Editorial

Shqipëria-në optikën e konfliktit greko-turk

Shkruar nga Liberale
Shqipëria-në optikën e konfliktit greko-turk

Blendi Lami

 “Mirë se vini në botën G-Zero! Pa një udhëheqje globale, komuniteti ndërkombëtar nuk mund të zgjidhë probleme kolektive.” Ian Bremmer

  1. Rivalitete të vjetra

Vlerësohet se dy miliardë fuçi naftë dhe katër trilionë metër kub gaz natyror gjenden në Mesdheun Lindor – një zbulim që rindezi rivalitete të vjetra dhe riaktivizoi një përplasje gjeopolitike.

Në janar 2019, pa përfshirjen e Turqisë, u krijua një konsorcium (me pjesëmarrjen e Greqisë, Italisë, Izraelit, Jordanisë dhe Palestinës) për kërkimin e naftës në rajonin e Mesdheut Lindor. Nga ana tjetër, Turqia, që e konsideron të pavlefshme këtë marrëveshje (për shkak se – sipas saj – zona naftëmbajtëse gjendet në shelfin e saj kontinental), nisi studimet sizmike dhe shpimet në bregun verior të Qipros.

Në mënyrë të njëanshme, Turqia vendosi të përdorë mekanizma të tjerë (marrëveshja me Libinë) për të kërkuar pjesën e vet në këtë “tortë”. Me këtë marrëveshje, Turqia kërcënoi se, pa një vend të Ankarasë në tryezën e bisedimeve, nuk do të kishte zgjidhje energjetike në Mesdheun Lindor.

Gjithashtu, në mënyrë po të njëanshme, Greqia (dhe Qiproja) pretendon se veriu i Qipros (Republika Turke e Qipros Veriore) është pjesë e Republikës së Qipros, dhe se kjo zonë është mbi shelfin e saj kontinental kështu që ka të drejtë për çdo potencial të naftës dhe gazit.

Veç kësaj, çështja e naftës aktivizoi probleme të tjera në rajon si statusi i ishujve grekë që duhet të mbeten të çmilitarizuar – për shkak të afërsisë me gadishullin e Anadollit. Turqia provokon teksa vazhdon kërkimet. Greqia provokon teksa dërgon trupa ushtarake në ishullin e Kastellorizos - vetëm dy kilometra larg bregut jugor turk.

Në këtë klimë të nxehtë gjeopolitike, Greqia deklaroi se do të shtrinte ujërat territoriale nga 6 në 12 milje – sipas saj në përputhje me konventat ndërkombëtare, ndërsa Turqia mbrojti idenë se karakteristikat e veçanta gjeografike të detit Egje pamundësojnë  zbatimin e largësisë prej 12 miljesh.

Kjo lëvizje prek edhe ujërat territoriale midis Greqisë dhe Shqipërisë në detin Jon. Kryeministri Mitsotakis tha se Greqia do të ushtronte një të drejtë të patjetërsueshme sovrane në përputhje me nenin 3 të Konventës mbi Ligjin e Detit dhe Greqia në të ardhmen mund të shtrinte ujërat e saj territoriale në zona të tjera detare.

Lidhur me shtrirjen e Greqisë në Egje, Turqia paralajmëroi se një lëvizje e tillë do të ishte një "casus belli" - një shkak për luftë. Në një pjesë tjetër të Mesdheut, Shqipëria reagon butësisht siç veprojnë zakonisht shtetet e vogla dhe dobëta - duke u përpjekur të jetë paqësore. Duke përdorur gjuhë juridike, kryeministri Edi Rama deklaroi se Greqia ka këtë drejtë të shprehet kështu, sepse i referohet konventës, duke mos specifikuar më tej. Duke përdorur logjikën dhe jurisprudencën, profesor Ksenofon Krisafi thotë: “Është alogjike dhe absurditet i padiskutueshëm që të mendosh se Greqia do ta shtrijë gjerësinë e ujërave territoriale nga bregu i Korfuzit në drejtim të Sarandës në 12 milje detare. Së pari, nuk ka hapësirë të mjaftueshme për këtë gjerësi. Së dyti, në bazë të të Konventës për të drejtën e detit, këtë të drejtë e ka në të njëjtën masë edhe Shqipëria”.

Në këtë mënyrë, Turqia synon të konsolidojë profilin e vet si fuqi rajonale, Greqia synon të krijojë statusin e saj si një shtet që mund të imponohet dhe ka aleanca, kurse Shqipëria po përpiqet të luajë një lloj diplomacie të uljes së tensioneve (appeasement).

  1. Loja e re gjeopolitike

Ndërsa Turqia dhe Greqia janë në prag lufte në Mesdheun Lindor, Shqipëria zyrtare duket e hutuar, e painformuar, pasi gjendet në një mjedis të panjohur për të. Turqia dhe Greqia do të përpiqen të arrijnë dy qëllime kryesore: të shfrytëzojnë burimet e energjisë për përfitimet e tyre ekonomike dhe të demonstrojnë në rajon dhe botë fuqinë e tyre. Shqipëria do të duhet të gjejë pozicionin e saj. Referenca për konventat dhe krijimi i një ekipi të aftë negociues nuk janë elemente të mjaftueshme për përballjen me mjedisin ndërkombëtar të ndërlikuar aktual, pasi gjeopolitika e Mesdheut Lindor po transformohet thellësisht.

Së pari, zbulimi i burimeve të energjisë është ndër stimuluesit kryesorë të ndryshimit të dinamikës gjeopolitike dhe të sigurisë në rajon, gjë që ka nxitur rikonfigurimin e llogaritjeve strategjike të Turqisë dhe Greqisë, dhe përfshirjen e lojtarëve të tjerë si Franca , Italia, Egjipti, Libia dhe Izraeli.

Një vend si Shqipëria duhet të kuptojë që nafta është një armë në politikën e jashtme për t’iu imponuar të tjerëve objektivat strategjikë. Përtej konventave, rëndësia gjeo-ekonomike e Zonave Ekskluzive Ekonomike, pozicioni gjeografik dhe aleancat e duhura duhet të merren parasysh në bazë të rrethanave, pasi zona e Mesdheut po krijon pasiguri të vazhdueshme, e cila po ndikon në mënyra të ndryshme në marrëdhëniet ndërshtetërore.

Së dyti, në Mesdhe po krijohet një balancë e re e fuqisë. Siç u tha më lart, po rishfaqen rivalitetet e vjetra, pasi Turqia po përballet me një bllok vendesh si Qiproja, Greqia, Izraeli dhe Egjipti. Si kurrë më parë, situata po përshkallëzohet në një konflikt shumëkombësh. Franca i është bashkuar këtij blloku anti-turk. Një zonë tjetër në Mesdhe ku rivalët po përplasen është Libia, ku Franca dhe Egjipti tashmë janë në konflikt të hapur me Turqinë. Diplomacia evropiane druhet se një përshkallëzim i mëtejshëm në Mesdheun Lindor mund të shkaktojë trazira në të gjithë Mesdheun dhe Lindjen e Mesme.

Politikëbërësit shqiptarë duhet të bëhen të vetëdijshëm se Mesdheu nuk është më një zonë e kontrolluar nga Perëndimi. Gjatë viteve të Obamës, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në shkallë të konsiderueshme nga Lindja e Mesme. Edhe presidenti Trump ka deklaruar shpesh se Amerika do të fokusohet në punët e saj të brendshme. Madje, ka pasur deklarata edhe të largimit nga Ballkani. Tërheqja amerikane i hapi rrugë depërtimin rus në rajonin e Lindjes së Mesme. Pasi ndërhyri me sukses në luftën civile siriane, prania detare ruse po rritet në Mesdheun Lindor. As Turqia nuk është penguar të ndjekë qëllimet dhe pretendimet e veta.

Nga të gjithë aktorët gjeopolitikë, krijohet ideja se Gjermania – në kuadër të politikave të BE- do të ishte mediatori më i paanshëm i këtij konflikti rajonal. Siguria në Mesdhe ndikon drejtpërdrejt edhe në arkitekturën e sigurisë evropiane. Është në interesin e BE të garantojë bashkëpunim mes Turqisë dhe Greqisë. Prandaj, në një kohë të tërheqjes amerikane nga menaxhimi i krizave, ky vakuum duhet shfrytëzuar nga Bashkimi Evropian.

  1. Shqipëria në skenarët gjeopolitikë: “Bota e rajoneve” dhe “G nën zero”

Për të pasur një panoramë sa më të qartë gjeopolitike të këtij konflikti, mund t’u referohemi skenarëve të parashikuar nga Ian Bremmer. Në librin "Çdo shtet për vete: fituesit dhe humbësit në një botë pa udhëheqje (G-Zero)”, botuar në vitin 2012, Ian Bremer parashikon pesë skenarë për marrëdhëniet e ardhshme ndërkombëtare. 1) G 2: partneriteti SHBA - Kinë 2) Koncert - një G 20 që funksionon në të vërtetë; 3) Lufta e Dytë e Ftohtë – përplasje SHBA – Kinë; 4) Bota e rajoneve; dhe 5)  Skenari x — G-nën zero.

Skenari më i mundshëm duket “bota e rajoneve”. Në këtë lloj skene po luhet loja gjeopolitike aktuale në Mesdheun Lindor. Bashkim Evropian nuk është në gjendje të zgjidhë një krizë të tillë, teksa sfidohet haptas nga Turqia. SHBA janë duke u tërhequr nga shumë rajone dhe, për shumë kërcënime të sigurisë, deklaron se këto janë probleme të Evropës (p.sh. për Krimenë, Trump deklaroi se është problem evropian). Në këtë format, ka një vakuum në rritje të fuqisë në politikën ndërkombëtare, pasi asnjë vend ose grup vendesh nuk ka influencë politike dhe ekonomike për të drejtuar një axhendë ndërkombëtare.

“Bota e rajoneve” është e ndarë në sfera të influencave të fuqive rajonale. Shtetet e Bashkuara mbeten fuqia e vetme ushtarake globale dhe, për shkak të forcës ekonomike dhe progresit teknologjik të ekonomive në zhvillim, ky avantazh ka rëndësi të kufizuar. Në këtë skenar, fuqitë rajonale ushtrojnë ndikim në sferat e tyre përkatëse të influencës, ndërkohë që shpërfillin gjithnjë e më shumë institucionet kryesore shumëkombëshe (dhe konventat që iu bashkëngjiten).

Ka shumë të ngjarë që në këtë skenar shtetet qendrore të jenë akoma më të suksesshme. Shtetet qendrore (pivot states) janë në gjendje të krijojnë marrëdhënie fitimprurëse me shumë fuqi të tjera të mëdha, dhe njëkohësisht të mos mbështeten plotësisht tek asnjëra prej tyre. Turqia i përshtatet me së miri profilit të një shteti qendror të fuqishëm.

Një karakteristikë thelbësore e këtij sistemi është unilateralizmi, që në thelb nënkupton veprim të njëanshëm pa iu referuar konventave apo pa respektuar institucionet shumëkombëshe. Në lojën gjeopolitike të Mesdheut Lindor, fuqia dominuese është Turqia, e cila po vepron në mënyrë unilaterale. Nga ana tjetër, Greqia, në pozicion mbrojtës, tenton gjithashtu të imponohet, teksa bën aleancë me fuqi të tjera si Franca dhe Italia. Në këtë rast, nuk po ndërhyjnë institucione të rëndësishme për të zgjidhur krizën, por iniciativat janë të pjesshme.

Në optikën e këtij konflikti të mundshëm, Shqipëria përballet me dy sfida. Sfida e parë ka të bëjë me pozicionimin në përplasjen Greqi-Turqi, gjë që Shqipëria nuk e ka bërë, sepse duhet të mbajë qëndrim për Qipron e Veriut, bashkëpunimin me Turqinë, aleancën me Greqinë apo rolin brenda Bashkimit Evropian. Në këtë rast, Shqipëria tenton të fshihet pas multilateralizmit. Por nuk mund ta bëjë për shumë kohë. Sfida e dytë, edhe më e rëndësishme, ka të bëjë me aftësinë imponuese ndaj Greqisë në zgjidhjen e ngërçit për ujërat. Sërish, Shqipëria iu referohet konventave dhe i var shpresat tek institucionet ndërkombëtare. Por në botën e rajoneve kjo nuk është zgjidhje.

Për më tepër, në “botën e rajoneve”, një shtet më i fuqishëm – në këtë rast Greqia në raport me Shqipërinë – mund të mos veprojë sipas rregullave ndërkombëtare. Moszbatimi i së drejtës ndërkombëtare është fenomen i përhapur në ditët e sotme. (Kjo gjë po dëshmohet qartë në Mesdheun Lindor – si nga Greqia ashtu edhe Turqia.) Dhe në rast të moskthimit drejt multilateralizmit, por degradimit të mëtejshëm të “botës së rajoneve”, ekziston mundësia që bota të përfshihet në skenarin e pestë të Bremmer-it: anarki – formati i botës G-nën zero. Pa dyshim, ky skenar ka probabilitet më të ulët për t’u konkretizuar, por Shqipëria duket tërësisht e papërgatitur. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH