Dossier

Shqiptarë dhe serbë

               Publikuar në : 09:30 - 22/12/21 ro ot

Mustafa Kruja*

Më poshtë botojmë përkthimin shqip të një interpelate q’i bën deputeti serb z. Grigor Bozhoviqi ministrit të jashtëm të shtetit të tij mbi përfaqësonjësin e rí të Shqipërís në Belgrad, Ceno Bej Cernogllavoviqin. Zoti Bato që na dërgon këtë përkthim nga Bukureshti e përcjell dhe me një notë të tij t’ interesantëshme. Po me këtë rasë nuk është keq që të bëjmë dhe né një analizë të shkurtër e të kthjelltë të një tendence të ré që ka filluar të çfaqet prej ca kohë si një fenomen politik i papritur në disa qarqe politike të Belgradit mbi marrëdhënjet e dy shteteve fqinj të Ballkanit: Jugosllaví dhe Shqipërí.

Politikanët serbë, me Nikolla G. Pashiqin në krye, të dehur keq prej triumfit të pashpresuar t’armëvet të tyre në dy luftërat ballkanike, të pështetur e të siguruar mirë prej Rusís cariste dhe prej një rrjeti të gjërë forcash dipllomatike e ushtarake që endej në mes të dy oqeanëve, besuan një herë se asnjë fuqí në botë nuk do të qé e zonja t’ua nxirrte nga dora brigjet shqiptare t’ Adriatikut që kishin pushtuar prej sundimit të kalbur të perandorís otomane. Dhe për të siguruar këtë, nuk lanë mjet pa përdorur kundër popullit shqiptar të çarmatosur : as plumbin, as bajonetën, as fjalën, as pendën. Mijëra e mijëra shqiptarësh, grá, foshnja, pleq e të rinj u vranë, u therën dhe u dëbuan ; fara shqiptare iu paraqit botës së qytetëruar si një njollë për të : populli autokton e më i vjetër i Ballkanit u tregua si një bandë egërsirash antropofage, në fazën më primitive të njerzís. Me një fjalë ky popull jo vetëm që s’ishte në gjëndje të formonte një shtet më vehte, por, n’ interes të paqes së Ballkanit e të dinjitetit t’Evropës së qytetëruar q’e kishte në gjí, meritonte të shuhej kryekëput ose, e paka, të skllavërohej e të shtyhej në qytetërim me kërbaç. Mjafton, në mes të qindra shkrimeve kësodore, të këndohet “Shqipërija dhe Fuqít e mëdhà” botuar serbisht dhe gjermanisht në mijëra kopje prej një ish-kryeministri serb, Vladan Gjorgjeviqit, me shpenzimet e qeverís së Belgradit dhe…. përkthyer frëngjisht prej M.T. Kral Aleksandrit I, princit trashëgimtar t’atëhershëm të fronit të Karagjorgjeviqëvet, për të pasur këndonjës sa më shumë në botë.

Por u bë si u bë, dhe këtyre politikanëve të verbuar nga ultra-nacjonalizma serbe nuk u doli falli mu ashtu siç e kishin parë. Dhe zëri i shqiptarëvet, sado i ndrydhur e i mbytur prej bajonetavet armike pa farë mëshire e shkrupulli, diku gjeti vesh të dëgjohet. Ndonëse i qethur dhe i cungulluar, u njoh një shtet independent shqiptar. Gjysma e Shqiprís së vërtetë u sakrifikua, por brigjet e Adriatikut, që nga gryka e Bunës gjer te kepi i Stilos mbetën në duart t’ona. Atë që s’e shihnin dot politikanët e verbër serbë, e kuptoi diplomacija e hollë e fuqivet të trikuptimit, të cilat, megjithëqë donin t’a përkrahnin Serbín kundra trilidhjes, s’ishin gati të përballin një luftë të përgjithëshme të sigurtë për hatërin e saj. Mjaftonte për tó, bile qé një triunf i madh shuplaka e rëndë q’i dhanë politikës gjermane “Drang nach Osten” me futjen e Kosovës shqiptare ndën thonjtë e serbëvet dhe me coptimin e krejt Maqedonís në mes të Shteteve të Ballkanit t’ asaj kohe.

Megjithëkëtë, në qenë të kënaqur mbrojtësit dhe përkrahësit e lakmivet serbe nga kjo zgjidhje e problemës së “njeriut të sëmurë”, siç quhej Turqija prej një gjysmë shekulli e tëhu, nuk qenë gjithashtu serbët vetë. Çudija më e madhe është se verbërija e tyre nuk u kufizua në besimin që kishin në fillim se do të mundin t’a fshinjë nga karta e Evropës emrin shqiptar dhe Shqipërí, por vazhdoi dhe më tutje me të tëra konsekuencat funeste që sot po u kërcënohen mbase gjithë popujvet të Ballkanit dhe jo vetëm neve dhe atyre. Në vênd që t’i jepnin dorën shtetit të ri fqinjë për t’a mëkëmbur dhe për t’i lehtësuar vështirësít natyrale qi ka çdo komb në rilindjen e tij, të zgjonin e të forconin vëllezërín në mes të dy popujvet shoq me shoq dhe me fqinjt e tjerë të Ballkanit për të formuar së bashku një bllok çeliku kundër rreziqeve të përjashtme, ata bënë ç’mundën për të na dobësuar neve dhe vehten, për të mbjellë farën e grindjes dhe të shkatërrimit, dhe kështu me imperializmin e tyre të pafré i hapin portat, më të katër anët e sinisís, një imperializmi tjetër shumë më të fortë për dëm të madh të të gjithë popujvet të saj. Vazhduan në masakrimin dhe martirizimin e shqiptarëvet që patën fatkeqësín të mbeten nën sundimin e tyre. Blenë tradhëtorë, pajtuan mercenarë duke pandehur se këta do të mundnin t’a sundojnë shtetin shqiptar për hesap të tyre. Rezistenca e nacjonalistëvet t’anë për mbrojtjen e integritetit dhe t’ independencës së Shqipërísë, ndonjë klithmë e rrallë dhe e dobët e këtyre në jehonë të gjëmimit të vëllezërvet të martirizuar matanë të kufirit, u quajtën serbofobí dhe irredentizmë, kurse pretendimet e çdo nacjonalisti të vërtetë shqiptar kundrejt fqinjës ofensive ishin nga më modestet që mund të ketë çdo popull në botë që ndodhet në konditat t’ona: “Lenani në paqe dhe kini pak mëshirë për vëllezrit t’anë që sundoni!…”. Këtë u kemi thënë gjithnjë, dhe këtë u themi dhé sot.

Ç’të bënim dhe ç’të bëjmë tjetër? Kemi dashur dhe duam gjithnjë të jemi ballkanas dhe në lidhje të ngushta, miqësore e vëllazërore, po të jet’ e mundur me të gjithë ballkanasit, duke qënë zot seicili në shtëpín e vet. Por fatkeqësisht serbët dorën e vëllazërisë, sa herë që u ësht shtrirë, e kanë prapsur me përbuzje. Na kanë shtyrë me shqelme të kërkojmë shpëtim në të tjera drejtime. Dhe pastaj kanë bërtitur se nacjonalistët shqiptarë janë armiq të Serbís dhe të parimit “ballkanet të ballkanasve”.

Lufta botore i shpuri serbët n’apogjén e pushtetit të tyre dhe kjo i madhështoi ca më keq. Peripecít e kësaj lufte patën shumë faza që duhej t’i kishin shtyrë ata të bënin një shqyrtim ndërgjegjeje, një examen de conscience, për një rikëqyrje radikale të politikës së tyre imperialiste. Për dy vjet me radhë vendi i tyre hyri, pas një shekull lirije, përsëri ndënë zgjedhë të huaj. Të kishin qënë të tërë popujt e Ballkanit të lidhur me një besë nuk dimë a do t’u ngjante ay kob q’u ngjau! Por këta në vênd që t’ ishin të lidhur u dërmuan në mes të tyre. Populli shqiptar mbeti pasiv. Këtë situatë, në një përpjesí shumë të madhe e kish krijuar politika imperialiste serbe.

T’ish zbatuar pakti i Londrës, në bazë të të cilit kishte hyrë Italija në luftë, shteti S.H.S. në vênd të Shqiprís së vogël do të kishte sot për fqinj një komb dyzet milionësh dhe shumë më të përparuar se ay vetë. Ç’do të kish ndodhur atëherë për fatin e atij shteti trishkronjash? N’ësht se nuk u zbatua pakti i Londrës, ky fakt i lumtëruarshëm nuk rodhi sigurisht as prej gjenís diplomatike të Belgradit as prej forcës s’ armëve të tij, por prej një kompleksi rrethanash të papandehura dhe pjesërisht prej asaj, se në njërin breg t’ Adriatikut rronte një komb që serbët kanë vuajtur vjet me radhë t’i mohojnë eksistencën. Ay komb që qé i zoti t’i bëjë më të madhin shërbim vehtes dhe krejt Ballkanit duke e shtrënguar, thjesht me vullnetin e vet, gogolin italian të zhduket dhé nga çipi i fundit e më i lakmuar i tokës shqiptare. Por nuk duhet të harrojnë politikanët serbë se rrethanat e një kohe nuk përsëriten kurrë identike dhe se një popull i vogël si i yni, edhé sikur t’ish përbërë me të vërtetë prej gjigantësh, nuk mund t’iu bëjë ballë gjithmonë në krye të vet popujvet që janë më të mbëdhenj, dhe nuk mund të bashkohet, as për mbrojtjen e vet, me fqinj q’e shqelmojnë, e përbuzin pareshtur dhe që gjithnjë kërkojnë t’a bëjnë kafshitë për vetëhe.

*****

Sot një pjes’ e ngushtë e shtypit jugosllav, me gazetën “Politika” në krye, ka zënë t’ alarmohet prej influencës së thellë italiane të futur në Shqipërí. Alarmi ësht i arsyshëm dhe i justifikuar. Por faji për ç’po ndodh nuk është veçse i politikanëvet serbë. Po vallë do të kenë këta aq bon sens[1] që t’a shohin, të pakën sot, këtë faj të madh në vehten e tyre? Apo do t’a humbasin toruan siç e kanë humbur gjer tani? Dhe do të dinë vallë t’i venë sëmundjes në rrënjë? Në qoftë se po, né i urojmë me gjithë zemër n’ interesë të marrëdhënjeve të mira e të sinqerta që dëshirojmë të mbretërojnë në mes të dy popujvet fqinj për të mirën e njërës anë e të tjetrës dhe të gjithë Ballkanit. Megjithëkëtë nuk mund t’a rrudhim vetëhen nga një skepticizmë e justifikuar prej provave të shkuara. S’ësht faji në personat q’ i shiten njërit e tjetrit; ësht në sistemin politik të pështetur në njerës të blerë dhe të shitur në marrëdhënjet me një shtet fqinj, ësht në sistemin politik që ka ndjekur Belgradi gjer tani dhe po ndjek akoma drejt nesh.

Çështja ësht fare e kthjelltë. Dó shteti S.H.S. t’a pushtojë dhe t’a aneksojë Shqiprín me maskë ose pa maskë? S’e bën dot as me armë, as me para! Armët kur s’ia dhanë 1912-13 e 1914-18, as paskëtaj s’ia kanë për të dhënë. Përkundrazi mund të vënë re në dhé eksistencën e vetë. Me njerës të blerë kanë bërë mjaft eksperienca, dhe sot po e sheh se ç’ka fituar prej sish.

Apo dó shteti S.H.S. të pasurohet (!) me një copëzë të Shqiprís duke u ndarë kjo në mes të saj, të Greqís dhe t’Italís? Këtij qëllimi mund t’ia arrijë, ndofta, shpejt ose vonë. Dhe e vetëmja udhë për këtë ësht’ajo që ka ndjekur që nga krijimi i shtetit shqiptar e gjer sot. E le të vazhdojë më té!…

Përndryshe, në qoftë se Beligradit më së fundi i është mbushur mëndja si neve: a) që Shqiprín s’e ha dot vetëm n’asnjë mënyrë, dhe duke dashur t’a hajë vetëm, mund t’ia futë në gojë ndonjë tjetri me dorën e vet; dhe b) që copëtimi i Shqiprís, me shkeljen e domosdoshme në Ballkan të një kombi homogjen dyzet milionësh dhe përditë në shtim e në përparim, do të jetë një mynxyr’ e madhe edhé për avenirin e shtetit S.H.S., atëherë lypset të ndrrojë udhë gjersa s’është tepër vonë dhe të vendosë pa hezituar e pa prapamendime të merret vesh me të vetmin element shqiptar që ka për devizë absolute independencën politike dhe ekonomike të Shqiprís, neutralitetin e saj dhe zbatimin e drejtë të parimit “ballkanet të ballkanasve.” Duam të themi me elementin nacjonalist që sot ësht i ndjekur e i mërguar, por nesër do të jetë domosdo i zoti i fatit t’ atdheut të vet, në qoftë se ky do t’ eksistojë.

Skepticizma e jonë për një rikëqyrje të politikës në këtë kuptim nga ana e Jugosllavís, shtohet aq më tepër kur nuk shohim akoma ndonjë sugjerim serioz të këtillë as në mes të radhëvet të fushatës së hapur kundër Ahmet Zogut. Vetëm një rreze shprese mjaft e zbetë po na jipet sot prej një deputeti opozitar, zotit Grigor Bozhoviq, n’ interpelatën që ka bërë në Skupçinën e Belgradit në rasë t’emërimit të Ceno Cernogllavoviçit si përfaqësonjës i Shqiprís pranë qeverís jugosllave. Ay thotë: “… Pështetja në bejlerët e turqëzuar, parimet e të cilëvet në politikë janë mashtrimi e gënjeshtra dhe për të cilët politika, qoft’ e brendëshme a e jashtme, nuk ësht politikë siç e kupton bota, por vetëm dallaverë e thjeshtë turke, i dha opinionit t’onë të drejtë të pretendojë se politika e jonë e jashtme kundrejt shtetit shqiptar dolli krejt e pafrytëshme!”; dhe më poshtë: “Neve kjo gjë na dha konvikcjonin e plotë a urdhërin kategorik se në Shqiprí nuk duhet, këtej e tutje, të përkrahet politika e bejlerëvet dhe se interesat t’ona jetore duhen mbrojtur në mënyrë tjetër dhe me rrugë më të caktuara!”.

E përgëzojmë z. Bozhoviq për një të vërtetë të hidhur që ka guxuar të thotë aq hapur mbi politikën e shtetit të tij me Shqiprín. Vetëm se ay nuk i cakton, n’ interpelacjon që bën, direktivat e reja që kërkon t’i porositë shtëpís së verdhë. Mbase do t’i thotë në parlament duke zhvilluar interpelatën e tij. Dhe né po presim.

*****

Por duke pritur nuk mund të rrimë pa shtuar dhé ca vërejtje si për substancën ashtu dhé për ca hollësira me rëndësí të kësaj interpelate.

Pikësëpari duam të shënojmë se gjersa opinjoni i z. Grigor Bozhoviq të mbetet i kufizuar në personin e tij ose makar edhé në grupin e vogël të demokratëvet independentë, në të cilin ay bën pjesë, do të ketë vetëm një kuptim platonik pa asnjë efekt praktik në një t’ ardhme t’afërme. Situata e kërkon q’atë opinjon t’a bëjnë të tyre patjetër të gjitha ato qarqe që mund t’a vënë në zbatim menjëherë ose në një t’ardhme të shpejtë.

  1. Bozhoviq thotë n’ interpelatën e tij se Jugosllavija u gënjye keq dhe pati “provat më të mëdha të mosmirënjohjes e të bukëshkaltësís ndërkombëtare”. Të na falë z. deputet i Skupçinës! Sikur të mos e kish përdorur agjektivin e fundit të kësaj fraze do t’ ishte mê koherent me vehten e vet dhe mund të bashkoheshim dhé né me të. Dhe do t’i thoshim se atdheu i tij ç’mbolli atë që korri me Ahmet Zogun e shokët. Por një shtet për vepra ku as vetë s’është në rregull ndërkombëtarisht s’ka asnjë të drejtë të kërkojë miradije ndërkombëtare.

Sa për “turpin e madh” q’i ndershmi deputet serb qahet se Ministri i Punëvet të Jashtëme s’ka dashur t’i kursejë vendit të tij duke i dhënë agrementin një njeriu si Ceno Beu për të përfaqësuar një shtet të huaj pranë hoborit mbretënor të Jugosllavís, i japim plotësisht të drejtë. Megjithëkëtë, ay, sikur t’i kish njohur sa Cernogllavoviçin edhé përfaqësonjësit e tjerë të Shqiprís së sotme, mbase do të gjente pak ngushëllim duke mos e parë atdheun e tij të vetëm në këtë turp! Duket ka shumë qeverira në botën e sotme q’ e konsiderojnë politikën e jashtme jo shumë ndryshe se “bejlerët e tyrqëzuar” të Shqiprís.

Pas përshkrimit q’i bën, z. Bozhoviq do t’a njohë shumë mirë Ceno Begun. Dhe né s’kemi se ç’i shtojmë atij përshkrimi aspak, sidomos pasi ky argument nuk hyn as në temën t’onë. Vetëm na intereson të çkoqitim këtu se, duke mos kontestuar asnjë nga vrasjet dhe grabitjet, q’ay i ngarkon Cenës, shtetas serb, në kohën e okupacjonit austriak kundra serbëvet për Austrinë, gjith’ ato fakte tragjike po ay Cenë, nënështetas serb dhe jugosllav, i ka përsëritur dhé kundra shqiptarëvet, për hesap të serbëvet! Pra do t’a kishim quajtur më burrë dhe më të drejtë z. Grigor Bozhoviq sikur të kish pasur kurajën civile t’ia përmendte ata dhe ata bashkatdhetarit të tij, Cernogllavoviqit, kur ka dashur t’ia nxjerrë në shesh krimet që ka bërë.

Na vjen keq kur shohim se edhé vetë i ndershmi interpelonjës, që duket pak a shumë i frymëzuar prej realitetit, thotë: “Shqipërija vetë ka pasur prapamendime kur na e proponoi (Cenën) aq për të na treguar se na çmon paksa edhé të na tallet në fytyrë dhé me prestigjin t’onë të keq.” Por né e sigurojmë z-in e tij se këtu as Ahmet Zogu vetë s’i ka faj. E ké do të dërgonte tjetër veçse një shokun e vet?

Mê së fundi z. Bozhoviq shton dhé këto : “gjithë shqiptarët t’anë habiten ; besnikëve u vjen keq, të tjerëve u duket sikur Ahmet Beu i ka shtyrë kufít në Prepolac dhe kënaqen.” Né këtë pikë e gjykojmë pak më ndryshe. Besojmë se shqiptarët shtetas të mirë jugosllavë ishin gëzuar dje bashkë me serbët, kur më s’mbeti kufí i vërtetë në mes të dy shtetevet. Por sot u vjen keq dhe alarmohen kur shohin se Ahmet Zogu i ngriti kufít e Shqiprís së vogël jo vetëm me Jugosllavín e madhe, por dhé me Italín shumë më të madhe akoma. Ç’faj kanë shqiptarët e mjerë, z. Bozhoviq, në qoftë se ju mbualltë hithë duke pandehur se do të korrnit drithë? Sa për ata “të tjerët” e sigurojmë prapë z. deputet se si dje ashtu dhe sot janë gjithnjë të helmuar, në qoftë se dó të thotë për ata shqiptarë shtetas jugosllavë që dëshirojnë të shohin një atdhé të lirë makar për së largu, makar pa e gëzuar vetë atë lirí.

*Gazeta “Liria kombëtare” 2 Gusht 1926

 [1] Fren. : gjykim i shëndoshë /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back