Dossier

Si e dorëzoi pushtetin Ramiz Alia

               Publikuar në : 09:49 - 24/07/19 Isuf Kalo

Si u rrëzua pushteti komunist… Shpresat e Ramiz Alisë se amerikanët do ta mbanin në pushtet… Prof. Isuf Kalo tregon në librin “Blloku”, botim i UET PRESS, orët e fundit të komunizmit..

Isuf Kalo

Ramizi e dorëzoi pushtetin pa e ndryshuar në thelb, në përmbajtje. Ai dështoi, kryesisht, për shkak të gjërave që nuk bëri, sesa prej atyre që bëri. Ai që kishte propaganduar komunistin me shpirt të paepur, heroik, besnik i bindjeve dhe idealeve të tij, komunisti që nuk dorëzohej, dorëzoi së pari Enverin, monumentet e bustet e tij, pastaj Nexhmijen, pastaj shokët e Byrosë, pastaj “Partinë heroike të punës”, e së fundmi Shqipërinë, “kështjellën e pamposhtur”. Ai zhveshi kostumin ngjyrë gri të Sekretarit të Parë të Partisë dhe veshi kostumin blu të presidentit të vendit. Kështu varrosi kredon e ideologjisë që kish predikuar për 40 vite. Ky ishte shërbimi i madh që ai, ndoshta pa dashur, i bëri demokracisë, diskreditimi moral, mungesa e sinqeritetit e ideologjisë, retorikës, propagandës dhe kauzës komuniste që ai vetë e udhëhoqi. Ramizi e deheroizoi idealin për të cilin kishte luftuar dhe që kishte predikuar.

Ai, çuditërisht, shpresoi për një kohë të gjatë se edhe në pluralizëm do e lejonin të vazhdonte të qëndronte në krye të vendit. Sepse besonte që nën frikën dhe indoktrinimin shumëvjeçar, krijimi i një force përmbysëse nga brenda vendit ishte i pamundur. Po të ishte për pjesën pasive të popullit të asaj kohe, ai me siguri do ta shihte veten edhe 40 vite të tjera në bash të vendit. Rreziku real, mundësia e përmbysjes ndihej më tepër nga jashtë, nga forcat e presionet që vinin prej andej dhe që, si uragan, e fshinë, si të ishte prej letre, kështjellën e kampit socialist. Por edhe këtu ekzistonin disa rrethana apo faktorë që e mbanin Ramizin me shpresë.

Njëra ishte ajo që ndodhi në disa nga republikat e ish-Bashkimit Sovjetik. Me rrëzimin e sistemit komunist dhe transformimin në sistemin e pluralizmit politik dhe tregun e lirë, në krye të shteteve aty mbetën të njëjtët udhëheqës. Në Kazakistan, në Kirgistan, në Azerbajxhan, në Taxhikistan, në Gjeorgji, në Armeni, Moldavi, ish-sekretarët e parë u shndërruan në presidentë republike, jopartiakë. Madje, disa prej tyre, pas mandatit të parë, ndryshuan Kushtetutën që të mos ua kufizonte më rizgjedhjen dhe prej kësaj vazhdojnë të jenë ende sot, pas 20 vitesh, në pushtet. Ky fenomen ndodhi përkohësisht edhe në disa prej republikave të ish-Jugosllavisë, si në Slloveni, Kroaci e Maqedoni.

Po aq inkurajuese ishin disa mesazhe mikluese që atij i erdhën nga Perëndimi, apo takimet me disa zyrtarë të SHBA-së, ku vajti, në fakt, në shtator 1990, për të marrë pjesë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Pritja e takimi i përzemërt me presidentin Miterran në Paris në qershor të vitit 1991, pasi u kthye nga nënshkrimi që ai i bëri i Kartës së Helsinkit, si dhe disa vizita personalitetesh të larta europiane perëndimore në Shqipëri, e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Gensher, dhe e ministrit të Jashtëm të Italisë, De Mikelis, e kryeministrit grek, Karamanlis etj. ishin shpresëdhënëse për të.

Por, sigurisht, më e rëndësishme sesa ato, ishte vizita në Shqipëri e sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker. Ato i krijuan Ramizit iluzionin euforik sikur Perëndimi ia kishte falur të kaluarën komuniste dhe po e njihte dhe e pranonte atë si autorin kryesor dhe të vetëm të transformimit të Shqipërisë, nga vend me diktaturë, në një vend demokratik. Këtë e përforconin aluzionet dhe elozhet që i bënin atij shtypi e mediat perëndimore, duke e paraqitur si reformator i tipit Gorbaçov dhe duke nënvizuar se po e çonte Shqipërinë drejt një shoqërie të re, të hapur.

Në të vërtetë, Ramizi i kishte të gjitha arsyet të besonte se do të ishte i preferuari i tyre, sepse i pati luajtur kartat që të ishte i tillë. Ai e kishte luajtur lojën ashtu siç donin e siç i thanë ata që komanduan dhe menaxhuan nga jashtë ndryshimet dhe rikonfigurimin e kampit socialist. Dhe e bëri me kujdes, me zell dhe me përpikëri; prandaj shpresoi se kishte të drejtë të priste prej tyre faljen për të shkuarën dhe shpërblimin për të ardhmen.

Dihet se Lenini e zbatoi fillimisht diktaturën komuniste “të proletariatit” me anë të sovjetëve, “pushtetit të sovjetëve” (Pushteti i Këshillave Popullorë). Pas tij, Stalini krijoi nën diktaturë “demokracinë socialiste”, ose “Republikat demokratike popullore”, gjoja parlamentare. Ky model i fundit u vendos gjatë shumë viteve edhe në Shqipëri. Ramizi besoi se edhe demokracia e re pak ndryshim do të kishte nga “demokracia popullore”, ose “demokracia socialiste”, që ai kishte udhëhequr dekada me radhë. Dhe ai do të mësonte shpejt të aktronte rolin e ri, të “presidentit pa parti” në vendin tashmë me shumë parti.

Arsyeja pse kjo nuk ndodhi ishte se ai nuk e pati lexuar mirë “partiturën” e Perëndimit. Ish-sekretarët e parë të ish-republikave sovjetike u lanë të vazhdonin udhëheqjen e vendeve të tyre si presidentë, sepse këto territore, në marrëveshjen e Maltës mes Gorbaçovit dhe Bushit për rindarjen gjeopolitike të Europës, pas shpërbërjes të ish-Bashkimit Sovjetik, u lanë të menaxhoheshin edhe më pas nën tutelën e Rusisë. Përveç kësaj, në ato vende mungonin elementet minimale të demokracisë dhe të menaxhimit të lirisë. Mungonte kultura dhe mentaliteti europian. Një numër i tyre edhe gjeografikisht i përkisnin Azisë, jo Europës. Kurse në republikat e ish-Jugosllavisë, ish-sekretarët e parë të partive komuniste u lanë në pushtet vetëm për pak kohë, sa për të iniciuar ndryshimet, por menjëherë u zëvendësuan më pas me figura të reja politike, kryesisht nacionalistë.

Ndryshe ndodhi me territoret e vendeve të tjera ish-socialiste, atyre Baltike dhe të Europës Lindore. Në to, zhvillimet demokratike dhe përkatësia europiane, ku më shumë e ku më pak, ishin gjithsesi më të avancuara. Për fat të mirë, bashkë me ta, u fut në listë edhe Shqipëria. Në festën e regjimit të ri, ato veshën të gjitha “xhaketa” të reja. Presidentët e parë të periudhës postkomuniste në këto vende, nuk ishin pjesë e kastës së vjetër, as ish-komunistë, siç qe Ramizi, por persona që kishin emigruar e kishin shënuar sukses në vendet perëndimore e SHBA, pra shpresohej të sillnin mentalitet krejt të ri. “Xhaketat e vjetra” ata i flakën si të dala mode dhe si tepër të ngushta për mendjet, vizionet dhe perspektivat e hapura në shoqërinë e re.

Përse, edhe kur këto dy shpresa u venitën, Ramizi nuk u tërhoq? Iu ëmbëlsua pushteti? U adiktua me të? Nuk dukej ashtu. Ramizi kishte probleme karakteri, por jo inteligjence. Dëshira dhe përpjekjet e tij për të vazhduar në udhëheqje dhe pushtet nuk ishin të atij lloji që karakterizon diktatorët maniakë, që nuk duan kurrsesi të ndahen prej tij. Ai nuk ishte karrierist i sëmurë. Timonin e pushtetit ai nuk e pati ëndërruar asnjëherë. Mostërheqja nga funksionet shtyhej sa nga ndjenja e detyrës dhe përgjegjësia e postit që i ishte besuar, aq dhe prej planeve dhe objektivave të pashpallura të tij. Ato kishin të bënin me sigurimin e vazhdimësisë së mentalitetit dhe mënyrave të mëparshme në kushtet e reja, nën një frazeologji e retorikë tjetër, por me synim të njëjtë afatgjatë: ruajtjen e pushtetit politik me anë të fuqizimit ekonomik të pasardhësve të nomenklaturës së mëparshme.

Ndryshimi i shpejtë e i menjëhershëm i sistemit politik e gjeti vendin tonë pa ekspertë të parapërgatitur të drejtonin dhe të menaxhonin sistemin e ri shoqëror dhe ekonomik. Vendin e pushtetit autoritar e zuri me shpejtësi mafia vendase dhe ajo e huaj, kurse ish-lufta e klasave u shndërrua në një konfrontim të ri mes të varfërve e të papunëve të shumtë dhe një elite spekulantësh të superpasuruar. I vetmi nga ish-vendet komuniste që nuk ra në kurthin e transformimit të nxituar të sistemit ishte Kina. Ajo nuk nxitoi të përmbyste sistemin politik, por zhvilloi gradualisht më së pari potencialin ekonomik dhe përgatiti drejtues dhe ekspertë për një sistem me marrëdhënie shoqërore dhe ekonomike të reja.

Ramiz Alia nuk pati stofin e një reformatori të tillë, por dhe as potencialë gjigantë të disponueshëm apo të fshehtë si Kina. Ai do të kishte shkëlqyer si profesionist dhe si intelektual po qe se nuk do të ishte marrë me politikë, me ideologji dhe me pushtet ekzekutiv. Ramizi mund të ishte bërë një diplomat, inxhinier, pedagog, akademik a gjithçka tjetër i shquar si profesionist dinjitoz, sepse ishte inteligjent, i kulturuar, i komunikueshëm dhe pa lakmi a babëzi për pasuri dhe pushtet. Por ai e dorëzoi veten, ia dorëzoi cilësitë dhe vlerat e veta doktrinës ideologjike që në rininë e hershme. Kjo ishte e vetmja pikë në të cilën fati nuk qe me të.

Ramizit i ndodhi si palmave tona të mbjella në autostradën Tiranë – Durrës, të cilat, pa dyshim, fillimisht dukeshin të hijshme, por që u thanë, pa prodhuar as lule as fruta. Sepse u mbollën në terrenin, ambientin, klimën dhe kohën e gabuar.

“Titaniku” dhe Eduart Smithi

Situata në të cilën ndodhej Ramizi pas dështimit të përpjekjeve të fundit për ta shpëtuar pushtetin dhe roli që i takonte pas kësaj, qenë të ngjashme me ato të Eduart Smithit, kapitenit të vaporit të famshëm të parë transatlantik “Titanik”, i quajtur dhe i “Pamposhturi”, me pretendimin se ishte i pambytshëm. Përfundimi i tij tragjik tashmë dihet. Më 14 prill 1912 anijes së re papritmas i doli përpara një ajsberg gjigant. “Titaniku” nuk arriti të manovrojë për t’iu shmangur, u përplas me të, pësoi çarje dhe u fundos. Në bord qenë 2227 pasagjerë, të cilët të shkujdesur festonin brenda mjediseve të tij, të bindur në “pambytshmërinë” e tij.

Smithi, nëse do ta kishte vënë re më parë rrezikun me anë të timonit që i qe besuar, mund ta kishte evituar tragjedinë, duke ndryshuar drejtimin në kohën e duhur. Por nuk arriti të manovronte dhe pas goditjes së ajsbergut, ai nuk ishte më në gjendje ta ndalte, as ta korrigjonte atë që ndodhi. E vetmja gjë që kishte ende në dorë ishte të përdorte me efektivitet maksimal mjetet e disponueshme të shpëtimit, për të minimizuar humbjet e jetëve njerëzore.

Kështu shpëtuan 1,513 prej tyre. Mund të shpëtonte fare lehtë edhe ai vetë. Por ai tha jo. Kështu thanë edhe pjesëtarët e orkestrës, të cilët vullnetarisht qëndruan e vazhduan të luanin deri në fund, për t’u dhënë kurajë pasagjerëve në gjendje paniku, përmes fuqisë së tingujve të muzikës, në përpjekjet e tyre për të mbijetuar. Smithi qëndroi me ata që u mbytën. Dhe krijoi një shembull për sjelljen e komanduesit dhe obligimin ndaj detyrës. Që atëherë, ai akt u shndërrua më pas në një parim në lundrim, i cili thotë: “Kapiteni mbytet bashkë me anijen”.

Edhe kampi socialist dhe kështjella jonë e socializmit në Shqipëri u mburrën e predikuan se ishin të pamposhtur. Ne madje pretenduam se ishim shkëmb graniti, që asnjë dallgë, asgjë tjetër nuk na prekte e asnjë pengesë nuk na ndalonte në rrugën që po ecnim. Por nuk ishte llogaritur ajsbergu. Ai na goditi te muri i Berlinit. Muri u rrëzua. Dhe Gorbaçovi, më pas, ra bashkë me kampin socialist.

Te ne u rrëzuan monumentet e Leninit, të Stalinit dhe të Enverit. Dy të parat natën, nga Ismail Ahmeti. Por nuk u rrëzua Ramizi nga pushteti. Ai, ndryshe nga Smithi, u përpoq të mbetej me ata që do të shpëtonin. U përpoq të mbetej me të gjallët dhe falë mirënjohjes së atyre që do të shpëtonte të trajtohej jo si humbës, por si fitimtar.

Karta e fundit, kredenciali i vetëm që i mbeti për të rikuperuar diçka në prestigjin e moralit politik dhe trajtimin e mëtejshëm personal të tij ishte “merita për shmangien e gjakderdhjes”. Por, e kuqja e gjakut nuk është nxitëse vetëm për demat. Ajo do të provokonte pashmangshmërisht “revanshin blu”. Pasi kishte parë ç’kishte ndodhur me Çausheskun, evitimi i gjakderdhjes absurde nuk ishte prej tij një gjest parimor e moral, sesa tregues i inteligjencës.

Ramizi i hodhi armët instinktivisht. U dorëzua. Edhe pse i detyruar, ai ishte akti më i drejtë që bëri gjatë jetës së tij. Për nga parimet ishte një gjest jo prej komunisti. Nga ana etike ishte jo dinjitoz për një kryetar shteti, i cili kishte kërcënuar dhe u kishte bërë karshillëk për dekada me radhë, me profka llafesh, kapitalizmit dhe më të fuqishmëve të kësaj bote. Por ishte akt i duhur në ato rrethana. Ishte fat i mirë për ne, që ai nuk rastisi të ishte lider fanatik, kokëtrashë.

Ramizi nuk ishte zemërak dhe as gjakatar. Atë gjaku e trembte. Po ashtu vrasjet. Megjithatë, ato nuk i ndaloi kur mjaftonte për këtë vetëm një nënshkrim i tij. “Fytyra e tij ishte tejet e ëmbël sa të maskonte dhunën”, shkruan Lordi Bajron për Ali Pashë Tepelenën. Me vrasjet që kishte urdhëruar ose miratuar gjatë regjimit, përpara dhe gjatë kohës që udhëhoqi, Ramizi fjalëmbël ishte zhvirgjëruar prej kohësh, kish humbur ndershmërinë dhe moralin pacifist.

Është folur për rreth 300 shqiptarë, shumica të rinj, të vrarë në kufi, në tentativën për t’u larguar nga Shqipëria, në kohën që ai ishte president. Ata u “tradhtuan” nga një ligj i miratuar nga presidenti Alia, sipas të cilit largimi nga Shqipëria nuk konsiderohej më tradhti. Në kufi, këmbëzën e armës që shtiu mbi ta nuk e tërhoqi Ramizi, por e tërhoqi mëdyshja dhe heshtja e qëllimshme e tij.

Ramizi nuk ishte prezent fizikisht, as më 10 gusht 1988, kur në trekëndëshin e ngritur në mesin e qytetit të Kukësit iu vu litari në qafë dhe u var poeti Havzi Nelaj. Formalisht, vendimin për këtë dënim të egër e dha gjykata dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor, ku nga 13 anëtarët e tij, shtatë që ishin të pranishëm në atë seancë nënshkruan refuzimin e faljes së jetës poetit.

Ramizi ishte kryetar i atij Presidiumi. Nënshkrimi i tij në dokumentin e zi të asaj dite thuhet se ka qenë, por është fshirë. Rastësisht? Deshi të fshihej apo të dredhonte njëlloj si Pilati në gjykimin e Jezu Krishtit të pafajshëm? Pilati shfajësoi veten sikur gjoja dënimin e “vendosi populli”. Por ky ishte justifikimi. Ramizi në atë post të lartë kishte në dorë të gjitha fuqitë që ta ndalonte aktin makabër. Por nuk e ndaloi.

Havzi Nela ishte i vetmi poet i dënuar me varje në Europë. Ishte disidenti i fundit i ekzekutuar në vendet e ish-kampit socialist. Këtë vulë Shqipërisë ia vuri Ramizi. Sepse Enveri kishte tre vite që kish vdekur. Ky turp ndodhi vetëm një vit përpara se të rrëzohej muri i Berlinit, kur rruga e demokratizimit të vendeve ish-komuniste dhe porta e Europës do të hapej edhe për njerëzit tanë, siç ëndërronte poeti.

Një ndër anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor asokohe ishte prof. dr. Petrit Gaçe, mjek novator i talentuar me integritet të lartë etik e profesional e me kulturë të gjerë. Ai, në rini, doli partizan, por shquhej për modesti, ndershmëri të rrallë, por jo aq për guxim dhe as për shpirt luftarak. Ai ishte një ndër pedagogët e mi më të nderuar e të admiruar për kulturën qytetare dhe erudicionin e gjerë.

Prof. Gaçe ishte deputet, Hero i Punës Socialiste dhe, përveç detyrës së shefit të kardiokirurgjisë, ishte, zyrtarisht, edhe kryetar i ekipit mjekësor të Enver Hoxhës, çka më mundësonte ta kontaktoja shpesh. Ai dhe Ylli Popa ishin të dy me origjinë nga Elbasani dhe njëkohësisht miq të ngushtë mes tyre.

Kur mori programin e mbledhjes së Presidiumit dhe pa se njëra nga pikat e rendit të ditës ishte shqyrtimi i kërkesës së Havzi Nelës për faljen e jetës, prof. Gaçja u trondit. Siç më ka treguar më pas prof. Ylli Popa, ai kishte biseduar në konfidencë me të se si t’i shmangej përgjegjësisë morale të mosmiratimit të asaj kërkese që do të kthehej në një akt barbar. Ai e merrte me mend që poetin nuk do e falnin dhe vota e tij kundër do të ishte jo vetëm pa peshë, por dhe me pasoja për atë vetë. Prandaj vendosi të mos ishte pjesëtar në atë krim. Ai mungoi në seancën në fjalë, duke njoftuar se ishte i sëmurë.

A pati ndier edhe Ramizi të njëjtën vrarje të ndërgjegjes? Havzi Nela ishte mësues i varfër fshati dhe poet vetmitar, por dhe kundërshtues që kishte mendime dhe vizionet e tij në të mirë të vendit. Ato i shprehte hapur. “Armët” e tij ishin fjala dhe poezia, kurse “mëkatet” ishin besimi në fe dhe kërkesa që ajo të mos ndalohej. Thoshte se “kooperativizmi i forcuar në zonat malore ishte i gabuar dhe jo efektiv, “se të rinjtë nuk duheshin ndaluar e dënuar pse zgjasnin flokët” dhe se “lëvizja e lirë dhe jo mbyllja dhe izolimi ishte në të mirë të vendit. Ai përshëndeti kartën e Helsinkit me një poezi, me besimin se ajo do të “sillte një frymë të re në Europë”.

Thuajse të gjitha ato, rezultuan më pas dëshira të drejta, madje të fshehura edhe në mendjen e Ramizit. Vetëm tre vite pas varjes së poetit ato do të shpalleshin hapur dhe do të fillonin të zbatoheshin në rrugën e zhvillimeve tona të vrullshme demokratizuese. Pushteti demokratik që erdhi në fuqi pas shembjes së komunizmit e rehabilitoi dhe e dekoroi martirin Havzi Nela. Por Ramizi nuk shprehu ndonjë pendesë për atë krim e padrejtësi që kishte lejuar.

Megjithatë, unë besoj se Ramizi e përdori dhunën jo i shtyrë nga dufi pasionant vrastar që karakterizon diktatorët, sesa i shtyrë prej frikës nga pasojat e mosushtrimit të saj. Cilido e kupton se çmimi i gjakderdhjes, në rrethanat e reja pas shembjes së murit të Berlinit, do të ishte tmerrësisht i rëndë, së pari për atë vetë, për familjen, të afërmit e bashkëpunëtorët e tij.

Pushtetarët kanë vërtet nën komandë ushtrinë dhe armët, por ato janë për t’u përdorur kundër armiqve, për mbrojtjen e vendit jo kundër popullit, qoftë ky i zemëruar dhe i panënshtruar. Në revolucionet dhe përplasjet e dhunshme me pushtetarët, qytetarët kanë armë urrejtjen dhe tërbimin. Ngjarjet tragjike në vitin 1956 në Hungari ishin domethënëse për të mbështetur këtë tezë.

Nëse do të derdhej gjak i ri, te ne ai më së shumti do të ishte i komunistëve, i ish-bllokmenëve, i ish-nomenklaturës së lartë dhe familjarëve të tyre të favorizuar, i ish-sigurimsave, ish-hetuesve, prokurorëve e gjykatësve ose verbërisht në vrull e sipër edhe ndaj disave që nuk e meritonin. Ndoshta, edhe imi, si i Eugen Botkinit, mjekut të carit rus, Nikollës II, që u pushkatua, pa asnjë faj, së bashku me familjen mbretërore.

Ishte pa dyshim në të mirë të imazhit të Shqipërisë dhe i ekuilibrave emocionalë të së ardhmes që një gjakderdhje e tillë nuk ndodhi. Ramizi u mburr se “unë e shpëtova Shqipërinë nga lufta civile, në një kohë që ushtria po marshonte drejt Tiranës”. Por Kiço Mustaqi, ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, në një libër që ka botuar, e ka përgënjeshtruar publikisht këtë. “Përkundrazi, luftën civile e evitoi gjakftohtësia e ushtrisë”, ka shkruar ai.

Ministri, madje, ka deklaruar edhe se pati marrë urdhër nga Ramiz Alia qoftë drejtpërdrejt dhe në telefon që “ushtria të futet në turmën e njerëzve, sepse policia e vetme nuk po e përballonte dot”. “Në praninë e 500 oficerëve në Ministrinë e Mbrojtjes, — thotë Kiço Mustaqi, — i jam përgjigjur Ramiz Alisë: ‘Kjo nuk është detyrë e ushtrisë, por e policisë’. Iu referova parimit që një urdhër, i cili nuk është në interes të popullit, nuk duhet zbatuar”, pat shpjeguar ai.

Sidoqoftë, është cinike që dikush të mburret dhe të kërkojë mirënjohje, vetëm pse nuk derdhi gjakun e njerëzve të pafajshëm. Është mjerane që dikush të kërkojë të shpërblehet pas dështimit të një regjimi, të cilin ai vetë e ka drejtuar. Ramiz Alia është ndoshta i pari humbës në botë që kërkoi dhe mori pas saj shpërblim dhe promovim në karrierë. Nga sekretar i parë komunist monist, në president demokrat pluralist.

Merita dhe mirënjohja për mosderdhjen verbërisht të gjakut u takon më së pari atyre që vuajtën dhe e pësuan nga diktatura. Atyre që kishin hak për të marrë, por që e falën. U takon të gjithë atyre që patën vuajtur dhe përmbajtjes, vetëkontrollit dhe tolerancës së admirueshme të viktimave, e ndoshta edhe pafuqisë dhe stepjes e hutimit të tyre në ditët e para të ndërrimit të regjimit. Ishin ata që evituan gjakderdhjen fisnikërisht. Gjakun e bllokmenëve dhe të gjithë neve e kujtdo që i shërbyen, pasivisht apo me zell, diktaturës.

Merita ishte edhe e partive të reja opozitare, të sapokrijuara, veçanërisht e Partisë Demokratike, të cilat nuk vunë në objektivat strategjike të tyre për marrjen e pushtetit dhunën, masakrën dhe hakmarrjen inatçore. Madje, kjo nuk ndodhi as pas marrjes së pushtetit në duart e saj. Ramizi nuk e pranoi, nuk e tha me zë të lartë dhe nuk ua njohu asnjëherë këtë meritë. Sepse i mungoi kuraja dhe fisnikëria, ose sepse edhe atë meritë deshi ta përvetësonte.

Në vigjiljen e përmbysjes së plotë të sistemit, ai dhe klasa politike morën një letër me apel prekës për pajtim kombëtar nga një numër të vuajturish, në ditët e fundit të internimit të tyre në kampin e Lushnjës. Thuhet se në të ishte edhe dora e Fatos Lubonjës, bashkëvuajtës me ta.

“Të bëhet pajtimi, le të cenohet drejtësia”, shkruanin ata. Pra, le të na cenohet neve e drejta që na takon. Mjafton që për të mirën e vendit të bëhet pajtimi kombëtar. “Por, — vazhdonin ata, — më parë duhet të nxjerrim jashtë vetes, të asgjësojmë frymën e së keqes. Ezaurimi dhe cenimi i së keqes pritet të bëhet, së pari, nga partia që e ka pasur dhe e mban në gji atë. Çka mendojmë se është kusht i domosdoshëm i pajtimit kombëtar.”

Ramizi nuk e bëri. Ai ishte i vetëdijshëm që ajo e keqe ekzistonte. Ai vetë nuk pati dëshiruar, por në vlerësimin e tij, ajo ishte përzier me disa të mira dhe Ramizi e pati të pamundur t’i ndante e t’i shkoqiste ato. Për fat të keq, as nuk pati ndershmërinë t’u kërkonte falje, së paku atyre që ishin gjakosur apo burgosur padrejtësisht. Dhe as ndjeu obligimin që t’u shprehte atyre mirënjohjen për fisnikërinë dhe tolerancën që dëshmuan, të cilat, fatmirësisht, as dhuna e ushtruar mbi ta, nuk kishte mundur që t’ua shuante. /Gazeta Liberale

(Visited 97 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *