Aktualitet

Si mund ta ndalin mandatin e tretë të Kryeministrit Edi Rama!

Shkruar nga Liberale
Si mund ta ndalin mandatin e tretë të Kryeministrit Edi Rama!

Alfred Peza

Nuk është folur kurrë kaq shumë përgjatë mandatit të dytë të një qeverie, në këto 23 vitet e fundit, sesa për mandatin e tretë të Kryeministrit Edi Rama. Nga 1997 e deri sot, mazhorancat kanë qenë 8 vjeçare, me nga dy mandate secila. As në 2005, kur mbaroi mandatin e dytë PS dhe as në 2013 kur e mbaroi mandatin e dytë PD, nuk është folur sa tani, për mandatet e treta të Nanos apo Berishës.

Kjo tregon se, kurrë nuk kemi qenë më pranë kësaj mundësie sa tani, në epokën post komuniste.

E para, kjo gjë përflitet kaq shumë, sepse duket që ka një propabilitet të lartë që të ndodhë. Dhe kjo ndihet jo vetëm thjeshtë brenda gardhit të mazhorancës, por edhe brenda vetë opozitës. Ndaj, edhe është një opsion që ka fituar kaq shumë qytetari.

E dyta, tradita e fitores së tre, katër e ndoshta ndonjëherë edhe më shumë mandateve qeverisëse radhazi, është një praktikë normale e historisë së demokracive perendimore. Por jo e demokracive funksionale të ish lindjes komuniste. Aq më pak të Ballkanit dhe Shqipërisë. Me përjashtim të periudhave autoritariste të fqinjëve, cilat më pas përfunduan si mos më keq, për pushtetmbajtësit.

Kjo e bën akoma edhe më interesante, diskutimin e kësaj teme në Shqipëri, duke i dhënë zë një debati që do vijë me siguri duke u rritur përgjatë këtij viti kalendarik, derisa të shkojmë në zgjedhjet e reja në 2021. Sepse mundësia është aq e madhe, sa i jep jehonë reale, këtij diskutimi.

Pyetja që lind shpesh është se çfarë duhet dhe çfarë mund të bëjë opozita shqiptare, për ta ndalur këtë? Çfarë e bën kaq të dobët të djathtën shqiptare, partitë brenda dhe rreth “Opozitës së Bashkuar”, që ky diskutim të arrijë në këtë pikë? Dhe si mund tia dalin ato, për ta ndryshuar këtë realitet, derisa të mund ti rikthejnë vetes shanset, që të vijojë tradita e krijuar e qeverisjeve me dy mandate në Shqipëri?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve, duken aq të thjeshta teorikisht, sa çjanë të vështira praktikisht. Gjithkush që është sot i pakënaqur me PD, e kërkon pikësëpari përgjegjësinë për mungesën e një fryme pozitive në favor të rikthimit të opozitës në pushtet, tek pyetja më naive: Kush është Kryetari i opozitës shqiptare?

Për disa, kryetari real i opozitës shqiptare është Sali Berisha. Dhe me të drejtë. Sepse gjithkush e di se Lulzim Basha është thjeshtë kryetari “de jure” i PD, e për rrjedhojë ai nuk mund të jetë, kryetari “de facto” i gjithë opozitës. Kur Sali Berisha në 2015 i humbi zgjedhjet përballë Edi Ramës dhe PS, tha se do të tërhiqej, nga jeta aktive politike. Por të gjithë e dimë, se ai është sot, po aq aktiv sa atëherë. Në mos më tepër në raste të veçanta. Madje, ai ka deklaruar pak kohë më parë, se nuk do të iki asnjëherë, nga politika aktive e vendit.

Pa zgjidhur këtë dilemë, opozita e ka të vështirë të zgjidhë dilemën e mandatit të tretë të Edi Ramës.

Pyetja tjetër, lidhet me të nesërmen: Mirë lideri i sotëm është Sali Berisha, po lideri i së ardhmes brenda kampit të opozitës, kusht është: Lulzim Basha apo Ilir Meta? Ndryshe nga pyetja e parë, këtu ekuacioni nis e komplikohet, sepse nëse të gjithë për të parën të përgjigjen Sali Berisha, për këtë pyetjen e dytë disa të thonë Lulzim Basha, e disa të tjerë të thonë me plot të drejtë: Ilir Meta!

Pa u zgjidhur edhe kjo dilemë, bëhet më e vështirë, përgjigja e shumë dilemave të tjera më të vogla.

Fakt është se ka një mundësi teorike, për ta penguar PS dhe Edi Ramën, që ta fitojnë mandatin e tretë. E ajo kalon përmes krijimit të një fryme të madhe ndryshimi, një programi realist e krijimit të një koalicioni që përfshin të gjitha forcat politike të tjera, aktorë dhe faktorët që do të bënin diferencën. Po kush është i sigurtë sot, se LSI nesër nuk do ta bëjë koalicionin zgjedhor me Ilir Metën dhe partinë e tij të re, por me Lulzim Bashën dhe PD? Pa llogaritur pas kësaj, plot dilema të tjera.

Ndaj pa i dhënë përgjigje bindëse që tani këtyre pyetjeve kaq të thjeshta sot, vështirë se opozita do ia dali që të zgjidhi dilemën e madhe të fitores së mandatit të tretë të Kryeministrit Edi Rama, nesër!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH