogat, mund të lehtësojnë apo frenojnë zgjidhjet e konfliktit. Në mënyrë të ngjashme, në kapitullin 9 zbulojmë mënyrën se si këto institucione mund të mbështesin apo frenojnë marrëdhëniet ndërkulturore. Ne, gjithashtu, pranojmë rëndësinë e vazhdueshme të emigrimit global në kontekstet ndërkulturore. Për shembull, në kapitullin 1 diskutohen ndikimet e protestave të kohëve të fundit të “Ditës pa emigrantë” dhe debatet e vazhdueshme midis grupeve të ndryshme etnike, raciale dhe social-ekonomike, në lidhje me politikat amerikane të emigrimit. Kapitulli 3 tregon historinë e Australisë që hedh bazat për kuptimin e konflikteve ndërkulturore, që do të lindin, të cilat diskutohen më pas në kapitullin 8 mbi çështjen se cili është “australian”. Kapitulli 4 trajton çështje të identitetit të “emigrantëve të bardhë” në SHBA dhe kapitulli 8 përfshin një diskutim të konfliktit midis “australianëve të bardhë” dhe emigrantëve myslimanë. Kapitulli 12 përfshin një diskutim të ri mbi sfidat e shkollimit të emigrantëve dhe kapitulli 13 shqyrton ndikimet e barrierave të gjuhës në shërbimet shëndetësore në kontekstet ndërkulturore. Për të vazhduar njohjen e rolit në rritje, që teknologjia luan në komunikimin ndërkulturor dhe njerëzor, ne kemi aktualizuar diskutimin tonë dhe statistikat mbi “ndarjen dixhitale” në kapitullin 1. Në kapitullin 9, ne zgjerojmë diskutimin tonë për rolin e kulturës dhe komunikimit të ndërmjetësuar nga përdorimi i kompjuterit në një formë të re, që i drejtohet grupeve të punës ndërkulturore online dhe marrëdhënieve ndërkulturore online në pjesën “Shoqëria dhe komunikimi ndërkulturor”. Gjithashtu, kemi përforcuar diskutimin tonë mbi mënyrën se si paragjykimi dhe diskriminimi veprojnë në bisedat tona të përditshme; në kapitullin 2 diskutojmë problemet për përpjekjet e luftës ndaj racizmit në pjesën “Paragjykimi”. Në kapitullin 6, në pjesën “Variant kulturor apo stereotip?”, identifikojmë sjellje të veçanta joverbale, që komunikojnë përjashtim apo edhe paragjykim. Në kapitullin 11, analizojmë se si paragjykimi dhe diskriminimi mund të shprehen në kontekstet e biznesit: të bazuara në emra, ngjyrën e lëkurës apo stilin e komunikimit.

NJË VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM MBI LIBRIN

Kapitulli 1 fokusohet në dinamikat në ndryshim të jetës shoqërore dhe kushtet globale, që ofrojnë një arsyetim për studimin e komunikimit ndërkulturor. Në këtë botim, zgjerojmë diskutimin tonë mbi përgjegjësitë etike, që lindin bashkë me njohuritë ndërkulturore dhe sugjerojmë që të mësuarit ndërkulturor nuk është thjesht transformues për individin, por duhet të jetë një përfitim edhe më i gjërë, për shoqërinë dhe grupe të tjera kulturore, në botën tonë gjithnjë e më të ndërvarur nga ndryshimet kulturore.

Kapitulli 2 paraqet një strukturë të ndërtimit të librit dhe identifikon katër elementë për komunikimin ndërkulturor: kultura, komunikimi, konteksti dhe pushteti. Në këtë botim, ne e shtrijmë përkufizimin tonë për kulturën në përfshirjen e aspektit emocional të kulturës, ose “ndjenjës” . Kapitulli, gjithashtu, trajton katër barrierat e sjelljes dhe qëndrimit ndaj komunikimit ndërkulturor efikas: etnocentrizmi, steriotipizimi, paragjykimi dhe diskriminimi. Në këtë botim përshkruajmë se si paragjykimi dhe diskriminimi mund të kenë luajtur rol në ngjarjet që shoqëruan uraganin Katrina në vitin 2005.

Kapitulli 3 ndihmon studentët që të kuptojnë rëndësinë e historisë së çështjeve bashkëkohore të komunikimit ndërkulturor. Ky botim përfshin një diskutim të zgjeruar mbi mënyrën se si historitë postkoloniale gërshetohen me praktikat e sotme nënkontraktuese dhe bizneset globale.

Kapitulli 4 diskuton çështje të identitetit dhe komunikimit ndërkulturor. Në këtë kapitull, ne i referohemi disa formave të identitetit, si: gjinia, mosha, raca dhe etniciteti, aftësia fizike, feja, klasa, identiteti kombëtar dhe rajonal. Këtu gjithashtu diskutojmë çështje të identitetit multikulturor (dhe njerëzve që jetojnë në kufij) po kaq sa dhe çështje ndërkufitare, shokut kulturor dhe përshtatjes. Ky botim përfshin pjesën me të madhe të mendimit bashkëkohor rreth identitetit “të bardhë” dhe identitetit multikulturor.

Kapitulli 5 trajton aspekte verbale të komunikimit ndërkulturor, duke përshkruar komponentët e gjuhës dhe variantet kulturore në gjuhë si dhe stilin e komunikimit, qëndrimet ndaj të folurit, qëndrimet ndaj shkrimit e heshtjes dhe çështje të pushtetit dhe gjuhës. Kapitulli paraqet gjithashtu disa modele efikase në komunikimin ndërkulturor. Ky botim, përfshin një pjesë të re mbi ndërgjuhën dhe rolin e saj në komunikimin ndërkulturor, kur folësit vendas të një gjuhe flasin një gjuhë tjetër, duke kombinuar elementë të të dyja gjuhëve.

Kapitulli 6 fokusohet në rolin e sjelljes joverbale në ndërveprimin ndërkulturor, duke përshkruar aspekte universale dhe kulturalisht-specifike të komunikimit joverbal dhe si sjellja joverbale mund të krijojë bazën për stereotipizimin dhe paragjykimin. Ky kapitull paraqet gjithashtu hapësirën kulturore dhe dinamikën e saj, natyrën në ndryshim dhe diskutimin e hapësirës virtuale dhe hapësirës kulturore. Ky botim përfshin të dhëna të reja mbi sjelljet e veçanta joverbale të cilat komunikojnë përjashtim dhe paragjykim.

Kapitulli 7 flet për kulturën popullore dhe komunikimin ndërkulturor, duke përkufizuar kulturën popullore dhe duke diskutuar mënyrat me të cilat kultura popullore formon imazhet tona të grupeve kulturore dhe rrugët përmes të cilave mund të konsumojmë (apo rezistojmë) ndaj produkteve të kulturës popullore. Ky botim përfshin të dhëna të reja mbi çështje të kohëve të fundit lidhur me kulturën popullore, duke përfshirë kundërshti të vazhdueshme mbi logot e skuadrave sportive dhe se si media popullore mund të shërbejë si forum publik për dialogun dhe debatin.

Kapitulli 8 diskuton rolin e kulturës dhe konfliktit. Kapitulli identifikon tipare të konfliktit ndërkulturor, përshkruan mënyrën se si aspektet personale dhe sociale/politike të konfliktit dhe si menaxhimi i konfliktit, ndryshojnë nga një kulturë në tjetrën. Ky botim përfshin një pjesë të re për mënyrën se si dallimet fetare janë burime të konfliktit ndërkulturor dhe një diskutim të ri të shprehjeve të konfliktit global, si për shembull antiamerikanizmi.

Kapitulli 9 fokusohet në marrëdhëniet ndërkulturore në jetën e përditshme. Ai identifikon sfidat dhe përfitimet e marrëdhënieve ndërkulturore, shqyrton mënyrën se si marrëdhëniet mund të ndryshojnë përmes kulturave dhe zbulon tipe të ndryshme lidhjesh: miqësie, homoseksuale, lidhjet martesore dhe dashurore. Në këtë botim ne vazhdojmë të shqyrtojmë marrëdhëniet ndërkulturore në internet, duke shtuar material të ri mbi marrëdhëniet ndërkulturore online në kontekstet e punës. Kapitujt 10-13 fokusohen në komunikimin ndërkulturor në kontekste specifike.

Kapitulli 10 trajton çështje të komunikimit ndërkulturor në industrinë e turizmit, duke analizuar mënyra të ndryshme në të cilat pritësi dhe turisti mund të ndërveprojnë, mënyrën se si norma të ndryshme kulturore mund të ndikojnë në takimet me turistët dhe çështjet e gjuhës dhe stilet e komunikimit, qëndrimet nganjëherë komplekse të pritësve ndaj turistëve. Në diskutimin tonë të kontekstit social dhe politik të turizmit, ne përfshijmë diskutimin e ndikimeve të terrorizmit, rreziqet për shëndetin (virusi i gripit të shpendëve) dhe fatkeqësitë natyrore (cunamet, uraganet) në rastet turistike.

Kapitulli 11 fokusohet në komunikimin ndërkulturor në kontekstet e biznesit dhe identifikon disa sfida ndërkulturore (vlerat në lidhje me punën, dallimet në stilin e menaxhimit, çështje të gjuhës dhe qëndrimin afirmues) si në kontekstet kombëtare dhe ato ndërkombëtare dhe kontekstet sociale e politike të biznesit. Ky botim përfshin një diskutim të zgjeruar mbi mënyrën se si marrëdhëniet e pushtetit ndikojnë në takimet ndërkulturore të biznesit, si në marrëdhëniet ndërpersonale, ashtu dhe në ndikimet më të zgjeruara sistemike.

Kapitulli 12 eksploron komunikimin ndërkulturor dhe arsimimin, duke diskutuar lloje të ndryshme të përvojave të shkollimit (si ato të studimit jashtë dhe ambientet kulturalishtspecifikë) dhe sfidat e komunikimit (si për shembull: rolet e ndryshme të mësuesve, studentëve, diplomimi dhe pushteti). Gjithashtu, këtu trajtohen probleme sociale dhe roli i kulturës në pranimet në universitet, kriteret mbështetëse dhe tekstet e standardizuara. Ky botim përfshin një diskutim të ri mbi sfidat e shkollimit të emigrantëve dhe polemikat ndërkombëtare, që lindin nga mënyra se si tekstet shkollore të përdorura në institucionet arsimore, në vende si Arabia Saudite dhe Japonia, krijojnë identitetet kombëtare në kontekstet ndërkombëtare.

Kapitulli 13 trajton komunikimin ndërkulturor dhe kujdesin ndaj shëndetit, duke u fokusuar në barrierat ndërkulturore për një shërbim shëndetësor efikas, trajtimin historik të grupeve kulturore dhe si kanë ndikuar dinamikat e pushtetit në komunikimin e strukturave të kujdesit shëndetësor. Ky botim përfshin një diskutim të rolit të fesë në dhënien e kujdesit shëndetësor dhe përfshirjen e saj në komunikimin ndërkulturor. Ky botim përfshin një diskutim të ri mbi barrierat gjuhësore ndaj shërbimeve shëndetësore në kontekstet ndërkulturore, si dhe studime bashkëkohore të komunikimit mbi rolin e komuniteteve në ndihmën për një kujdes shëndetësor më të mirë dhe të sigurt për anëtarët e tyre.

Rreth autorëve

Judith Martin u rrit në komunitetet Menonite, kryesisht në Deluer dhe Pensilvani. Ajo ka studiuar në Universitetin e Grenoble-s në Francë dhe ka dhënë mësim në Algjeri. Ka marrë gradën doktore e shkencave nga Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë. Nga pikëpamja e formimit profesional dhe trajnimit, ajo është një shkencëtare sociale, e cila është fokusuar në komunikimin ndërkulturor në nivel ndërpersonal dhe ka studiuar mënyrën se si ndikohet komunikimi i njerëzve, kur ata lëvizin, ose qëndrojnë përkohësisht midis hapësirave ndërkombëtare. Ajo ka dhënë mësim në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut në Osuego, Universitetin e Minesotës, Universitetin e Nju Meksikos dhe në Universitetin Shtetëror të Arizonës. Asaj i pëlqen kopshtaria, leximi i librave me subjekt vrasjesh misterioze, udhëtimet dhe shëtitjet me familjen e saj të madhe dhe nuk lë jashtë vëmendjes edhe dimrat e egër të perëndimit të mesëm të SHBA-së.

Tom Nakayama u rrit kryesisht në Xhorxhia, në një kohë, kur prania e amerikanoaziatikëve, ishte shumë më sipërfaqësore nga ç’është aktualisht. Ai ka studiuar në Universitetin e Parisit dhe universitete të ndryshme në SHBA. Ka marrë gradën doktor i shkencave nga Universiteti i Ioëa-s. Nga pikëpamja e formimit profesional dhe trajnimit, ai është retoricien kritik, i cili e analizon komunikimin ndërkulturor në një kontekst shoqëror. Ai ka dhënë mësim në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë në San Bernardino, Universitetin Shtetëror të Arizonës, Universitetin e Ioëa-s dhe Universitetin e Mons- Hainaut. Ai ka qenë i ftuar si lektor në shumë institucione, duke përfshirë edhe Universitetin e Maine-it, Centre Universitaire (Luksemburg), Universitetin e Kalifornisë së Jugut, Universitetin e Xhorxhias dhe Centre National de la Recherche Scientifique (Paris). Ai shikon TV (veçanërisht ndeshjet e bejsbollit) dhe merret me peshëngritje. Tashmë që jeton në Perëndim, atë e merr malli për pranverën e Jugut. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH