Ervis Iljazaj
Në thelb kushtet e vendosura nga Gjermania për Shqipërinë tregojnë dy gjëra. E para, dështimin total i klasës politike shqiptare në çështjen e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Ka pothuajse 6 vite që cështja e negociatave me Bashkimin Europian nuk avancon asnjë centimetër. Përkudrazi, po të shohësh kushtet e Gjermanisë duket sikur janë bërë hapa pas, pasi janë edhe më shumë se vitet e tjera.
E dyta, po-ja me kushte është një përpjekje e qartë e Gjermanisë për mos ti ndërprerë perspektivën europiane qytetarëve shqiptarë. Në këtë kuptim, ky është një vendim padiskutim i pamerituar dhe i sforcuar, ose e thënë ndryshe, një po me hatër. Për hatër të rëndësisë që ka Ballkani Perëndimor për Bashkimin Europian në aspektin gjeopolitik dhe strategjik. Por, kjo optikë nuk mund të vazhdojë përgjithmonë. Do të vijë momenti kur arsyet gjeopolitike të BE-së do të dorëzohen nëse politika në Shqipëri nuk do të bëjë detyrën e saj. Në këtë kuptim ky është shansi i fundit që kemi për procesin e integrimit.
Pikërisht ky është dhe iluzioni ku ka rënë politika shqiptare dhe kjo qeveri. Me idenë se Ballkani Perëndimor është interes gjeopolitik i BE-së dhe sidomos i Gjermanisë, ka rënë në iluzionin që herët apo vonë do të na pranojnë në Europën e Bashkuar. Mirëpo, BE nuk është një organizatë gjeopolitike si NATO, ku Shqipëria u bë pjesë e saj edhe pse nuk e meritonte. Bashkimi Europian është një qeverisje e përbashkët që nënkupton parime demokratike, ligjore dhe ekonomike të përbashkët. Dhe nëse Shqipëria nuk i plotëson këto standarte nuk ka asnjë mënyrë për tu bërë pjesë e kësaj qeverisje të përbashkët.
Edhe pse kushtet e Gjeramnisë janë 9, në thelb ato janë vetëm një, shteti i së drejtës me të gjitha parimet që ai nëkupton. Ky është kushti i vetëm dhe i përhershëm që Bashkimi Europian ka patur dhe do të ketë për Shqipërinë.
Të gjitha kushtet për Shqipërinë që ka vendosur Bashkimi Europian kanë të bëjnë me drejtësinë. Gjë e cila nënkupton ndërtimin e organeve të të reja të drejtësisë si Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese.
Jo vetëm kaq, por ajo cka lexohet te këto kushte, është fakti se edhe zgjidhja e krizës politike do të vije pikërisht nga këto organe. Dy kushtet e reja që i janë vendosur Shqipërisë janë hetimi i personave që kanë kryer krime elektorale dhe shqyrtimi i legjitimitetit të 30 qershorit, janë dy çështjet që mbajnë peng politikën shqiptare. Dhe këto cështje sigurisht që do të zgjidhen nga organet e reja të drejtësisë. Pikërisht ky është thelbi i asaj cka kërkon Gjermania, zgjdhjen e krizave politike nga oganet e drejtësisë, që janë arbitri në një shtet të së drejtës.
Deri më tani jemi mësuar që krizat krijoheshin dhe zgjidheshin nga politika, duke qenë se nuk kemi patur një arbitër të besueshëm si pushteti gjyqësor.
Debatet nësë kjo po e Gjermanisë me kushte është një lajm i mirë apo i keq, janë debate pakuptimtë. Ajo që ka rëndësi është ndërtimi i shteti shqiptar pothuajse nga e para. Sepse po të shikosh kushtet, pikërisht këtë gjë tregojnë. Mirëpo, kësaj herë nuk mjafton thjesht ndërtimi formal i tij, por funksionimi i shtetit shqiptar në bazë të parimit të shteti të së drejtës. Kjo gjë me siguri do të kërkojë shumë kohë dhe do të varet nga sjellja e politikës dhe shoqërisë shqiptare. Se sa do të jemi në gjenjde ta ndërtojmë këtë formë shteti, kjo mbetet për tu parë. Por, nëse nuk e ndërtojmë një të tillë antërasimi në BE do të mbetet thjeshtë një iluzion, ashtu sikurse është iluzion dhe po-ja e Gjermanisë. /Gazeta Liberale