Analizë

Shumëfishim i investimit për shkencën

Shkruar nga Liberale
Shumëfishim i investimit për shkencën

Myqerem Tafaj

Fillimi i çdo viti akademik është momenti kur në vendin tonë ngjallet një diskutim, edhe pse shumë afatshkurtër, për numrin e studentëve, degët që mbyllen, cilësia e arsimit të lartë, pedagogët, etj. Por në këtë diskutim rrallë ndodh që të përmendet kërkimi shkencor. Madje, edhe në ditët kur diskutohet buxheti i vitit pasardhës vetëm disa zëra mund të ndihen për shkencën dhe kërkimin shkencor. Kur diskutohet për cilësinë e arsimit të lartë dhe të universiteteve, jo vetëm në media, por edhe në institucionet vendimmarrëse, madje edhe në Kuvendin e Shqipërisë, fatkeqësisht as nuk përmendet kërkimi shkencor. Kjo nuk është rastësi. Universitetet tona të para u themeluan në fillim të viteve ‘50-të si institucione të arsimit të lartë dhe të shkencës dhe ato përfshinin brenda tyre edhe njësitë e deri atëhershme të kërkimit shkencor. Në fillim të viteve ‘70-të ndodhi hapi prapa, kur ato me vendim të Byrosë Politike u zhveshën, de facto, nga kërkimi shkencor dhe prej tyre u shkëputen njësi për të krijuar institucione kërkimore jashtë universiteteve. Prandaj sot, edhe pse universitetet tona më të vjetra kanë histori prej mbi 70-vjeçare, ndodh rëndom, që deputetët, politikanët, administrata, media dhe opinioni publik në tërësi, përgjithësisht njohin edhe ato si shkolla pas të mesme që thjesht mësojnë studentë, por injorojnë kërkimin shkencor që është misioni i dytë i tyre. Madje, sot universitetet moderne kanë fituar edhe mision e tretë (Third Mission), atë të transferimit të dijes dhe inovacionin.

Zhvillimi i sistemit tonë të arsimit tonë të lartë në tri dekadat e fundit ka bërë që sot vendi ynë të ketë një komunitet akademik shkencor prej rreth 6000 pedagogë dhe kërkues në universitetet publike dhe jo publike. Ai përbën të paktën 95% të gjithë komunitetit shkencor të vendit. Edhe pse ky numër në leximin e parë mund të duket i madh, ai është akoma shumë i vogël, rreth 2 kërkues/1000 banorë, të paktën 4 herë më i vogël krahasuar me vende të Rajonit (p.sh. Serbia), për të mos përmendur vendet e zhvilluara të Europës dhe më gjerë. Të dhënat e Eurostat tregojnë se, nga viti 2010 në vitin 2020, numri i kërkuesve në gjithë BE-në është rritur me 40,5 %, ndërkohë që disa vende të Europës kanë pasur një rritje shumë më të madhe, si Turqia gati 2,2 herë, Greqia dhe Hungaria gati 2 herë, Polonia 1,9 herë, të ndjekur nga Holanda me rritje 89 %, Malta (+69 %), Qipro (+67 %) dhe Irlanda (+66 %). Kjo rritje e numrit të kërkuesve është rritje e investimit për dijen, e cila prodhohet nga shkenca.

Janë plot statistika të tjera të Eurostat, OECD, UNESCO, etj., që tregojnë se sa prapa ka mbetur vendi ynë në investimin, si me burime njerëzore ashtu edhe ato financiare, për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Që këtu kuptohet se sa jashtë kohe dukemi si vend kur dëgjon lajmet për mbyllje të universiteteve rajonale, të fakulteteve apo departamenteve në universitetet tona publike, çka ka shkaktuar panik te pedagogët për shkurtime dhe humbjen e vendit të punës. Unë mendoj se Shqipëria e ka të domosdoshme të shtojë me shpejtësi numrin e kërkuesve në universitete, në mënyrë që të arrijmë të krahasohemi të paktën me Serbinë, pa shkuar te Greqia, Polonia, Sllovenia, Kroacia, Turqia etj.

Komuniteti shumë i vogël akademik shkencor që ka vendi ynë, financimi publik shumë-shumë i ulët për kërkimin shkencor, si dhe mungesa e incentivave nxitëse për kërkim në universitete, bëjnë që vendi ynë të jetë i fundit për nga prodhimtaria shkencore e njohur ndërkombëtarisht. Kjo bën që edhe universitetet tona të rankohen shumë poshtë në rankimet e ndryshme internacionale. Thjesht të ndërmarrësh një rankim me një agjenci, sado të njohur internacionale, nuk është reformë. Çfarë do presësh nga rankimi kur ke dhënë në 2021 më pak se 20 mijë lekë/pedagog ose kërkues në vit për kërkim? Nga do të prodhohet shkencë, kur nga fondi i shkencës shpërndahen më pak se 1,5 milionë USD në vit?!

Plani i buxhetit 2023 duket sikur ka bërë një hap para. Ka planifikuar rreth 9 milionë USD për Fondin e Shkencës (që zë rreth 0,05 % të PPB, ose rreth 20 herë më e ulët se mesatarja e BE), ku janë përfshirë edhe 3 milionë USD fonde të huaja. Nga ky fond do të paguhet edhe detyrimi që ka Shqipëria në Bruksel. Kjo do të thotë se mbetet një fond rreth 5-5,5 milionë USD. Edhe ky fond është ende shumë i ulët dhe nuk kapërcen 80 mijë lekë për pedagog/kërkues në vit. Çfarë mund të bëjë një pedagog me kaq pak financim. Pa përmendur këtu faktin se nga ky fond përfiton rreth 2-3 % e numrit total të pedagogëve në arsimin e lartë publik dhe privat.

Komuniteti ynë akademik përbën një potencial njerëzor të mirëkualifikuar me shumë rëndësi për zhvillimin e vendit. Rreth 30 % e këtij komuniteti kanë kryer kualifikime edhe në universitete të Europës dhe SHBA. Për shkak të mosfinancimit të shkencës, pedagogët/kërkuesit përpëliten të aplikojnë në programin e shkencës HORIZON të BE. Dihet se gara në këtë program është shumë e fortë, sepse garohet me grupe kërkimore të vendeve shumë të zhvilluara që kanë infrastrukturë moderne për kërkim dhe know how të nivelit shumë të lartë, ndërkohë që vetëm pak fakultete kanë një infrastrukturë të pranueshme për kërkim në shkencat e aplikuara. Madje, suksesi në aplikim në Programin HORIZON është rreth 10% edhe për vendet e zhvilluara.

Financimi thuajse inekzistent i shkencës bën që komuniteti ynë akademik të bëjë thuajse vetëm mësim dhe shumë rrallë ndonjë projekt të vogël kërkimi të përfituar me stërmundin të madh, madje edhe financiar në kurriz të buxhetit të familjes. Kjo do të thotë që potenciali shkencor krijues ose prodhues i dijes i komunitetit tonë akademik thuajse nuk shfrytëzohet. Zënia vetëm me mësimdhënie nuk arrin të shfrytëzoj as 50% të potencialit intelektual krijues të këtij komuniteti. Që këtu lind pyetja: a ka luks Shqipëria të mos shfrytëzojë të paktën gjysmën e potencialit shkencor krijues të një komuniteti prej rreth 6000 pedagogësh/ kërkuesish, i cili është edhe grupi me nivelin më të lartë të kualifikimit në vendin tonë!

Aftësitë dhe dijet e pashfrytëzuara të këtij komuniteti në interes të zhvillimit vendit janë një humbje e madhe për vendin. Nga ana tjetër, financimi thuajse inekzistent i shkencës, shkakton edhe një humbje e madhe edhe për vet pedagogët dhe kërkuesit, të cilët nuk mund të zhvillojnë një karrierë akademike të suksesshme dhe të marrin pjesë aktivisht në zhvillimet internacionale të disiplinave shkencore përkatëse. Ky është një shkak i fortë, se pse shumë pedagogë dhe kërkues të rinj largohen nga vendi dhe punësohen në universitete të vendeve të tjera, të cilët ka uri për të rinj dhe i mirëpresin ata. Në këto kushte, edhe të rinjtë që studiojnë dhe kualifikohen në universitetet e huaja nuk kanë asnjë nxitje për t’u kthyer në vend dhe për t’u punësuar në universitetet tona. Sa më gjatë të vazhdoj kjo gjendje, aq më shumë do të rritet edhe brain drain nga vendi ynë, çka do të thotë një humbje shumë e madhe në burimet njerëzore më të kualifikuara për vendin.

Kjo situatë paradoksale e varfërimit të vendit në burime njerëzore dhe mosshfrytëzimit të potencialit të madh shkencor të komunitetit akademik të vendit tonë, kërkon një ndërgjegjësim, më së pari të qeverisë dhe gjithë politikës. Fatkeqësisht, akoma as qeveria dhe as shumica e politikanëve nuk e vlerësojnë rëndësinë e potencialit krijues shkencor të komunitetit tonë akademik, madje shpesh edhe e paragjykojnë dhe anatemojnë atë, deri në sulme të hapura ndaj tij. Kjo është miopi e thellë politike. Shqipëria nuk mund të zhvillohet vetëm me ekspertët shumë të shtrenjtë nga NGO apo studiot e huaja, por, më së pari, nga mendja dhe ekspertiza e nivelit të lartë që zotëron komuniteti akademik shqiptar.

Buxheti 2023 është akoma në Kuvend. Nëse qeveria dhe maxhoranca janë të gatshëm ta kuptojnë këtë situatë, le të fillojnë me një rritje të buxhetit të shkencës, në nivelin shumë modest 0,15 % të PPB për vitin 2023, e cila, sërish do të ishte 5–7 herë më pak se investimi që bën Turqia, Serbia apo Sllovenia për shkencën (0,75 – 0,95 % të GDP). Le të provojë qeveria të investoj 30 milionë USD për shkencën në vitin 2023, ose e thënë ndryshe, të pakësojë buxhetin që planifikon për 5-6 km rrugë të re. Unë e di se kur deputetët do ta lexojnë këtë shifër do të qeshin, sepse nuk arrijnë dot të imagjinojnë, se ky buxhet do të vinte në punë makinerinë e fuqishme krijuese të rreth 6000 kërkuesve me kualifikim të lartë, të cilët do të ndërmerrnin projekte në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe jetës së vendit. Pastaj, sa për informacion, për ata që janë larg kësaj fushe, sot janë pafund universitete të vendeve të zhvilluara, madje edhe të Turqisë, që kanë buxhet për kërkim mbi 100 mijë USD për çdo kërkues në vit. Me një buxhet vjetor prej 30 milionë USD mund të financoheshin rreth 3000 projekte me nga rreth 10000 USD/vit për çdo projekt. Dhe nëse në çdo projekt marrin pjesë 2 pedagogë apo kërkues, do të thotë që i gjithë komuniteti ynë akademik do të kishte mundësi reale të zhvillonte kërkim shkencor, pra, do të kishte mundësi të krijonte dhe të kërkonte zgjidhje shkencore për problemet e pafund që presin zgjidhje në çdo sektor në vendin tonë. Pra, e imagjinoni dot se, vetëm me një buxhet sa ai për 5-6 km rrugë, vihet në punë kapaciteti shkencor, i lënë në gjumë, i rreth 6000 njerëzve të mirëkualifikuar për zhvillimin e vendit.

Nëse do të zhvillohej një politikë e qëndrueshme e rritjes së investimit për kërkimin, me synim arritjen, brenda 5 viteve, të paktën në nivelin 0,6 % të GDP (pra afërsisht sa gjysma e mesatares që kanë sot vendet e BE, rreth 1,2 % e GDP), efektet pozitive do të ishin shumë të mëdha.

Efekti i parë do të ishte ai në rritjen ekonomike. Investimi në kërkim ka qenë historikisht rruga kryesore e zhvillimit të shpejt ekonomik të vendeve të zhvilluara.

Kjo ligjësi në këtë shekull të dijes, është akoma më e fortë. Studimet makroekonomike tregojnë se rritja e investimit për kërkim, në vendet me nënfinacim të theksuar të shkencës, shoqërohet me një rritje shumë më të madhe të GDP, në një raport të paktën 1 me 150. E thënë ndryshe: 1 euro rritje e investimit, nisur nga ky nivel kaq i ulët, në shkencë në vendin tonë do të çonte në rritjen e GDP me rreth 150 euro! Efekti tjetër do të ishte rritja e cilësisë së arsimit të lartë, me mundësi reale për t’u përafruar me standardet e vendeve të zhvilluara. Fuqizimi i kërkimit shkencor është rruga më kryesore e rritjes së cilësisë dhe e modernizimit të universiteteve. Universitetet pa shkencë në këtë shekull do të braktisen nga studentët e pedagogët e rinj dhe janë të destinuar të kthehen në shkolla pas të mesme ose të mbyllen. Janë plot efekte të tjera pozitive. Do të frenohej largimi i të rinjve të mirëshkolluar dhe do të nxitej kthimi i atyre që studiojnë jashtë vendit. Një investim i tillë do të sillte një “revolucion” të vërtetë në veprimtarinë kërkimore dhe atë botuese të nivelit të lartë internacional, sepse do kishte një efekt multiplikator në thithjen e fondeve nga programet e BE për kërkimin shkencor. Unë jam i sigurt se komuniteti ynë akademik ka kërkues, njësoj ose edhe më të kualifikuar, sesa Kroacia apo Serbia. Por, këto vende kanë bërë progres të jashtëzakonshëm në shumë fusha të shkencës dhe kanë grupe shkencore të mirafirmuar edhe në planin internacional, sepse kanë investuar në shkencë, madje duke marrë edhe kredi të huaj për të rritur financimin e kërkimit shkencor. Më tej akoma. Një investim i rritur do të krijonte edhe mundësi reale për të aplikuar edhe shpërblimin mbi bazën e performancës së arritur nga çdo pedagog në aplikime për projekte dhe në botime shkencore të nivelit të lartë. Mund të renditen këtu edhe plot efekte të tjera pozitive.

Përveç financimit, një faktor tjetër shumë i rëndësishëm është reformimi i plotë i kërkimit shkencor në universitete, në mënyrë që jo vetëm të nxitet kërkimi shkencor, por edhe të sigurohet cilësia e tij, përmes transparencës së plotë të punimeve kërkimore, në të gjitha nivelet, që nga agjencia financuese deri në njësitë bazë, departamente dhe grupet kërkimore, për të luftuar fiktivitetin dhe plagjiaturën në shkencë. Fiktivitet dhe plagjiaturë ka edhe në shkencë dhe jo vetëm në vendin tonë. Por punimet apo botimet fiktive apo plagjiate duhen cilësuar me emrin dhe mbiemrin e autorit dhe udhëheqësit shkencor, që mbajnë përgjegjësi direkte. Sigurisht, këto fenomene luftohen me përgjegjshmërinë e autoriteteve dhe organeve kolegjiale që drejtojnë njësitë akademike si dhe procedurat e promovimit për tituj dhe grada shkencore. Por, për këtë lypset një sistem modern i informacionit në kërkim, i cili në epokën e sotme të digjitalizimit, garanton që çdo e dhënë e rrjedhur nga studimi shkencor të evidentohet dhe të mbetet e pacenuar në bazat e të dhënave, të cilat ruhen përgjithmonë dhe mund të kontrollohen për vërtetësinë e tyre, në çdo kohë, që nga agjencia financuese, vlerësuesit, madje edhe nga bordet editoriale të revistave ku botohen artikujt me ato të dhëna. Ndryshe nuk mund t’u pritet rruga pseudoshkencëtarëve që mund të “marshojnë” për grada e tituj akademikë, madje edhe deri në ato më të lartët, fake, pa meritë reale shkencore, por mbështetur në të dhënave fiktive apo në vjedhjen e tyre nga grupe kërkimore, qoftë edhe të huaja. Në këtë këndvështrim, statusi i tanishëm i Agjencisë së Kërkimit nuk e përballon dot një investim të nivelit internacional në kërkimin shkencor, vlerësimin objektiv me oponencë internacionale, jashtë ndikimit të politikës, të projekteve, menaxhimin me anë të sistemeve moderne të informacionit dhe luftimin e fiktivitetit dhe plagjiaturës në shkencë. Ka ardhur koha për një institucion modern dhe me një status shumë më të lartë, pse jo edhe të nivelit të Fondacionit të Shkencës, sipas modeleve të vendeve të ngjashme me vendin tonë./Marrë nga Panorama.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH