Aktualitet

Shqipëria si India, mes luksit dhe varfërisë: 41% e automjeteve të prodhuara përpara 20 vitesh!

Shkruar nga Liberale
Shqipëria si India, mes luksit dhe varfërisë: 41% e automjeteve

India përkufizohet nga vendet e zhvilluara si një vend i madh me pabarazi të mëdha, ndërsa nëse për të huajt që ndeshen me qarkullimin e makinave në Tiranë, Shqipëria përkufizohet si një vend i vogël me pabarazi të mëdha.

Në Shqipëri veçanërisht në Tiranë gjenden nga njëra anë makina luksi me tepricë dhe nga ana tjetër makina të vjetra mbi normën mesatare të vendeve të tjera, çka tregon se shtresa e mesme po shkon drejt zhdukjes.

Rreth 41% automjete që përdoren në vend janë prodhuar përpara 20 vitesh, që kanë edhe nivel më të lartë ndotjeje. Një raport i publikuar nga INSTAT thotë se deri në fund të vitit të kaluar 92% e totalit të makinave janë prodhuar përpara vitit 2011.

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT rezulton se pjesa dërrmuese e makinave që përdoren në Shqipëri janë mbi 11- vjeçare.

Konkretisht 51.1% e autoveturave që qarkullojnë në vend janë me moshë 11-20 vite, pra mjete të prodhuara nga viti 2002-2011.

Kategoria e dytë ose 40,9% e totalit të makinave që qarkullojnë në vend, janë prodhuar përpara vitit 2002, pasi jetëgjatësia e tyre është mbi 20-vjeçare.

Në Shqipëri janë të regjistruara 639.379 autovetura gjithsej ku mbi 262 mijë janë me vit prodhimi përpara vitit 2002, kurse mbi 326 mijë mjete janë të prodhuara në harkun kohor 2002-2011.

Këto mjete kanë një nivel ndotje edhe më të lartë, për shkak të vjetërsisë së tyre, çka përkthehet në ajër më të ndotur në rrugët e Shqipërisë.

Për të frenuar futjen e makinave të vjetra dhe të përdorura në vend DPSHTRR, ka vendosur që prej 1 janarit të këtij viti të mos hyjnë në vend makina të prodhuara përpara vitit 2007.

Më pas janë makinat me jetëgjatësi 6 deri 10 vjeçare, që zënë 5.5% të totalit, kurse makinat e reja me vit prodhimi nga 2017-ta, është vetëm 2.5% e totalit të autoveturave që përdoren në vend. Shumica e mjeteve janë me kambio manuale dhe me konsum naftë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH