Editorial

Shumë përgjegjësi individuale kthehen në përgjegjësi kolektive

Shkruar nga Liberale
Shumë përgjegjësi individuale kthehen në

Ervis Iljazaj  

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur ndëprerjen e mandatit të Kryebashkiakut të Vorës  Agim Kajmaku si pasojë e ligjit të dekriminalizmit .  Rasti i Kajmakut nuk është rasti i parw i kandidatëve që largohen si pasojë e këtij ligji, mjafton këtu të përmëndim rastin më të bujshwm në Shkodër me Valdrin Pjetrin. Madje, sipas të gjitha gjasave dhe ato që ka deklaruar opozita priten që të largohen dhe disa kryebashkiak të tjerë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Për hir të vërtetës, ligji i dekriminalizmit është një i ligj shumë  i ashpër dhe ndoshta duhet rishikuar. Për shumë arsye është kundër të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të caktuara në rendin kushtetues shqiptar, por edhe në konventa të ndryshme ndërkombëtare. Megjithatë, duke qenë se lidhjet e krimit me politikën në Shqipëri janë një problematikë e madhe,  këtë të keqe ekstreme është zgjedhur të luftohet me një mjet ekstrem sic është ligji i dekriminalizmit.

Përtej aspekteve kushtetues të ligjit dekriminalizmit, mund të thuhet që deri më tani ka rezultuar një ligj i suksesshëm. Që nga koha kur hyri në fuqi me insistimin e Partisë Demokratike dhe mbështetjes së tij nga partnerët amerikanë , janë larguar si pasojë e tij shumë deputetë dhe ish deputetë, dhe së fundmi pritet të largohen edhe kryebashkiakë të rinj. Pra, ligji i dekriminalizmit ka padyshim një rekord pozitiv, dhe kjo është një betejë e fituar nga Partia Demokratike si sponsorizuesja kryesore e këtij ligji.

Shumica e politikanëve që janë larguar si pasojë e ligjit të dekriminalizmit , ose më saktë të gjithë ata që janë larguar nga ligj janë pjestar të mazhorancës dhe Partisë Socialiste. Nuk është nevoja për të përmendur emra pasi lista është e gjatë. Mjafton këtu të përmendim listën e Qarkut të Lezhes në mandatin e kaluar, e cila mbaroi për shkak se deputetët e asaj liste u larguan nga ligji i dekriminalizmit.

Ndoshta, ky fenomen ka të bëjë me Partinë Socialiste për faktin se është normale që njërëz të inkriminuar i afrohen më shumë pushtetit. Cështja është nëse këta njërëz kanë hyrë në politikë në mënyrë rastësore dhe i  kanë shpëtuar kontrollit të asaj force politike, apo ngjitja e tyre deri në postet më të larta politike është e vetdijshme dhe me qëllim ?

Pikërisht këtu fillon problemi dhe diskutimi që duhet bërë. Përshembull, sa herë që ka një ngjarje të bujshme kriminale si ajo e ditëve të fundit me prokurorin e Durrësit, del gjithmonë një emër deputeti që është i lidhur në një fare mënyrë me të përfshirët në këto ngjarje. Me këtë nuk dua të them se deputetët që kanë lidhje me këta persona janë përgjegjës, por rastësia është e cuditshme. Madje, ekzistojnë disa deputetë në Parlamentin e Shqipërisë, emrat e të cilëve mesohen nga publiku vetëm kur ka ngjarje të tilla, sepse nuk ja kemi parë as fytyrën dhe as ja kemi dëgjuar zërin më parë në Parlament duke folur apo diskutar për një ligj të caktuar.

Të gjithë këtë fenomen që  lidh Partinë Socialiste me persona me precedent penal, Kryetari i saj Edi Rama e ka justifikuar thjesht dhe shkurt, duke thënë se përgjegjësia penale është individuale dhe jo kolektive.

Ka të drejtë! Është e ditur që përgjegjësia penale nuk është asnjëherë kolektive por personale. Gjithsecili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij në të tashmen dhe në të shkuarën. Mirëpo, kur rastë të tilla brenda një force politike nuk janë një, nuk janë dy apo tre, por me dhjetra, atëherë këtu ka një gjë që nuk shkon. Shumë raste me përgjegjësi individuale kthehen në përgjegjësi kolektive.  Të paktën në përgjegjësi kolektive politike dhe jo penale, sepse ajo nuk ekziston në terma juridik. Dhe përgjegjësia kolektive politike në këtë rast, i takon padyshim atij që e pëfaqëson një forcë politike, që është kryetari i saj./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH