Kryesore

Si e kam njohur Elvira Donesin

               Publikuar në : 10:54 - 07/09/19 Mustafa Nano

Mustafa Nano

Deri para ca kohësh, kur vinte në Tiranë, nuk harronte të kujtohej për mua. Por edhe unë, kur më qëllonte të shkoja nga anët e saj, e merrja gjithnjë në telefon. Dhe takoheshim. Në një rast jemi takuar në Washington, ku ajo banoi e punoi për ca vite. Në fakt, ishte atyre anëve tok me partnerin, a të shoqin (kurrë nuk e kam marrë vesh nëse janë të martuar apo jo), dhe nuk e di mirë se kush ndoqi kë. Me ç’mora vesh, njërit prej të dyve i kishin ofruar një punë në SHBA, dhe tjetri kishte shkuar me të. Nuk ia di emrin e plotë partnerit të saj, por ajo e ka thirrur gjithnjë Vasko. Aq sa unë fillimisht mendova se do ishte ndonjë korçar, i cili kishte emigruar që herët, dhe me të cilin ishin njohur diku jashtë. “Hë bre, Vaskë”, më vinte t’i thoja ndonjëherë. Por ai nuk është nga Korça. Është, me sa di unë, zviceran. Nuk ia di emrin e gjatë. Ndoshta gjatë, shkurt, ashtu e ka: Vasko. Një gentleman i vërtetë. “Tamam korçar”. J

Elvira Dones mori arratinë që herët. Mori arratinë atëherë kur të merrje arratinë ishte mission impossible. Por nuk u arratis. Dua të them se nuk është se iu desh të bënte ndonjë plan të fshehtë, të konsultohej me ndonjë njeri shumë të besuar, të kërkonte ndihmën e tij, të përcaktonte pikën kufitare më të kollajtë për të çarë ferrën, dhe një ditë, më saktë një natë, kur terri të ishte xëc, ajo, vetë i dytë, a fillikat, t’ia mbathte nga sytë këmbët, duke iu vjedhur patrullave kufitare, të cilat, nëse do të pikasnin, do të ekzekutonin në vend, në mos, një fat më i zi e priste.  Kishte fat më të zi sesa vdekja? Sigurisht. Në komunizëm, në rrethana të tilla, vdekja ishte lule.

Elvira Dones u largua ndryshe, siç largohen sot ata që duan ta lënë këtë vend (të cilët janë shumë. Ç’është kjo punë kështu? Pse nuk na mban ky vend? Pse e kemi kaq të lehtë për ta braktisur? Kjo është një bisedë më vete, të cilën, me që ra fjala, mund ta bëja me Elvirën. Në një studio TV do të ishte më mirë. Me nga një gotë birrë përpara, siç e kemi bërë në një rast në Déjà vu). U largua nga Rinasi, me avion. Punonte në RTSH atëmot. Dhe e dërguan me shërbim jashtë. Tok me të tjerë. Këta të fundit u kthyen. Siç ktheheshin të gjithë ata, të cilëve u jepej mundësia të iknin jashtë vendit me shërbim. Ktheheshin nga qejfi, duhet thënë (me shërbim jashtë shkonin njerëzit e nomenklaturës sunduese). Por edhe nëse qejfi nuk ua kishte, ktheheshin nga halli. Sepse mund ta pësonin keq ata që mbeteshin pas, nëna, babai, vëllezërit, motrat e, në varësi të humorit të diktaturës sonë lunatike, deri te kushërinj të largët. Njerëzit e afërt, afërmendsh, nuk kishin asnjë faj, por regjimi i Enver Hoxhës e kishte bërë të udhës – si mjet presioni – të gjente shumë fajtorë për një “krim” të vetëm të kryer nga një njeri i vetëm. Elvira nuk u kthye më, sidoqoftë. Çfarë vendimi, ë? Duhet të ketë qenë një dashuri e madhe për lirinë, e për botën perëndimore, që e ka bërë të merrte atë vendim. Ose ndoshta ka qenë e cytur edhe nga ideja se regjimit komunist po i merrej fryma, dhe shumë shpejt do të rrëzohej; në mos, do të detyrohej të lejonte ca liri më tepër, e të hiqte dorë nga dënimi kolektiv për një “faj” individual. Ose ndoshta ka shijuar kënaqësinë e sfidës ndaj diktaturës. Ose ka qenë një ikje prej nausea-s Sartre-iane që provokonte Shqipëria e para vitit 1990. Sepse përballë (në mes të) asaj Shqipërie, vetëm nausea mund të kishe. Po të isha në vend të saj, do të kisha shkruar një libër për atë ngjarje. Në fakt, nuk është çudi që ajo ta ketë bërë këtë gjë dhe unë nuk e di. Ngaqë jemi larg, as punët nuk ia ndjekim dot njëri tjetrit.

Mund të përfytyrohet drama e saj. Mund të përfytyrohen vuajtjet që ajo ka provuar e llogaritë që ajo ka bërë para se ta merrte atë vendim. Dhe sidomos, pasi e mori atë vendim. Ajo ishte nënë. Nëna e një fëmije. Vetëm kaq mjafton për të kuptuar faktin se ajo ngjarje nuk ishte një marshim i gëzueshëm drejt lirisë. Dhe një robi me emër e mbiemër këtu në Tiranë, që është mësuar të gërmojë në jetën e të tjerëve me zellin e një voyeurist-i të fëlliqur, nuk iu ndenj pa ia zënë n’gojësh “të pabërën prej nëne”. Në një situatë të caktuar, atij robit ia donte puna ta baltoste intelektualen publike Elvira Dones, dhe për këtë nuk gjeti mënyrë më të mirë sesa ta “denonconte e turpëronte” atë si nënë. Më ka mbetur në mendje reagimi i Elvirës në atë rrethanë. Ishte një reagim i qetë, i butë, elegant, aq sa dikush ia mori atë elegancë për shenjë dobësie. Dhe ky është një keqkuptim i përhershëm këtyre anëve: Eleganca merret për dobësi. Dhe me këtë që sapo thashë po e mbyll këtë parantezë, pasi edhe vetë Elvirës me siguri nuk ka për t’i pëlqyer që ia risolla në vëmendje. Sepse kjo ngjarje (sulmi mbi një nënë për t’i mbyllur gojën një kritikeje) është nga ato që duhet harruar.

Elvira ka qenë gjithë kohën jashtë. Sikur të ishte kthyer në Shqipëri pas hapjes së kufijve, atë do ta kishin marrë nishan nga të gjitha anët. Nëse do të guxonte të hapte gojën, kuptohet. Dhe ajo do të guxonte se s’bën. Sepse ajo ka qëndrime të vetat mbi këtë botë. Ka edhe ngasjen për t’i ndarë me të tjerë ato qëndrime. Shqiptarët nuk ia njohin shumë këtë anë. Nuk kanë se si t’ia njohin, pasi ajo nuk e ka manifestuar. Ngaqë nuk jeton këtu. Por e vërteta është që ajo është një njeri i shqetësuar. Dhe ashtu si shumica dërrmuese e intelektualëve të botës, është e majtë. Jo e majtë në kuptimin që të majtës i jepet në Tiranë. Me që ra fjala, i jepet ndonjë kuptim këtejpari termit “i majtë”, përveç kuptimit tepër përtac e praktik “i rreshtuar me Edi Ramën”? Dhe duke qenë se jemi në këtë pikë, ma thotë mendja se ajo ka mendimin më të keq të mundshëm për Ramën e këtyre kohëve. Kështu ndodh gjithnjë me ata që prej shpresës kalojnë në zhgënjim. Ajo ka (duhet të ketë) besuar se rrëzimi i Berishës e ardhja e Ramës do të ishte një lajm i mirë për Shqipërinë. Jam i sigurtë që nuk e mendon më këtë gjë. Dhe për ta shprehur zhgënjimin e zemërimin me Edi Ramën, ka zgjedhur shpërfilljen. Ka kohë që nuk ka folur publikisht për punët e këtij vendi. Ka kohë që nuk ka ardhur në Tiranë. Ngjan si e velitur. Se mos është e vetmja! Janë me mijra shqiptarët, jashtë e brenda, që janë të velitur. U është zvjerdhur ky vend. Dhe ky është lajmi më i keq i këtyre tridhjetëve viteve.

Për ta mbyllur, më duhet të them se Elvira Dones është një nga njerëzit më mendjehapur që kam njohur. Di ta mirëpresë çdo ide, person, rrethanë. Dua të them, nuk i shkon mendja të paragjykojë njerëz, zgjedhje, stile jete apo ku di unë çfarë tjetër. Tamam mendjehapur. E di që ky përcaktor, mendjehapur pra, është shumë i stërpërdorur, por Elvira është një nga ato pak raste kur ky përcaktor përdoret me vend. Dhe kam përshtypjen që ËSHTË mendjehapur. Nuk ËSHTË BËRË e tillë. Me fjalë të tjera, ajo është mendjehapur prej natyre para se të jetë prej një edukimi a formimi. Siç jam unë, me që ra fjala. Nëse jam. Kjo që sapo thashë e lë atë “pa merita” (meritat lidhen më së shumti me ata që “bëhen”, e jo me ata që “kanë qëlluar të jenë”), por në të njëjtën kohë është një garanci: ajo do të mbetet mendjehapur. /Gazeta Liberale

(Visited 143 times, 1 visits today)

Etiketa: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *