Bota

Si kurrë më parë, fuqia e medias bashkoi një komb. Miliarda euro u mblodhën brenda natës në Turqi

Shkruar nga Liberale

Nga Luiza Pinderi

Më 17 shkurt të 2020-it dhjetëra shtete u bënë bashkë për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë së goditur nga tërmet i fuqishëm i 26 nëntorit të një viti më parë, që la pas 51 viktima, dhjetëra të plagosur dhe të pastrehë, me dëme të shumta materiale, efektet e të cilit ende nuk janë rikuperuar.

Konferenca “Bashkë për Shqipërinë” organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, mblodhi 1.15 miliardë euro grante, hua, e fonde për projekte zhvillimi nga rreth 100 vende që morën pjesë, për të shprehur solidaritetin ndaj vendit tonë, aspirantes së ethshme që ëndërron prej vitesh të jetë pjesë e tryezës evropaine. Nga një tragjedi shumëfish më e dhimbshme dhe më tragjike u godit të hënën e 6 shkurtit edhe Turqia, ndërsa dy tërmete të fuqishme 7.8 dhe 7.7 ballë të shkallës Rihter varrosën mijëra persona, plagosën dhe lanë në qiell të hapur miliona të tjerë.

Në ditën e 11 të tërmetit, të cilësuar si ‘fatkeqësia e shekullit’, numërohen zyrtarisht 36.187 të vdekur, 108.068 qytetarë të plagosur dhe qindra të tjerë të larguar nga 10 provincat e prekura. E ndërsa misionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, mes dhimbjes së pafundme për humbjet, dhe akuzave për abuzime me ndërtimet, populli turk po bën një përpjekje të paepur për të vazhduar përpara. Të bindur se shpëtimi dhe ringritja vjen nga brenda, nga vetja, ata dhanë një shembull bashkimi. Ishin pikërisht mediat që e morën përsipër këtë barrë dhimbjeje dhe mision shpëtimi.

Përgjatë historisë së saj media ka luajtur role të ndryshme, edukuese, informuese, propaganduese, argëtuese. Shpesh ka pasur fuqinë e zbulimit të skandaleve që kanë tronditur themele qeverish e kanë rrëzuar politikanë e biznesmenë. Në rastin e Turqisë, bëri diçka më shumë, bashkoi një komb. Mbrëmjen e së mërkurës, 213 kanale televizive kombëtare dhe ndërkombëtare dhe 562 radio nga Turqia, TRNC dhe Azerbajxhani, zhvilluan një transmetim maratonë të quajtur "Turqia një zemër" duke mbledhur brenda disa orësh 115 miliardë e 146 milionë e 528 mijë lira (rreth 5.75 miliardë euro, ndërsa numri i mesazheve (SMS) të dërguara arriti në 9 milionë e 10 mijë.

Fushata në ndihmë të të prekurve nga tërmeti ishte linçuar që më 12 shkurt nga Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit shtetëror, duke pasuar me një organizim gjigant që bëri bashkë figura të shquara të botës së artit, biznesit dhe sportit. Dhjetëra aktorë të njohur për publikun shqiptar, përmes serialeve që transpetohen në televizionet shqiptare, shfrytëzuan emrin dhe suksesin e tyre për një kauz më të madhe.

Emra të tillë si: Kıvanç Tatlıtuğ, Barış Arduç, Berk Oktay, Burak Özçivit, Alişan, Deniz Baysal, Hande Erçel, Engin Akyürek, Esra Erol, Afra Saraçoğlu, Burak Deniz, Alp Navruz, Aslı Enver, Merve Dizdar, Selahattin Paşalı, Özge Özpirinçci, Uğur Güneş, Murat Yıldırım, Mehmet Özgür, Birkan Sokullu, Cem İlkir, Eda Ece, Melisa Aslı Pamuk, Serdar Tuncer, Hüsnü Şençiler, İsmail Hacılülü, Sibelu Kaçilu, İsmail Hacıülüs, dhe bashkëshortja e tij. Can, Hasan Can Kaya, Yılmaz Erdoğan, Eser Yenenler, Aras Bulut İynemli, Demet Özdemir, Ezgi Mola, Halit Ergenç, shkuan në studio televizive dhe pritën telefonata donacionesh, si dhe transmetuan mesazhe të ndryshme të përcjella nga njerëzit. Të shumta ishin mesazhet, emocionet, por nuk munguan as lotët.

Erdogan: Shpresoj që të thyejmë rekordin e të gjitha kohërave

Mes dhjetëra personazheve që telefonuan, ishte edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili në lidhje të drejtpërdrejtë dha një mesazh bashkimi,si dhe premtoi se të gjitha paratë e mbledhura do të shkojnë në ndihmë të të prekurve.

"Çdo qindarkë që do të vijë në llogaritë e AFAD nga brenda dhe jashtë vendit, së bashku me ato që do të mblidhen në fushatë, do të përdoren për viktimat tona të tërmetit. Shpresojmë që sot kombi ynë të tregojë edhe një herë madhështinë e tij me një figurë që do të thyejë rekordin e të gjitha kohërave”. Të shumtë ishin politikanët që telefonuan për të dhuruar pagat e tyre. Por edhe politikanë jashtë vendit dhe përfaqësues te shteteve të ndryshme dhanë donacione të konsiderueshme, teksa kryeson dhurimet e bankave dhe bizneseve.

Shqipëria dhuron 1 milion euro

Mes politikanëve që telefonuan në fushatën më të madhe të organizuar ndonjëherë nga mediat, ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Mirënjohës për ndihmën e ofruar nga Turqia në vitin 2019, Rama tha se "kjo është gjithçka që mund të bëjmë deri tani".

“Faleminderit që më bëtë pjesë e këtij takimi. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar për këtë. Si zëri i Shqipërisë, dua t'ju them se jemi thellësisht të pikëlluar nga kjo ngjarje e tmerrshme. Të hënën Shqipëria shpalli zi kombëtare dhe flamuri ynë u ul në gjysmështizë. Ne bëmë thirrje për unitet dhe solidaritet në vendin tonë kundër kësaj tragjedie. Në të njëjtën kohë, dërguam ekipet tona të ndihmës dhe ushtarët për të ndihmuar sa të munden. Ne e dimë që jemi një vend i vogël, por kemi një zemër të madhe. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që Turqia dhe Presidenti Erdogan bëri për ne. Nuk e kemi harruar kurrë atë që keni bërë për ne në tërmetin e 2019 dhe jemi gati të bëjmë më të mirën për të mbështetur popullin turk. Do të doja të dhuroja 1 milion euro në emër të popullit shqiptar. E di që nuk është shumë, sigurisht e di që duhet shumë më tepër. Por kjo është gjithçka që mund të bëjmë tani, dhe gjëja e rëndësishme është që zemrat tona të jenë një”, ishin fjalët e tij./Liberale.al

Poll
SHQIPENGLISH