Editorial

Si është ideuar e strukturuar fushata mediatike e PS?

Shkruar nga Liberale
Si është ideuar e strukturuar fushata mediatike e PS?

Shpend Gashi

Politikën dhe median i karakterizon një marrëdhënie reciproke simbiotike edhe pse vlen të theksohet se shpesh herë klima e bashkëjetesës mes tyre shënon regres. Vitet e fundit publiku shqiptar ka qenë dëshmitar i dy fenomeneve kryesore, atij të agresionit qeveritar ndaj medias në tërësi si dhe dekadencës në raport cilësie të përçimit të mesazhit.

Tabloja kryesore deri para fillimit të fushatës ka qenë kjo: politika që censuron me çdo fuqi sulmet e adresuara drejt saj, ndërsa media shihet tek abuzon e shkel parimet bazë të gazetarisë siç për shembull vërtetimi i së paku nga 3 burime kryesore e të besueshme të një lajmi. Shumë spekulime, skenarë të parapërgatitura, çdo gjë në varësi të marrëdhënies që kanë eprorët me njëri tjetrin.

Kjo marrëdhënie ristrukturohet në mënyrë thuajse perfekte dhe me një shpejtësi që të lë mbresë, sidomos kur bëhet fjalë për periudhat elektorale.

Nevoja për reklama politike shihet si domosdoshmëri në sferën politike. Studiuesi E.J.Bolland në librin e vetë ‘’Reklamimi vs. Marrëdhënieve Publike’’ e përkufizon reklamën si shpalljen e mesazheve organizative në media kundrejt pagesës. Kësisoj reklama politike i referohet në mënyrë të drejtpërdrejtë blerjes dhe përdorimit të hapësirës reklamuese me qëllim transmetimin e mesazheve politike një audience akoma më të gjerë.

Pierre Martineau ka nxjerrë konkluzionin se reklama ka dy funksione kryesore. I pari është informimi ku supozohet të përfshijë adresimin për  zgjedhjen sa më racionale të votuesve, ndërsa funksioni i dytë është bindja.

Fushata elektorale 2021, si pasojë e karantinës dhe kufizimeve, shihet se është e bazuar më shumë se asnjëherë më parë tek fuqia e reklamës.

Partitë kryesore transmetohen kudo. Transmetohen në televizione, transmetohen në radio, rrjete sociale e në çdo kanal tjetër komunikimi.

Partia Socialiste nuk është e panjohur me këtë mënyrë kaq të freskët të të bërit fushatë në Shqipëri. Në çdo fushatë të veten jo vetëm që e ka përdorur multimedian si një partner kryesor strategjik, por njëkohësisht edhe gjatë 8 viteve në pushtet thuajse çdo eveniment sado i vogël të ishte do transmetohej me bujë. Duke pretenduar vetëm në informimin për punët që kryen qeveria, bëhen përpjekje që qytetarëve  t’u krijohet bindja se së paku po punohet ndryshe nga kohët e shkuara.

Në nivel P.R-i ( marrëdhënie me publikun) fushata e Partisë Socialiste gëzon një shkrirje konglomerate etapash. Edhe pse lufta kundër portaleve, gazetarëve, programeve ka qenë në nivel të përafërt me ‘’gjuetinë e shtrigave’’, fakti se ky krah politik e lideri i vetë, Rama, prodhojnë lajme pafund rrjedhimisht sjellin më shumë të ardhura, bën që të kapërcehet çdo përplasje e mëparshme apo edhe potenciale e mëvonshme.

Kryeministri duke qenë në dijeni të fuqisë së imazhit të tij, nuk ngutet të ndryshojë sjelljen, porse është po ashtu në dijeni se për aq kohë sa u prodhon para, situata është e stabilizuar.

Si është ideuar e strukturuar fushata mediatike e Partisë Socialiste?

Ajo çfarë vlen të theksohet për sa i përket strukturës dhe strategjisë së fushatës mediatike në kampin socialist është fakti se vështirë se mund të bëhet një dallim mes informimit dhe tentativës për të bindur elektoratin. Të dyja janë aq ngushtësisht të lidhura me njëra tjetrën sa të ndara veç e veç nuk do jepnin asnjëra efektin e duhur.

Si fillim, përdorimi i spoteve publicitare është një mënyrë për të qenë akoma më pranë afeksioneve të qytetarëve. Kjo nuk është një metodë e re, minutazhi i së cilës varion standard nga 30 sekondësh deri në 2 minutësh.

Shembja e Teatrit Kombëtar është akoma një plagë shumë e madhe, lëngata e së cilës e ka ndarë opinionin publik në dy qëndrime shumë të kundërta me njëra tjetrën. Artistët u klasifikuan në të majtë apo të djathtë, disa si rilindas apo si anti-establishment.

Si një ndodhi e freskët akoma në memorie, strategjia e ‘’përdorimit’’ të një prej korifejvë më të mëdhenj të aktrimit, Robert Ndrenikës, së paku e tëhuajëson Partinë Socialiste nga ai imazhi i përbindshëm i shkatërruesit të vlerave dhe artit. Njëkohësisht gjatë performancës së Ndrenikës jepen dy mesazhe shumë interesante: ai i ndërtimit të teatrit bazuar në projektin ekzistues, si dhe ekzistenca e një teatri të ri dhe bashkëkohor që pret artistët e vet.

Mesazhet janë shumë të qarta dhe përpiqen të nxjerrin të pavlefshme sulmet e opozitës referuar një aferë korruptive në dhënien e tokës së teatrit për ndërtim kullash, sikundër dhe teatri i ri që vërteton se qeveria nuk e urren kulturën por vetëm se e ngre nivelin drejt një përmirësimi konteporan.

Së dyti, imazhi dhe ngritja e tij janë substanciale për mbarëvajtjen dhe arritjen e objektivave finalë. Në këtë aspekt, PS-ja ka marrë fytyrën e kreut të vetë. Imazhi i tij do të thotë edhe partia vetë. Kjo strategji nuk ka filluar tani në kohë fushate, tani mund të jetë perfeksionuar, por që për ngritjen e imazhit të Ramës është punuar që në kohët kur ishte në opozitë. Qysh atëherë imazhi i tij ka pësuar vetëm rritje. Mjafton të kujtojmë se ka mbi 1 milionë e 300 mijë ndjekës në rrjetin social Facebook, miliona të tjerë në Instagram, ka në zotërim një media ERTV dhe që përdor çdo emision televiziv për të shprehur atë që do.

Madje edhe imazhin kundër e përdor në favor të vetin. Nuk ka reklamë të keqe apo të mirë, ka thjesht reklamë. Si duket Kryeministri e ka kuptuar.

Kjo fushatë e gjen Ramën, jo më si një politikan atipik jo konvencional, vetëm nga stili i veshjes është i njëjtë, por si një shtetar që është jetik në fatet e vendit dhe kombit.

Një shtetar i një kalibri të tillë, destin i të cilit është vetmia.

‘’Babai i Kombit’’ është miti apo simbolika që është hedhur në tregun politik.

Në përfundim, qëndrojnë reklamat negative të cilat i adresohen kampit kundërshtar. Për diskretitimin e figurës së kundërshtarit Edi Rama nuk është më i vetëm. Në këto raste Partia Socialiste funksionon si një makineri i rëndë lufte. Në të gjithë panelet ku ka përfaqësues të vetë, gjuha është e ashpër, tallëse dhe ironike me kundërshtarin apo me idetë e palës tjetër. Duke përdorur lapsuse si ‘’7x7=42’’ i shesin si të meta shumë të mëdha intelektuale, apo përgjumjen e kundërshtarit e shesin si paaftësi. Sipas përfaqësuesve socialistë edhe djegia e mandateve ka ardhur si një paaftësi politike apo si një harakiri politik dhe jo si një tentativë e tyre për të shtënë në dorë çdo pushtet të mundshëm. Si deduksion logjik i vetë logjikës së përdorur del fakti se P.S-ja është viktimë e një lufte të keqe për pushtet nga ata që e duan me çdo kusht.

Për sa i përket arritjeve, shpesh herë nëpër lajme transmetohen Projektet 3D, miliona euroshe.

E sigurtë është që formati i fushatës po del nga ai klasiku që kemi parë deri më tash. /Gazeta Liberale

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH