Aktualitet

"Shqiptarët po të ikin me tufa", mediat greke sulmojnë Ramën

Shkruar nga Liberale
"Shqiptarët po të ikin me tufa", mediat greke sulmojnë

Fjalimi i Edi Ramës në Strasburg teksa kërkoi në emër të Shqipërisë zhbërjen e raportit të Dick Marty-t për për krimet e pretenduara se janë kryer nga drejtuesit e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë, nuk ka kaluar pa u vënë re.

Pas reagimeve të forta që shkaktoi në Shqipëri, Kosovë e Bruksel, falë edhe përplasjeve që Rama pati me një eurodeputet rumun dhe atë greke, Nika Kasimati, janë mediat greke të cilat shprehin rezervat e tyre për kryeministrin shqiptar.

Në një analizë të botuar në Ekathimerini, me autor Stavros Tzimas, fjalimi plot prepotencë i Ramës dhe gjuha e ashpër që përdori lidhen fort me besimin që atij i jep miku i tij i afërt, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan.

Në artikull nënvizohet se Edi Rama është përfshirë në një valle të çuditshme ballkanike me Erdoganin, ku mbrojnë interesat e njëri-tjetrit dhe kjo nuk mund t’i shpëtojë BE-së, dhe aq më tepër SHBA-së, e cila sipas medias greke ka nisur “pazarin” për një lider të ri që nuk do ta kthejë Shqipërinë në një satelit të Turqisë.

Disa ditë pasi dy shkolla në Tiranë u mbyllën me urdhër të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan – sipas mediave turke – sepse ato ishin, me sa duket, “qendra terroriste” të drejtuara nga kleriku në mërgim Fethullah Gulen, kryeministri shqiptar Edi Rama udhëtoi për në Ankara, ku do të takohej me liderin islamik.

Shqiptarët mësuan për udhëtimin nga një fotografi që ai postoi në rrjetet sociale ku shfaqet me Erdoganin, pa dhënë komente të tjera. Prandaj, nuk është e habitshme që spekulimet rreth qëllimit të vizitës së tij u përhapën në sferën publike.

Zgjidhja e misterit erdhi vetëm pak ditë më vonë, në Strasburg. Duke folur në Asamblenë e Këshillit të Evropës, Rama i këndoi lavdërime Erdoganit me aq pasion sa shkaktoi reagime.

Frustrimi u përhap kur ai sulmoi – në një mënyrë të mirënjohur në Kuvendin e Shqipërisë (me sarkazëm) – përfaqësuesen e të Majtës së Bashkuar Evropiane, deputeten greke Nina Kasimati, e cila e kritikoi atë për raportin e afërt me Turqinë.

Si rezultat, krerët e grupeve politike në këshill anuluan një darkë që kishin organizuar për nder të tij.

Rama zgjodhi atë forum për të lavdëruar “vëllain e tij të madh” dhe aleatin e tij strategjik në sytë e evropianëve, të cilët gjithashtu janë vënë në shënjestër të kërcënimeve të Erdoganit. Ka diçka kontradiktore dhe të pashpjegueshme në aspektin politik në këtë “romancë” mes kryeministrit shqiptar dhe presidentit turk.

Sepse ashtu si Rama kërkon ta bashkojë vendin e tij më fort me axhendën islamike të Erdoganit, njerëzit në Shqipëri i kanë sytë e kthyer fort nga Perëndimi dhe mënyra e jetesës atje.

Populli shqiptar, dhe veçanërisht të rinjtë, po largohen me tufa nga vendi dhe jo sepse po kërkojnë “parajsën” e Erdoganit, siç i mëshoi Rama. Eksodi është bërë aq i mprehtë në fakt, sa ambasadori britanik në Tiranë i bëri thirrje të rinjve shqiptarë që të mos braktisin vendin e tyre.

Dhe nëse, siç pretendon Rama, interesat e Shqipërisë qëndrojnë në anën tjetër të Egjeut, atëherë pse vendi dëshiron të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian?

A mund të thuhet se në vend të kësaj (siç thuhet hapur në Shqipëri dhe pëshpëritet në sallat e diplomacisë evropiane) qëndrojnë interesat personale të Ramës që po e çojnë atë në këtë valle të çuditshme ballkanike me Erdoganin?

Dhe a do të pranojnë evropianët një Shqipëri satelite të Turqisë në Adriatik dhe Mesdheun qendror?

Natyrisht jo, por në mungesë të një alternativë të qëndrueshme, ata janë të detyruar të fusin të gjitha vezët në shportën e Ramës. Shtetet e Bashkuara, megjithatë, thuhet se po “bëjnë pazare vërdallë“.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH