Aktualitet

Hidrokarburet / Shqipëria vendi i vetëm në Ballkan me çmime mbi 2 dollarë për litër

Shkruar nga Liberale

Shqipëria edhe pse e uli çmimin e naftës me tre lekë, pas vendimit të Bordit të Transparencës, është vendi i vetëm në Ballkan, që i ka fiksuar çmimet kryesore të hidrokarbureve mbi 2 dollarë litri. E ndërsa vendet e tjera ose po heqin disa taksat si akciza ndaj importuesve që të ruajnë çmime të stabilizuara në treg, ose po vendosin çmim tavan ndaj konkurrencës, ose përmes politikave fiskale për të lehtësuar krizën po shpërndajnë bonus për të gjithë qytetarët (200 euro Italia dhe 100 euro Greqia), në Shqipëri nuk është e qartë se çfarë po ndodh me ndryshimet e vazhdueshme të çmimit, arsyet dhe qëllimin.

Çmimi në rritje i naftës dhe benzinës po shtyn shumë vende evropiane (dhe më gjerë) të përdorin masa të forta. Kroacia dhe Sllovenia, për shembull, kanë vendosur një çmim tavan për karburantin, në të gjitha stacionet e servisit, përveç atyre në autostrada që janë më të frekuentuara nga turistët e huaj. Në Kroaci nafta do të kushtojë 13,08 kuna për litër (1,74 euro), ndërsa benzina Eurosuper 95 do të kushtojë 13,50 kuna për litër (1,80 euro). Në Slloveni, një vend që tashmë adopton euron, çmimet maksimale janë pak më të ulëta.

Ndërsa në Itali qeveria po shqyrton zgjerimin e uljes prej 30 cent për litër në akcizën e karburantit që skadon më 8 korrik, në Shtetet e Bashkuara administrata e Biden i ka kërkuar Parlamentit të pezullojë taksën federale të benzinës e cila arrin në 18 cent për gallon (afro 4 litra) dhe atë në naftës që arrin 24 cent. Masa është kryesisht simbolike. Mesatarisht, një shofer në Shtetet e Bashkuara konsumon rreth 600 litra benzinë ​​në vit. Pezullimi i taksës federale do t'i kursente shoferit mesatarisht më pak se 10 dollarë në muaj. Me pak fjalë, taksa federale përfaqëson rreth 3% të kostos së benzinës amerikane, e cila ka arritur në 5 dollarë për gallon.

Po, por si është Shqipëria në krahasim me vendet kryesore evropiane?

Renditjet dhe çmimet e fundit pasqyrohen në “globalpetrolprices.com”.  Shqipëria është vendi i vetëm i Ballkanit që e shet naftën dhe benzinë mbi 2 dollarë, dhe ndryshe nga të gjitha vendet e tjera, përfshirë edhe ato të BE-së, që edhe pse e kanë çmimin më të lirë, standardin e jetesës më të lartë, po marrin masa konkrete si çmimi tavan, duke frenuar rritjen e mëtejshme të hidrokarburëve.

Çuditërisht, çmimi i benzinës italiane zë vendin e 24-të në botë me një mesatare prej 2.06 euro për litër. Në Francë çmimi mesatar është afër 2,09, në Spanjë 2,11, në Zvicër 2,15, në Britani të Madhe 2,17, në Holandë 2,37, në Finlandë 2,53. Ndër vendet e mëdha evropiane, vetëm Gjermania ia del më mirë se Italia, duke u ndalur te çmimi 1.90 euro.

Siç shihet Shqipëria ka çmime më të larta se edhe vendet me ekonominë më të fuqishme në Europë.

A qëndron pretendimi se nga mbledhja e më shumë të ardhurave duke aplikuar taksa më të larta do të ndihmohen shtresat më në nevojë, kur qytetarët i kishin paratë në xhep para taksimit dhe shumica prej tyre janë të sigurt se nuk do të përfitojnë kurrë më shumë nga rishpërndarja e të ardhurave, sikurse edhe proces i tillë sado i drejtë që të jetë mbetet i debatueshëm?  /Përgatiti: Liberale.al/

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH