1

Shqipëria që nuk e njohim

               Publikuar në : 08:52 - 06/07/20 Ben Andoni

Nga Ben Andoni

Ajo që të shkon ndërmend nëse e lexon këtë titull janë trevat, ku kanë shkelur pak njerëz, udhëtarë, eksplorues, gazetarë apo politikanë, këta të fundit, për ndonjë ekskursion apo fushatë e që rendin pastaj në rrjetet sociale dhe e objektivizojnë shkrimin apo statusin e tyre për Shqipërinë “e panjohur”. Në fakt, Shqipëria ka qenë gjithnjë e njohur, madje edhe atëherë kur i mungonin udhët; kur sapo u ndërtuan ato në shekullin e shkuar; apo gjatë ndryshimeve të socializmit, kur për të shkuar në Shkodër të duheshin 4-5 orë të mira, apo në Gjirokastër mbi 6-7 orë e deri në Prishtinë kur para “Rrugës së Kombit“ të duheshin plot 13 orë mes qafa malesh.

Shqipëria “e panjohur” e shekullit XXI nuk është ajo e dikurit, pasi në Shkodër udhëtohet tashmë lirisht për 1.5 orë, kurse në Prishtinë mbërrin për tre orë. Veçse, Shqipëria e panjohur është sak ajo me të cilën tashmë na ndan një mur, një oborr, një rrugë e ne nuk dimë realisht asgjë për të. I japim lloj-lloj formash, duke i kërkuar në fund zgjidhje me sytë nga qielli Providencës, por e vetmja përgjigje që na vjen duket ajo që e artikulonte në antikitet Epikuri: “A nuk është ai as i aftë dhe as i gatshëm për ne? Atëherë pse ta quajmë Zot?”

Shqipëria që nuk e njohim është ajo e cila gjendet mu përpara syve tanë dhe që bashkëjetojmë por që kurrë nuk e marrim seriozisht ose e neglizhojmë. Nuk marrim seriozisht kriminelët që tashmë bëjnë ekzekutime për katalog, me qitje nga largësi të pabesueshme; nuk dimë si e përballin jetën shumë familje, ndihma sociale e tyre është gati milimetrike; nuk dimë gjallimin e sekteve fetare në vend dhe vdekja e dy pjesëtarëve të një familje na solli një dimension të paparë të së përtejshmes, që e kemi dëgjuar për histori të këtij lloji vetëm në dokumentarë; nuk “dinim” sesi valë pafund të rinjsh, deri para pak vitesh, në vend të emigracionit shkonin për migrim të brendshëm në Lazarat në javën e caktuar para syve të forcave të rendit; nuk dimë sesi mbahen realisht partitë, tashmë që nuk u besojnë dhe njerëzit më të afërt të tyre; nuk dimë sesi qarkullon ai informalitet i frikshëm në vend dhe pse nuk e kanalizojmë; nuk dimë realisht sesi droga përdoret realisht edhe në shkolla…Në një farë mënyrë, kur flitet për këtë Shqipëri “të panjohur”, diskursi politik i përball suksese dhe e lëbyr me imazhe e video suksesesh, kurse gjërat që i kemi para syve, duket se i referojmë nga përtej botës!!!

Fjala është se qoftë dëshpërimi dhe ngadhënjimi janë të pranishëm në të njëjtën ngjarje, e mendonte këtë lloj situate Hannah Arendt dhe se ne gjithnjë e manovrojmë natyrën nga një pikë në gjithësi jashtë tokës!

Pak kohë më parë, Shqipëria u përfshi në një debat të lodhshëm për futjen e njohurive të fesë në shkollë apo jo. Siç ndodh në këto raste menjëherë njerëzit që e ushqyen debatin u kanalizuan në dy anë: ata që ishin afër qeverisë dhe ideve të saj për futjen në shkolla dhe të kundërtit, që anatemonin gjithçka, për inat të të parëve. Në fakt, shqetësimi nuk ishin argumentet që sillnin, por realitetin e munguar të konfigurimit të fesë në vend. Por, le të shkojmë në një arsyetim ndihës: Për çdo verë, veç këtij viti pandemie, mijëra besimtarë të feve jo tradicionale mblidhen te Stadiumi “Selman Stërmasi” me një rekuizitë gati të njëjtë, me një badge korrekte identifikimi dhe një rregullshmëri të frikshme. Askush nuk flet ose foli për ta lidhur me masivitetin, ritualet, edhe pse censusi jep shifra gati të paqena për besimet në vend. Janë mu në mes të kryeqytetit dhe ardhur nga i gjithë vendi. Ata janë aty dhe bëhen të gjallë në media vetëm kur ka ngjarje, me një rregullsi të frikshëm, me përfaqësues nga të miturit e deri te moshat e treta. Kur nuk pranojnë të mjekohen, protestonin dikur të kryenin shërbimin ushtarak dhe ruajnë konfidencialitetin në masën më të madhe etj.

Sfida e parë që njeriu i bëri fesë ishte momenti kur u dha forcë teknologjie shkencore shqisave. Galilei me teleskopin e tij i dha një dimension më të përtejmë perceptimit shqisor dhe reformoi mendimin për universin për të ardhur në kohën e Bertrand Russell që tek “A free man’s worship” do të thotë se “këtej e tutje banesa e shpirtit mund të ndërtohet vetëm mbi themelin e një dëshpërimi të paepur”…Shqipëria e teproi me masën. Nuk mjaftoi që e degjeneroi fenë që pas lufte, kur ia preu të gjitha burimet dhe që në 1967 duke shfrytëzuar aksionet nga brenda i dha dërrmën duke e kthyer në absurd, por e lëshoi në një masë pa asnjë kontroll pas viteve ’90, kur Shqipëria u bë vend ku eksperimentonin të gjitha besimet. Nuk është vendi për të përmendur pasojat dhe sesa prej këtyre kinseve organizatave, bënë me shpëlarjen e trurit me një masë njerëzish. Por më absurd është bërë sot dialogu i fesë dhe narracioni publik e politik pas koperturës së harmonisë fetare që shfrytëzohet aq tepruar nga politika. Në fakt, një postulat i hershëm do të shërbente të kishim një lloj ekuilibri: Ashtu si është në çdo fshat një pishtar – mësuesi; ashtu do kemi dhe një shuarës – prifti, shprehej në kohë të vet Viktor Hugo

Por laicizmi, si ngjarje historike e prekshme, nuk nënkupton asgjë më shumë se ndarja e Kishës nga Shteti, e fesë nga politika dhe kjo, nga një pikëpamje fetare, nënkupton një rikthim në qëndrimin e hershëm të krishterë që thotë ’Jepi Çezarit ç’i takon Çezarit dhe Perëndisë ç’i takon Perëndisë’ dhe jo humbje besimi e transhedence apo një interesim të ri e të theksuar në sendet e botës, thotë Hannah Arendt që pak më tutje rrëfen se: “humbja moderne e besimit nuk është fetare në origjinë-ajo mund të datojë te Reforma dhe Kundërreforma, dy lëvizje të mëdha të epokës moderne dhe sfera e saj nuk kufizohet vetëm në sferën fetare”.

Edhe njëherë a e njohim realisht atë që është para nesh? Feja, realisht, që në katekizëm të jep idetë bazë të jetës, ku e mira morale inkurajon thjesht paqe e harmoni ato që realisht shoqëria jonë i ka më të nevojshme në këtë kohë, do shkruante dikur në një apel sociologu Tarifa. Por, problemi është se ne vazhdojmë e nuk e njohim Shqipërinë ose më mirë nuk duam ta njohim. E për fat, atë nuk na e thonë dot as Agjencitë e Shërbimeve që duhet ta mbrojnë e paralajmërojnë këtë vend për rreziqet, ashtu si institucionet tona të shumta, shpesh strehë e të paaftëve jo të pakët militantë.

Po pse vallë kjo Shqipëria “e panjohur” mbetet e tillë dhe kujtohemi për të pas maktheve si kjo e fundit me të vetëflijuarit?! Këtë nuk e themi dot me siguri, pasi duket se ka shumë që i kënaq kjo lloj virgjërie e shqiptarëve. (Homo Albanicus)

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back