Dossier

Shteti që fyen poetin martir, Havzi Nela

               Publikuar në : 11:01 - 10/08/19 LP

Besim Ndregjoni 

Sot mbushen 31 vite që poeti disident, martir i lirisë, ndahet tragjikisht dhe fizikisht nga Kollovozi i Kukësit, nga Shqipëria, atdheu i tij i dashur, që i kushtoi jetën e tij në mbrojtje të lirisë dhe dashurisë njerëzore. Çdo vit përkujtimor, përveç ritualit të kujtesës mbi ata që nuk janë më midis nesh e që ua morën jetën pa të drejtë e ka të pashmangshëm edhe bilancin e ndërgjegjes sonë mbi ta, refleksionin e marrëdhënieve tona me ta, përderisa i kemi pranuar si pjesë e pandarë e kuptimit të ekzistencës sonë.
Për Havzi Nelën është shkruar vazhdimisht dhe mendoj se për të do të vazhdojnë të shkruajnë gjithmonë.

Në përgjithësi shoqëria, jashtë politikës, është munduar të zbardhë gjithçka rreth poetit: janë botuar poezitë e tij, janë analizuar e interpretuar krijimet e tij, një përmbledhje me shkrime të zgjedhura për Havzi Nelën çdo vit anembanë vendit, mbahen tubime shkencore, konferenca përkujtimore për poetin, janë bërë dokumentarë. Kukësi ia ka bërë nderimet, duke i vënë emrin e tij një shkolle gjimnazi. Dhe mbas 31 vitesh i bënë një bust dhe e vendosën para gjimnazit që mban emrin e tij, dhe jo aty ku ishte varur në litar. Presidenti e ka dekoruar Havzi Nelën me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, propozuar nga Unioni i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë. Gjithçka korrekte, gjithçka në përputhje me nderimin e poetit-martir, ashtu siç i takon një simboli të luftëtarit që flijohet për çështjet e përjetshme të lirisë e drejtësisë. Por nuk është aspak kështu për poetin që shkruante nga katakombet komuniste për “Frymën e Helsinkit”.

Poezi hymn, edhe sot mbas dhjetëra vitesh. Nuk është aspak kështu, sepse atdheu, të cilin poeti e mbuloi me muzën e vet, për poetin që vargjet i shkruante qelive, duke sfiduar xhelatët e diktaturës, për poetin që shkoi ballëhapur drejt vdekjes pa bërë asnjë lëshim të vogël, por duke marrë mbi vete gjithë frikërat e dobësitë tona, në emrin tonë, për këtë poet, pra, shteti ynë e paska të pamundur nderimin e kujtimit të tij. Sepse shteti shqiptar, institucionalisht, e ka fyer kujtimin e tij, duke luajtur me të një lojë me standarde të dyfishta, hipokrite. Sepse, paralel me nderimin dhe përkujtimin tonë, institucionet e shtetit, para se të nderojnë emrin e tij, e kanë fyer dhe njollosur kujtimin e Havzi Nelës. Shteti nuk nderon Havziun, por ata që vranë lirinë e Havziut.

Drejtësia e shtetit tonë nuk ka marrë mundimin për këto 31 vite të hapë një proces penal për të gjithë ata që ideuan, organizuan dhe përmbushën me gjakftohtësi, si në skenat mesjetare, varjen e poetit në litar më 10 gusht 1988, duke shënuar rekordin e turpit dhe të së keqes në krejt globin tokësor. Të gjithë ata persona që ishin pjesë e krimit, ishin dhe janë ende gjallë. Çfarë u bë me ta, vallë? Me ata të gjithë? Me ata një e nga një? Ekzekutorët e tij patën të gjithë karrierë të lavdishme politike e profesionale.

Së paku tre prej tyre që kanë hedhur firmat në aktin e dënimit me varje të Havzi Nelës, dihen. Ish-presidenti diktator komunist, Ramiz Alia, të cilin shteti e përcolli zyrtarisht me një ceremoni funerale si një hero, në shtrat të topit dhe për të cilin, të nesërmen u shkrua nëpër gazeta me lavde e superlativa dhe politikanët tanë e pagëzuan si politikan të matur, të qetë e liberal, një lloj Gorbaçovi shqiptar që shmangu gjakderdhjen, duke e lënë krejt në harresë faktin se të gjitha aktet e pushkatimeve i firmoste po ajo dorë kriminale “që druhej të mos derdhej gjak”(!).

Dy personat e tjerë që firmosën dokumentin janë gjallë. Ata kanë njohur kulmin e karrierës politike e administrative në shtetin demokratik shqiptar. Njëri, ish-deputet, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i dekoruar më 8 janar 2004 me urdhrin “Naim Frashëri”, ndërsa tjetra, ish-kryetare e ILDP, e dekoruar me po këtë titull në vitin 2009 nga presidenti tjetër i radhës. Nuk është vetëm rasti i Havzi Nelës, por edhe i martirëve të tjerë. Po njësoj janë dekoruar më parë xhelatët që vranë Trifon Xhagjikën, Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin.

Logjika është e thjeshtë: nëse shteti, me segmentet e politikës, pranon, nëpërmjet dekorimit të martirëve, të na i bëjë ata pjesë të vetëdijes sonë qytetare, atëherë, për të shmangur kontradiktën dhe pafytyrësinë duhet të ndëshkojë të gjithë ata që çuan në vrasjen e poetëve. E pakta moralisht duhej të bënte pezullimin e këtyre vrasësve nga postet e rëndësishme shtetërore e politike. Standardi i këtij shteti demokratik është i dyfishtë, kriminal, hipokrit fyes, si për kujtimin e viktimave, ashtu dhe për ndërgjegjen tonë qytetare tani që e kemi mësuar të vërtetën. Shteti demokratik me këto nderime jep shembullin më të keq: të nderosh viktimat si martirë nga njëra anë, dhe njëkohësisht, t’u hapësh mundësi për karrierë marramendëse vrasësve të tyre në të gjitha nivelet e administratës deri në Parlament. Fatkeqësisht, kështu kanë shkuar punët në Shqipërinë tonë. Nderimi nga ana e shtetit është kontradiktor, irritues e thjesht i pavlefshëm.

Çdo ditë shtypi shqiptar boton jetëshkrimet e udhëheqësve komunistë. Mbushen faqet e gazetave me tituj bombastikë e emisione televizive, se si Nexhmija i kushtonte kujdes Enverit që mos të na vdiste nga seksi natën. Dhe në faqet e shtypit dhe emisionet televizive nuk ka kohë e mundësi për Havziun, Pjetër Meshkallën, për Fishtën, e Visarin me heronjtë e Spaçit dhe Burrelit. Shtypi gjerman shkruan në Shqipëri nderohet diktatori nëpër muze dhe përbuzen viktimat… Ismail Kadareja bën një sugjerim në 20-vjetorin e varjes poetit. “Poeti është në botën e amshuar, por shoqëria shqiptare a është e qetë!” Në rrugëtimin tonë drejt përparimit dhe Europës, është shembulli i qëndresës, dinjitetit dhe martirizimit të poetit Havzi Nela, i cili nga katakombet e burgjeve komuniste parandiente “Frymën e Helsinkit”, kur politikanët e sotëm nuk ia dinin as emrin. Pikërisht, politika shtetërore me trashëgimtarët e diktaturës në instancat më të larta të Drejtësisë e mban peng të vërtetën e krimit komuniste.

Në këtë mënyrë, e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng i së shkuarës, përderisa nuk përballemi ligjërisht me të, por mundohemi t’i gjejmë zgjidhje problemit duke i rënë atij nga dera e pasme, d.m.th. duke ia lënë zgjidhjen kohës, vdekjes biologjike të aktorëve, me shpresën se ndoshta një ditë gjithçka do të harrohet.

“Nëse ne nuk do të ishim një shoqëri e përgjumur, shpërfillëse, nëse ne do të dinim të reagonim, të kërkonim llogari, atëherë jam i bindur se shteti nuk do të mundet të abstragojë nga kujtesa e vërtetë e Havzi Nelës, Vilsonit dhe Gencit, thjesht sepse ata ishin njerëz realë, se litari, plumbat e togës dhe vdekja e tyre ishte reale dhe se vepra e tyre letrare vazhdon të jetë reale, të dëshmojë për ta. Europa si ëndërr, së cilës po i sillemi vërdallë, frymoi për së pari si ajër i vjedhur lirie në Kollovoin e Havzi Nelës, e në Bërzhezhdën e Vilsonit dhe Gencit, nëpërmjet vargjeve të poetëve martirë.

Ne duhet t’ia kthejmë Europës dëshmorët e saj të parë, të rënë në ferrin e totalitarizmit stalinist enverist shqiptar. Ne i afrohemi Europës me dëshmitë e martirizuara të lirisë, me Havziun, Trifonin, Vilsonin dhe Gencin, por dikush na mban peng në këtë vërdallosje, sepse mendon se në Europë duhet të shkojmë medoemos, më parë se me poetët e vrarë, me vrasësit e tyre. Dhe ngelemi jashtë Europës, se ajo nuk na pranon me vrasësit e poetëve, por me martirizimin e poetëve. Duke qenë heroi i vetvetes, ai natyrisht që jepte nga vetvetja edhe për të tjerët: “Vdekja për liri nuk më tremb aspak. Si e duron robninë zemra e një trimi?”. Kështu shkruante një vit para vdekjes poeti ynë Havzi Nela./Gazeta Liberale

 

(Visited 83 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *