Editorial

Si Rusia dhe Kina do përfitojnë nga tërheqja e SHBA-së nga Afganistani

Shkruar nga Liberale
Si Rusia dhe Kina do përfitojnë nga tërheqja e SHBA-së nga

John Bolton

Tërheqja e Amerikës nga Afganistani po përfundon në një mënyrë tragjike, dhe kjo do të sjellë pasoja strategjike gjithëpërfshirëse. Një gjykim tejet i gabuar nën moton e “dhënies fund të luftërave të pafundme”, ishte se tërheqja preku vetëm Afganistanin.

Përkundrazi, largimi nga ai vend shënon fillimin e një ç’organizimi të madh strategjik të Shteteve të Bashkuara dhe kjo është për të ardhur keq. Kina dhe Rusia, kundërshtarët tanë kryesorë globalë, po synojnë tashmë që të përfitojnë nga ky zhvillim.

Ata dhe shumë të tjerë e gjykojnë braktisjen e Afganistanit, jo thjesht nga pasojat e tij të drejtpërdrejta sa i përket kërcënimeve terroriste globale, por edhe domethënien që ka për objektivat, aftësitë dhe praninë e Shteteve të Bashkuara në mbarë botën.

Në planin afatshkurtër, duke synuar t’i kundërpërgjigjet kërcënimeve dhe mundësive që vijnë nga Afganistani, Kina do të tentojë të rrisë ndikimin e saj tashmë të konsiderueshëm në Pakistan. Rusia do të bëjë të njëjtën gjë në ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore, dhe që të dyja vendet do të zgjerojnë nismat e tyre në Lindjen e Mesme, shumë shpesh së bashku me Iranin.

Ka pak dëshmi se Shtëpia e Bardhë është e gatshme të reagojë ndaj ndonjërit prej këtyre kërcënimeve. Në planin afatgjatë, Pekini dhe Moska, do të bëjnë një ndarje të natyrshme të punëve me synimin e tyre për të kërcënuar Amerikën dhe aleatët e saj, në 3 skena të veçanta.

Kina do të angazhohet në harkun e gjatë të periferisë së saj nga Japonia në të gjithë Azinë Juglindore deri në Indi dhe Pakistan; Rusia në Evropën Lindore dhe Qendrore; teksa do të jetë një aleancë ruso-iraniano-kineze në Lindjen e Mesme.

Strategët e SHBA-së duhet të marrin parasysh shumë kërcënime që dalin njëkohësisht në këto dhe zona të tjera të globit. Kjo nënvizon edhe njëherë se sa nën presion janë aftësitë tona mbrojtëse për të mbrojtur interesat tona të largëta, sidomos duke pasur parasysh kërkesat e papara të shpenzimeve të brendshme që po kryen aktualisht presidenti Joe Biden.

Prandaj, detyra më e rëndësishme e Uashingtonit, është për momentin të sigurojë një rritje të konsiderueshme të buxheteve të mbrojtjes në të gjithë spektrin e kërcënimit, nga terrorizmi tek lufta kibernetike. Vetëm diplomacia nuk e zëvendëson dot atë angazhim të gjithanshëm.

Xi Jinping nuk do të impresionohet aspak nga pohimi i Joe Biden se Amerika duhet t’i japë fund angazhimit ushtarak në Afganistan, për t’iu kundërvënë Kinës në një mënyrë më efektive. Përkundrazi, me këtë lëvizje Pekini ka mundësi të reja përpara:shtimin e interesave të tij në Afganistan dhe Pakistan; mbrojtjen kundër përhapjes së terrorizmit islamik në Kinë; dhe përpjekjet në rritje për të vendosur hegjemoninë përgjatë periferisë së saj, sidomos në lidhje me Tajvanin, Detin e Kinës Jugore dhe Indinë.

Këto nisma i përshtaten në mënyrë të përsosur kërcënimit ekzistencial që paraqet Pekini për Perëndimin. Ndërkohë,Uashingtoni po humb kohë me manovra taktike, dhe po reagon  përmes përgjigjeve improvizuese ndaj dredhive të veçanta kineze.

Afganistani është shtysa urgjente për të vënë në zbatim të menduarit tonë më të thellë konceptual dhe strategjik. Në këtë mënyrë, ne mund të kemi menjëherë disa avantazhe. Për shembull,duke eleminuar paqartësinë në lidhje me angazhimin tonë në mbrojtjen e Tajvanit, ne duhet të vendosim atje trupa ushtarake.

Po ashtu,ne kemi nevojë për një shtim buxhetit në mbrojtje, për të shtuar praninë tonë detare në detet e Kinës Lindore dhe Jugore, duke krijuar kështu një parandalim dhe duke kundërshtuar me vendosmëri pretendimet kineze për sovranitet në këto dete.

Ndërkohë duhet të thello marrëdhëniet me Indinë, Vietnamin dhe të tjerët në fushën e mbrojtjes. Qëllimet e QUAD (India, Japonia, Australia dhe SHBA) duhet të zgjerohen ndjeshëm për të përfshirë edhe çështjet e mbrojtjes kolektive, dhe vetë kjo aleancë duhet të ketë prioritet zgjerimin.

Gjithashtu,ne duhet ta detyrojmë gjithnjë e më shumë Kinën të japë llogari për politikën e saj të rrezikshme të përhapjes së raketave balistike dhe teknologjisë bërthamore, e ngjashme me Pakistanin dhe Korenë e Veriut. Presidenti rus Vladimir Putin padyshim që është inkurajuar kur pa një presidenti amerikan të lodhur në samitin e tyre të qershorit, duke kujtuar Khrushchev pas takimit me John F.Kennedy në vitin 1961.

Kapitullimet e mëvonshme të zotit Biden në lidhje me gazsjellësin “Nord Stream 2” dhe tani me Afganistanin, me siguri kanë shkaktuar të qeshura tek Putini. Ai do të veprojë në një mënyrë edhe më agresive në Azinë Qendrore për të penguar ringjalljen e çdo lloj terrorizmi islamik, por fokusi i tij afatgjatë mbeten fqinjët evropianë të Rusisë.

Zoti Putin sheh kaosin që ka përfshirë Evropën, e cila është e tmerruar nga ringjallja e konfliktit endemik, kryesisht sepse i druhet lëkundjes së Amerikës, madje edhe një tërheqje të fortë nga çështjet botërore.

Edhe pse presidentët Trump dhe Biden nuk përbëjnë një tendencë – i pari ishte një devijim; ky i fundit është thjesht një demokrat tipik – dështimi i Biden për t’i paralajmëruar aleatët e NATO-s për largimin nga Afganistani, i shkatërroi nivelet e dobësuara të besimit.

Tashmë do të kemi thirrje të pashmangshme për një rol më të madh politiko-ushtarak “evropian”. Bashkimi Evropian mund të mos jetë kurrë një lojtar gjeostrategjik global, pasi zakonisht përdor më shumë retorikë sesa burime.

Në vend se ta fajësojë Uashingtonin se është shumë ndërhyrës, dhe më pas pse nuk është shumë ndërhyrës, Evropa duhet të vendosë nëse e vlerëson seriozisht vetëmbrojtjen kolektive në NATO. Kur Gjermania dhe të tjerët të përmbushin detyrimet e tyre në fushën e mbrojtjes, atëherë do të kenë rëndësi edhe mendimet e tyre.

Ndërkaq,SHBA-ja duhet të punojë me koalicionet nën ombrellën e NATO-s, kryesisht me evropianët e Evropës Qendrore dhe Lindore, për të kundërshtuar instinktet perandorake të Vladimir Putinit. Prania e forcave tona në Evropë, mund të rregullohet në përputhje me rrethanat.

Në Lindjen e Mesme, Irani është furnizuesi kryesor me naftë i Kinës dhe partneri i Rusisë në forcimin e Bashar Al-Assadit në Siri. Për Pekinin dhe Moskën, Teherani është një partner me vlerë për operacionet destabilizuese,dhe një vegël për të zgjeruar ndikimin e tyre në të gjithë rajonin, e dëshmuar kjo së fundmi nga marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe Arabisë Saudite.

Riadi është duke u mbrojtur ndaj gjasave të një distancimi me SHBA-në, dhe të një përafrimi të mundshëm të Uashingtonit me Teheranin në stilin e Obamës dikur. Arabët e Gjirit Persik kanë frikë se tërheqja e Amerikës nga Afganistani mund të pasohet nga e njëjta gjë në Irak, apo edhe nga bazat kryesore ajrore dhe detare amerikane në vendet e tyre.

E kush nuk do t’i mbrojë pastaj ata? Uashingtoni nuk duhet t’i ribashkohet marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin. Dhe kjo gjë është e lehtë, edhe pse administrata Biden nuk e kupton ende këtë. Thelbi ka të bëjë me njohjen e realitetit:objektivat e Iranit janë rrënjësisht të kundërta me ato të Amerikës, Izraelit dhe shumicës së botës arabe.

Vetëm ndryshimi i qeverisë në Teheran,mund të sjellë një shans për të reduktuar kërcënimet në të gjithë rajonin, çka është gjëja e fundit që duan Kina dhe Rusia. Mjerisht, për ata që besojnë se tërheqja nga Afganistani ishte një vendim me pasoja të kufizuara, bota është shumë më e komplikuar. Rezultatet janë që tani shumë negative, dhe Kina dhe Rusia kanë investuar për t’i bërë ato edhe më negative në dëmin tonë.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH