Analizë

Si mund ta frenojë demokracia liberale rritjen e ekstremit të djathtë

Shkruar nga Liberale
Si mund ta frenojë demokracia liberale rritjen e ekstremit të

Nga Aranit Muraçi

Rizgjedhja e Emmanuel Macron si president i Francës, ashtu siç ndodhi më herët me zgjedhjet presidenciale në SHBA, në fakt ishin një referendum botëror mbi demokracinë liberale.

Sado e mirë që të jetë kur forcat demokratike fitojnë zgjedhjet, megjithatë, nuk duhet të funksionojë kështu demokracia. Votuesit duhet zgjedhin midis kandidatëve ose partive, që i pranojnë dhe i respektojnë rregullat e lojës. Ata nuk duhet votojnë për dikë që nuk e pëlqejnë, vetëm e vetëm për të shmangur zgjedhjen e një force ekstremiste. Në vend të plebishiteve për demokracinë, duhet të ketë zgjedhje demokratike, që  demokracia të funksionojë.

Për një dekadë kemi parë kudo forca ekstremiste, kryesisht nga e djathta politike, duke u rritur, ose duke hedhur rrënjë, dhe duke i kthyer zgjedhjet në mbarë botën, në plebishite për demokracinë. Deri tani siç duket askush nuk ka gjetur dot një recetë bindëse për t'i ndalur.

Kush e ka fajin?

Të majtët për ekstremizmin akuzojnë 'neo-liberalizmin', por çështje të tilla nuk duhen trajtuar me kaq lehtësi. Elektorati i partive të ekstremit të djathtë përfshin shumë më tepër votues sesa ata që ndjehen të humbur ose të dështuar ekonomikisht. E megjithatë, ekonomia duhet pranuar se ka luajtur historikisht një rol të rëndësishëm në reagimin e votuesit.

E djathta fajëson 'elitat liberale' që kanë humbur kontaktet me 'njerëzit e zakonshëm', veçanërisht mbi çështjet kulturore. Përzierja e arsyeve ndryshon nga njëri vendi në tjetrin, ndërsa paqartësitë ose shpjegimet e thjeshta nuk ndihmojnë publikun e gjerë të kuptojë se çfarë nuk funksionon kur ka rritje të ekstremizmit politik. Për këtë arsye shumë njerëz nuk e dallojnë 'populizmin' nga demokracia. Fatkeqësisht, kjo ka sjellë reagime të dobëta të demokracisë ndaj ekstremizmit.

Pse?

Sepse nuk dallohet vija ndarëse që duhet të jetë më e rëndësishmja, në një demokraci. Ajo që ndan partitë ose politikanët të cilët janë kundër demokracisë, me ata që punojnë brenda rregullave të lojës. Është i freskët 'kamxhiku amerikan' pas braktisjes së zgjedhjeve lokale nga opozita në Shqipëri, protestat e dhunshme dhe retorika e përdorur për të prishur procesin zgjedhor deri tek identifikimi i pjesës më radikale të saj, si dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, për të shpëtuar të djathtën liberale dhe demokracinë prej populizmit. Mjetet e shumta kundër 'populizmit' megjithatë nuk funksionojnë, ngaqë diagnoza nuk përshkruhet qartë në Perëndim dhe nuk është identifikuar aq sa duhet në Shqipëri.

Shumë liberalë që kundërshtojnë 'të djathtën' e bëjnë ndoshta me qëllim edhe më të padukshme vijën ndarëse ndërmjet të djathtës dhe të djathtës ekstreme. Kjo mungesë qartësie është e përfshirë në shumë përkufizime rreth populizmit, edhe në literaturën mbi "demokracinë joliberale" . Për shembull, studiuesi Cas Mudde thotë se populistët zakonisht pretendojnë se përfaqësojnë 'popullin', ndërsa nga ana tjetër dalin kundër një elite, që kontrollon pushtetet.

Të pretendosh se vetëm një parti përfaqëson popullin është një qëndrim ekstremist, antidemokratik. Nëse pretendon se vetëm lideri përfaqëson popullin është akoma më keq. Një lloj i tillë pretendimi, mbi këtë aspekt, nuk bën asgjë veçse refuzon pluralizmin. Me kësisoj qëndrimesh ata politikanë të cilët përfaqësojnë rryma të tilla politike ecin me besimin e gabuar se disa votues janë më të rëndësishëm se të tjerët dhe se rezultatet e zgjedhjeve nuk tregojnë të vërtetën, kur ata nuk arrijnë rezultatin që dëshirojnë.

I tillë është presidenti hungarez, Viktor Orbán, i cili me gojën e tij tha qartë disa kohë më parë se, "mund të ndodhë që partitë tona dhe përfaqësuesit tanë të jenë pakicë në Kuvend, por ne nuk mund të jemi në opozitë, sepse atdheu nuk mund të jetë në opozitë".

Ana tjetër e përkufizimit – të qenit kundër elitave – nuk është problem. Demokracia nuk është një sistem që mbron ndonjë pjesë të privilegjuar dhe del kundër shtresave të tjera të popullsisë. Prandaj, shumë parti të majta kërkojnë vazhdimisht ndryshimin e elitave dhe një përfaqësim sa më të mirë të pakicave. Edhe suksesi i Emmanuel Macron ishte i bazuar në idenë e zëvendësimit të partive politike tradicionale.

Fatkeqësisht, përshkrimi i paqartë i problemit është i dobishëm për të gjitha palët: partitë në anën e majtë, ose ato liberale në të djathtë, mund të përshkruajnë çdo opinion konservator si 'populist' ose ekstremist. Si në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve, ashtu edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze, kandidatët thanë: Zgjidhni mes meje dhe djallit!

Por ekstremistët e së djathtës mund të përdoren nga e majta për interesat e saj. Pjesa radikale e së djathtës franceze filloi të zgjohej në vitet 1980 falë një lëvizjeje makiaveliste nga presidenti i atëhershëm Francois Mitterrand, i Partisë Socialiste. Ai ndryshoi sistemin zgjedhor në mënyrë që e djathta ekstreme të fitonte disa vende në parlament dhe kështu ndau dhe dobësoi të djathtën politike liberale. Diçka e ngjashme ndodhi me ndryshimet kushtetuese në Shqipëri, në vitin 2008, megjithëse rolet ishin të kundërta dhe përfitimet prej saj, e majta i mori pas ardhjes në pushtet.

Kjo është arsyeja që ndryshe nga Greqia dhe Bullgaria gjatë viteve të fundit ngritën në pushtet parti të sapokrijuara ose rigjeneruan alternativa të reja duke rrëzuar ato tradicionale. Kurse në Shqipëri sistemi elektoral dypolar u jep vlerë më tepër logove të dy partive kryesore sesa ideve, ndryshe nga ç’duhej të ndodhte normalisht. Kjo favorizon autoritarizmin çka shpjegon sherrin e madh dhe përçarjen aktuale të opozitës, pas përpjekjes së liderit historik të saj për t‘u rikthyer.

Është vetë demokracia përmes institucioneve që vihet në funksion kur kërcënohet nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, siç ndodhi me SHBA-të. Pas largimit të Trump SHBA duket se i ka shpallur luftë populizmit dhe ekstremizmit kudo në botë, duke shpallur të padëshiruar politikisht cilindo që nuk përfaqëson demokracinë. Vendet me demokraci të zhvilluar, të cilët nuk kanë nevojë për leksione demokracie nga Shqipëria, siç kemi vërejtur, e kanë të pamundur t'i japin qoftë edhe një shans të dytë ndonjë politikani të provuar prej tyre në pushtet.

Prandaj, për këtë arsye kemi sot një zgjim nga "konservatorët" shqiptarë, të cilët po përpiqen të sfidojnë demokracinë liberale, përmes teorive të konspiracionit që përhapin me shpresë, aktualisht për mbijetesë, dhe më tej nëse ia dalin, se do të mund të përmbushin misionin e tyre me sukses paralelisht me rikthimin e Trump, ndonëse nuk kanë arritur asnjë marrëveshje dhe nuk kanë siguruar asnjë mbështetje zyrtare nga Republikanët amerikanë.

Ka gjithandej parti të djathta që mendojnë se mund të përfitojnë nga rritja e ekstremizmit, edhe nëse ato mund të mos jenë vetë ekstremiste. A e dini se sa kohë iu desh Partive Popullore Evropiane, në Parlamentin Evropian, për të përjashtuar partinë hungareze Fidesz, udhëhequr nga presidenti i saj populist, i cili po i hap aq shumë punë Perëndimit, ngaqë PPE-ve i duheshin votat e tij që të fitonin sa më shumë terren përballë së majtës Europiane. Jo rastësisht kur radikalizmi i Gruevskit mori goditjen fatale prej Perëndimit, ky i fundit për t'i shpëtuar drejtësisë në vendin e tij, pasi triumfoi edhe me votë liberalizmi ndaj populizmit në vendin fqinj, gjeti strehë pikërisht te Victor Orban.

Valérie Pécresse, kandidatja e Partisë Republikane, e qendrës së djathtë, foli për “zëvendësimin e madh”, një mit konspirativ mbi migracionin, i përhapur nga e djathta ekstreme, i ngjashëm me mitin "George Soros" dhe "Yuri Kim" të përhapur si "armiq të demokracisë" në Shqipëri, edhe pse nuk njihen si të tillë në SHBA. Ndoshta Soros njihet si i tillë vetëm në Hungari, por jo ambasadori i SHBA-së atje.

I vetmi politikan që punon për 'zëvendësime të mëdha' në demokraci është Vladimir Putin, i pëlqyer nga e djathta ekstreme europiane, edhe pse prej politikave të tij pesë milionë ukrainas kanë ikur deri tani në BE për shkak të luftës. Prandaj edhe ata nuk janë të besueshëm për publikun e gjerë mbi çështjet si emigracioni dhe sovraniteti. Ndërsa Putin pretendon se po punon për Rusinë dhe është gati të ndryshojë sërish kushtetutën që të bëhet Cari i ri, me qëllim që të qëndrojë përjetësisht në pushtet. Modeli i tij fatkeqësisht pëlqehet ende nga ekstremistë në perëndim dhe ndiqet nga disa vende ish-aleate sovjetike, qoftë edhe nëse ndonjëra prej tyre mund të jetë anëtarësuar sot në BE.

Edhe mediat pëlqejnë gjithashtu t'i shoqërojnë me plot paqartësi raportimet rreth etiketës 'populizëm', megjithëse nuk u kërkohet që të gërmojnë shumë argumente, për ta quajtur një parti antidemokratike ose ekstremiste. Kryesisht, kudo në botë, u është lënë gjykatave dhe institucioneve të tjera ligjore për të kontrolluar kufirin midis ekstremistëve dhe forcave demokratike. Në Greqi, për shembull, "Agimi i Artë" u shpall organizatë politike e paligjshme, si një parti që vinte në rrezik funksionimin normal të demokracisë.

Lënia e hetimit të ekstremizmit tek disa gjyqtarë dhe ekspertë ligjorë është e pamjaftueshme. Demokracitë nuk mund ta fitojnë sfidën ndaj ekstremistëve pa një valë kritikësh nga politikanë, analistë, studiues dhe gazetarë të gatshëm të bëjnë dallimin midis ekstremizmit apo edhe pozicioneve të tjera të ngjashme politike, me të cilat ata nuk pajtohen.

Shoqërive të vendeve të BE-së u mungon rezistenca ndaj ekstremizmit politik, ngaqë nuk e parashtrojnë siç duhet problemin, kurse shoqëria jonë as që nuk e merr mundimin ta identifikojë atë. Nëse nuk ndryshojmë qasje, nuk do ta ndalojmë rritjen e ekstremizmit.

Nuk konsiderohet një detyrë e lehtë për të frenuar ekstremizmin ose radikalizmin në Europën e zhvilluar. Akoma më e vështirë kjo detyrë paraqitet për ato vende që e kanë përjetuar më parë totalitarizmin, ose nuk kanë arritur ende një nivel të pranueshëm të demokracisë. Ka shumë njerëz që, ose kanë përfituar, ose mendojnë se mund të përfitojnë prej 'pushtetit të popullit', në emër të demokracisë. Autokratët përmes populizmit shfrytëzojnë të gjitha mundësitë, duke përdorur çdo mjet, për të realizuar qëllimin e tyre. /Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH