Editorial

Shqipëria nuk mund të ketë një antikomunist për President, jo se nuk duhet, por se nuk mundet!

Shkruar nga Liberale
Shqipëria nuk mund të ketë një antikomunist për

Gentian Kaprata – Polity & Ideology

Përcaktimi nga z. Alibeaj se Presidenti i ardhshëm do të jetë antikomunist më kujtoi premtimin e z. Basha, në 13 maj 2017, se Republika e tij e Re sapo të vinte në pushtet do të kompensonte ish-pronarët “me çmim europian”. Dy ishin ngjashmëritë e ndërlidhura mes vetes, të këtyre dy ‘shpalljeve politike’ nga njerëzit që kanë drejtuar opozitën shqiptare të nëntë viteve të fundit.

Së pari, niveli i lartë i dimensionit cilësor apo mungesa e dimensionit sasior, çfarë i bënte të dyja premtimet të pamatshme. Si mund të matet nëse dikush është apo jo antikomunist? Kush është njësia matëse? Le të themi se mund të masim nëse dikush nuk ka qenë anëtar partie në kohën e komunizmit, por kjo nuk e bën antikomunist. Ka me qindra arsye pse një individ mund të mos ishte anëtar i partisë së punës.

Për shembull, ai mund të ketë dashur por për dhjetëra arsye nuk e kanë pranuar antarët e tjerë të partisë që të bëhej një ndër ta. Të ishte komunist, në kohën e komunizmit përfitoje shumë privilegje, pavarësisht parrudhës komuniste se ‘komunisti është i pari në sakrifica dhe i fundit në privilegje’! Propagandë e pastër, realiteti ishte shumë ndryshe!

Në një rend të ‘luftës së klasave’, kush klasë mund të ishte më i privilegjuar: elita drejtuese e klasës revolucionare, sikurse ishin komunistët në hierarkinë e fortë të tyre; apo klasa revolucionare (punëtorët dhe fshatarësia kooperativiste)?

Për klasën e përmbysur nuk po flas, se vendin e saj e përcaktonte vet emërtimi, jo që nuk mund të ishin të privilegjuar por ishin edhe ‘të përmbysur’. Këtyre as ju shkonte ndërmend se mund të bëheshin anëtarë të partisë komuniste, e jo më të bëheshin vërtet. Edhe nëse dikush prej tyre lajthiste dhe ëndërronte, shpesh zgjohej në internimin apo burgosjen e radhës.

Një arsye tjetër pse një individ mund të mos ishte anëtar i partisë së punës, është edhe paaftësia e tij. Në procesin e gjatë të testimit për tu bërë komunist, ai mund të jetë paraqitur si i paaftë në kapërcimin e një prej dhjetëra barrierave që duhet të kaloje për tu bërë komunist! Se të bëheshe komunist nuk ishte diçka e lehtë: duhet të bëheshe kandidat partie, së pari; pastaj të bëje stazhin e partisë; e më tej të shkoje ca kohë në prodhim.

Mund të dështoje diku, apo koha e gjatë nëpër këtë proces, mund të pamundësonte anëtarësimin për arsye kohe fizike. Të mos harrojmë, ata që plotësojnë sot kushtet ligjore por edhe logjike për të qenë President, në fund vitet 1980-të duhet të ishin rreth 30 vjeç. Thënë këto, lind pyetja naive por edhe shteruese: a mund të konsiderohet antikomunist, dikush, vetëm se ka qenë i paaftë për t'u bërë komunist?!

Ngjashmëria e dytë mes dy ‘deklaratave politike’ është niveli i lartë i hipokrizisë dhe talljes që i shoqëron, çfarë vjen pikërisht sepse janë të pamatshme. Është e qartë për shumëkënd që kupton nga komunikimi publik, se të premtosh diçka të pamatshme është një qasje populiste. Kjo merr një vlerë ekstra, veçanërisht kur përdoret ndaj një çështje kaq shumë të rëndësishme, sikurse është përzgjedhja e një Presidenti.

Me pak fjalë, ti premtosh një grupi social që ka vuajtur nga komunizmi se do t’ju sjellës një President antikomunist, kur me vetëdije e kupton se nuk ka asnjë mjet për ta matur këtë, është hipokrite nga ana e atij që e premton, dhe tallje me ata të cilëve ju drejtohet ky premtim. Ndryshon puna, nëse ju premton se do të zgjedhësh një të persekutuar, apo një “ish”-pronar! Këto mund të maten por nuk mund të premtohen, pikërisht sepse mund të maten.

Mirëpo, a mund të konsiderohet një individ antikomunist, vetëm se ka qenë një i persekutuar apo një “ish”-pronar? Vështirë të thuhet. Mund të thuhet, deri diku, për brezin e parë të të persekutuarve të burgosur apo pronarëve të shpronësuar, por pas 46 vjetësh socializmi stalinist dhe 32 vjetësh tranzicion, vështirë të ketë mbetur gjallë ndonjëri prej tyre.

Kurse pasardhësit e tyre, vështirë të konsiderohen antikomunistë. Këta mund të urrejnë diktatorin dhe veglat e tij për mjerimin ekonomik dhe shtypjen politike e sociale, që pësuan pikërisht prej faktit se ishin pasardhës antikomunistësh, por kjo nuk i bën këta automatikisht antikomunistë. Sidoqoftë, më e pakta e sigurt është fakti se, nëse z. Alibeaj do fliste për ta, do i përkufizonte në cilësorin më përfaqësues dhe njëkohësisht më të matshëm: të persekutuar apo pronarë.

E njëjta logjikë analitike shërben për premtimin e kompensimit ‘me cmim europian’ të pronave private të shtetëzuara prej 75 vitesh. Çfarë domethënie ka togfjalëshi ‘me çmim europian’?! Edhe individi më i pashkolluar e di se toka nuk vlen njësoj në të gjithë Shqipërinë. Ndryshon toka në qendër të Tiranës që vlen disa mijëra euro për njësinë e sipërfaqes me atë në ndonjë zonë periferike apo kufitare të vendit, që ta falësh nuk e merr njeri.

Imagjinoni sa ndryshojnë çmimet e tokës nëpër europën e madhe, që nis nga Britania e mbërin në Ukrainë. Bile, nuk ndryshojnë vetëm në dimensionet fizike, por edhe në dimensionin kohë. A ka të njëjtin çmim toka sot në Ukrainë, me të njëjtën e para një viti?! Ndryshon puna nëse premton ta kthesh fizikisht tokën! Kjo mund të matet por nuk premtohet, pikërisht sepse mund të matet.

Këto janë arsyet, jo vetëm pse nuk mund të zgjidhim moralisht problemin 32 vjeçar të pronësisë mbi tokën, por edhe të zgjedhim një President nga një familje e ‘klasave të përmbysura’. Politikanët që kanë marrë përsipër të përfaqësojnë këto “klasa” në politikë e qeverisje, njësoj si kundërshtarët e tyre socialist, janë të interesuar për atë ‘që duket më bukur’ jo për atë ‘që shërben’!

Të thuash do zgjedhim një President antikomunist apo do kompensojmë pronën e shtetëzuar me çmim europian, është thjeshtë propagandë që i bën këta njerëz të duken bukur në sytë e të përfaqësuarve prej tyre, por nuk ka asnjë brendi apo kontribut real në mirë përfaqësimin politik të tyre. /Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH