Gjyqi për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, lidhur me çështjen “Gërdeci” është shtyrë sërish.
Seanca e radhës do të mbahet më 29 shtator.
Vendimi erdhi pas kërkesës së SPAK për 52 dëshmitarë, mes tyre Aldo Bumçin dhe Shkëlzen Berishën.
Mbrojta e Mediut kërkoi kohë që të njihet me kërkesën e SPAK për dëshmitarët dhe provat, që të mos ketë përplasje mes tyre. Në seancën e radhës në 29 shtator, në 14:30 do të shprehet gjykata se cilët janë personat që do të pranohen si dëshmitarë.
Çështja ndaj ish-ministrit Mediu është rihapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.
Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta rigjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.
Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat.
Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës.