Kryesore

Si e kam njohur Xhevat Lloshin

               Publikuar në : 10:16 - 13/04/19 Mustafa Nano

Nga Mustafa Nano

Për herë të fundit me Xhevat Lloshin kam komunikuar para nja dy javësh. Isha i pasigurt lidhur me periudhën londineze të Faik Konicës, më saktë mbi kohën kur ai u largua nga Londra, dhe rruga më e shkurtër që më vjen në mendje në momente pasigurish të këtij lloji është t’i bëj një telefon Xhevat Lloshit, të cilin e shoh, përveç të tjerash, si një enciklopedi shëtitëse (këtë emër, “enciklopedi shëtitëse”, ia kanë vënë edhe Faik Konicës, meqë ra fjala; dhe me hak; të dy e kanë hak, edhe Faiku, edhe Xhevati). E që të bëj kronikanin rigoroz deri në fund, më duhet t’ju them se pyetja e saktë që i bëra ishte: Faik Konica ka qenë në Londër, apo në SHBA, në kohën kur u mblodh Kongresi i Manastirit? “Për çudinë time”, motori i kërkimit me emrin “Xhevat Lloshi” pati një ngecje këtë herë. “Nuk më kujtohet kjo gjë, por e di se çfarë? Nuk më vjen hiç zor që nuk e di. E pse duhet ta di? Punë datash është, asgjë me rëndësi.” Nuk pata kohë t’i thosha se “ju mora me shpresën se mund t’ju kujtohej e jo me bindjen se ju do ta dinit se s’bën një imtësi e çikërrimë të kësaj natyre”, ngaqë ai ndërhyri para meje me atë të qeshurën e vet karakteristike, të cilën unë do ta njihja edhe midis miliona të qeshurash. Të qeshurën e ka më shumë sesa të qeshur. E ka bërë edhe pjesë të ligjërimit të vet, me të cilën mbush zbrazëtira të, apo pauza mes, frazave, zbut vrazhdësinë e ndonjë ndërhyrjeje ironike apo, kur është i bindur se ka thënë një të vërtetë aksiomatike, u bën me dije të tjerëve se nuk duhet t’u shkojë mendja t’ia vënë në diskutim. Kështu që, bëni kujdes me të qeshurën e tij. Mund të jetë një shprehje hareje, e gjest mirësjelljeje po aq sa mund të jetë një shenjë sigurie, apo edhe shpërfilljeje e arrogance akademike.

Nja dy-tre muaj përpara kësaj bisede, i kam bërë një telefonatë për ta ftuar në programin tim. E kisha pasur në studio dy a tri herë të tjera, në mos gaboj, por doja ta kisha sërish për një bisedë mbi një argument historik. Në fakt, të ishte për mua, do të doja ta kisha si një të ftuar të përhershëm, ngaqë është kënaqësi të bisedosh me të, të shkëmbesh mendime, ta intervistosh. Dhe me këtë nuk është se thashë ndonjë gjë të re. Të gjithë e dinë. Të gjithë e pranojnë. Sa herë që e përmend emrin e tij në ndonjë rreth miqsh a kolegësh, apo sa herë që është dikush tjetër që ia zë emrin ngojësh, reagimi i të tjerëve është koral dhe i tipit: “Ah, prof. Xhevati ha bukë veç; është burrë zotni, i zoti, i ditur, elegant!”. Nuk kanë të sosur përcaktorët që përdoren në adresë të tij. Nuk gjen asnjërin që të thotë ndonjë gjë të natyrës kritike për të. I fundit që më bëri një reagim të ngjashëm, sapo ia përmenda emrin e Xhevat Lloshit, ishte Edmond Tupja. Ndonjëherë mendoj se duhet të jetë, përveçse e pamundur, edhe e lodhshme të rrethohesh me kaq shumë dashamirësi. Thashë “e pamundur”, dhe jo më kot. Edhe Xhevati e provon këtë, sido që dashamirësia ndaj tij derdhet lumë nga të gjitha anët. Armiqtë as atij nuk i mungojnë. Nuk ka se si t’i mungojnë me atë jetë aktive që ka pasur, gjatë së cilës ka shprehur e mbajtur një numër qëndrimesh, të cilat me siguri duhet të kenë ngacmuar a nervozuar ndokënd a ndoca. Por puna është që ata nuk guxojnë të dalin hapur. Së pari, sepse janë të trembur prej emrit të mirë që ai ka. Dhe të sulmosh dikë me emër të mirë do të thotë të prekësh një publik të tërë, dhe për rrjedhojë, do të thotë të bëhesh gati të përballesh, në një formë a në një tjetër, me atë publik. Dhe së dyti, Xhevati mund t’u kthehet. Dhe kur kjo ndodh, mos prisni të shihni te Xhevati atë zotërinë nazik e buzëhollë, që mezi e nxjerr një fjalë të rëndë. Jo, jo, Xhevati mund të të kthehet edhe vendçe, dhe ka nga një kopaçe (dajak) a fshikull për çdo kritik a detraktor, në varësi të asaj që përfaqëson ky i fundit. Dhe kush nuk ia njeh këtë anë, ka humbur shumë prej tij. Xhevati polemik nuk është thjesht studiues. Është edhe përbuzës, cinik, mbi të gjitha argëtues. Po, po, argëtues! Të gjitha polemikat, si rregull, janë argëtuese, por ato të Xhevatit janë ca më shumë. Përpiquni të gjeni ndonjë nëpër gazeta apo në “Google”, dhe do të më jepni të drejtë.

Ku e kisha fjalën? Ah, po! Po thosha që e ftova në “Provokacija”. Dhe atë herë nuk më erdhi. Më la të kuptoja se me daljet në televizion e ka mbyllur: “Kam një farë moshe dhe nuk më shkon të bredh studio më studio. Përveç kësaj, as nuk më pëlqen të hyj në gojën e njerëzve gojëprishur. Gjërat që kam për të thënë, do t’i them me shkrime të miat. Shkrimet më kanë më shumë hije sesa intervistat televizive.” Në momentin që po bënim këtë bisedë, sapo kishte mbushur 81 vjeç. Ai zuri ta dramatizonte pak këtë punën e moshës, zuri të luante me pafuqinë fizike që u mvishet rëndom moshave të thyera, dhe mua m’u duk një lloj llastimi, pasi ai është ende në formë. Për ta thënë me një fjalë teknike, në terma akademikë, ai është sot ashtu siç ka qenë gjithë kohën, një makinë “full options“, me logjikë të paciflosur, me një kujtesë të habitshme, me një urtësi e siguri akademike që veç i është shtuar, me një inteligjencë ekstra që e bën t’i racionojë më mirë energjitë e kohën, gjë që (këtë inteligjencë ekstra) ta jep vetëm mosha, d.m.th. ta jep vetëdija se koha po rrjedh në mënyrë mizore, e se prandaj nuk është mirë që porcione të sajat t’ua kushtosh veprimtarive të padobishme, siç mund të jetë edhe një bisedë televizive. Kështu që, “jo”-ja e tij nuk më kapi në befasi.

Dhe një gjë të fundit për Xhevat Lloshin (të fundit në këtë shkrim, të kuptohemi; pasi në të vërtetë kam shumë gjëra për të thënë për të): mua nuk më është dashur të falënderoj njerëz në këtë botë, sepse çfarë kam arritur, e kam arritur me fuqitë e mia. Janë të paktë ata që më kanë bërë favore apo, thënë në zhargonin e përditshëm, ndere. Dhe një nga këta është Xhevat Lloshi. Kur e mbylla librin tim “Sandwich”, kisha dëshirë që, para se ta botoja, ta kalonte nëpër duar ndonjë – më falni për shprehjen, por është kjo që e jep të plotë idenë time – akademik me bole. Dhe në mendje më erdhën dy vetë: Xhevat Lloshi e Pëllumb Xhufi, që janë më të mirët e mendimit akademik shqiptar, sido që – në këtë pikë keni të drejtë të tronditeni sa të doni – Xhevat Lloshi nuk është anëtar i Akademisë sonë të Shkencave. Dhe ky fakt e komprometon imazhin e kësaj akademie më shumë se përtacia, vegjetimi e shterpësia e saj 30-vjeçare. Që Xhevat Lloshi nuk është akademik, nuk është vetëm turp. Është edhe poshtërsi.

Pëllumb Xhufi, që është edhe miku im, isha i sigurt se do e merrte përsipër t’ma lexonte librin tim në dorëshkrim (ai më pas ra dakord të më bënte edhe parathënien), ndërsa për Xhevat Lloshin isha i sigurt që do të më thoshte “jo”. Libri ishte voluminoz, ai vetë kishte punë të vetat, ndaj meje nuk kishte asnjë detyrim (siç “kishte” Xhufi) dhe, çfarë m’u duk më e rëndësishme, mendova se nuk kishte pse të lexonte një libër studimor të shkruar prej një robi që nuk kishte dhënë prova në këtë fushë, e prandaj isha i përgatitur t’i thosha: E mirëkuptoj refuzimin tuaj! Mirëpo ai e mirëpriti kërkesën time. Ma lexoi dorëshkrimin më shpejt sesa e kisha menduar. Dhe kur u ritakuam, ai erdhi me një numër saktësimesh e vërejtjesh shumë të vlefshme. Dhe më ka mbetur në mendje, që nuk bëri asnjë tentativë “për të futur hundët” te, apo për të qortuar, qëndrime e pozicione të miat të natyrës akademike, ndonëse nuk e përjashtoj të ketë pasur ndërdyshje e mospajtime. Këtë sjellje mund ta shfaqë vetëm një njeri që ka respekt për lirinë akademike. Në fund u bë edhe redaktori i librit “Sandwich”. Dhe kështu, emrat e Xhevat Lloshit e Pëllumb Xhufit, i pari si redaktor dhe i dyti me parathënien që ka bërë, ma kanë stolisur atë libër. Kurrë nuk jam ndier më i nderuar si autor. Pëllumbin e kam falënderuar. Ndërsa falënderimin tjetër po e bëj tani:

Të falënderoj Xhevat!/ Gazeta Liberale

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *