Aktualitet

Shqipëria në listën e vendeve me rrjete të sigurta, reagon Balluku

Shkruar nga Liberale

Shqipëria është renditur krah Shteteve të Bashkuara duke u bërë pjesë e nismës Rrjet i Rastër (The Clean Network), nisëm e cila synon mbrojtjen e rrjeteve 5G nga faktorët e riskut të cilët mund të jenë kërcënim për privatësinë e të dhënave.

Në raportin, “Rrjeti i pastër garanci për mbrojtjen e aseteve Amerikane”, të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Shqipëria listohet mes vendeve me rrjet të pastër duke qenë kështu një nga vendet e angazhuara për mbrojtjen e rrjeteve 5G nga prodhues jo të besueshëm dhe për të bashkëpunuar vetëm me kompani të sigurta.

Pas publikimit të këtij raporti, ambasadorja amerikane në Tiranë, Juri Kim, u shpreh se ndihet krenare që Shqipëria ndodhet krah SHBA-ve në këtë iniciativë duke e cilësuar si një vendim strategjik për të mbrojtur infrastrukturën kritike. “Krenare që shoh Shqipërinë dhe vende të tjera të bashkohen me Shtetet e Bashkuara në Rrjetin e Pastër, në mbrojtje të rrjeteve të tyre 5G nga kompani të pabesuara. Një vendim strategjik për të mbrojtur infrastrukturën kritike”, shkruan në Twitter kryediplomatja amerikane në Tiranë.

Kreu i dikasterit që mbulon këtë fushë dhe që ka drejtuar strategjinë për rrjetet e sigurta, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e vë theksin tek rëndësia e të qenit të gjithë bashkë për realizimin e qëllimit të përbashkët, i cili është mbrojtja e qytetarëve nga çdo kërcënim i këtij lloji. Ministrja shton në reagimin e saj se edhe këtë herë Shqipëria tregoi se është në krahun e duhur duke u pozicionuar krah partnerëve të saj strategjikë.

“Vlerësimi i radhës për punën tonë të mirë nga partnerët strategjikë. Departamenti Amerikan i Shtetit rendit Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta përsa i përket sigurisë së rrjeteve të komunikimit. Në raportin e publikuar së fundmi, “Rrjeti i pastër garanci për mbrojtjen e aseteve Amerikane”, DASH ka përfshirë Shqipërinë në vendet me rrjet të pastër/të sigurtë duke qenë një nga vendet e angazhuara për mbrojtjen e rrjeteve 5G nga prodhues jo të besueshëm dhe për të bashkëpunuar vetëm me kompani të sigurta. Krenarë që gjithmonë qëndrojmë në krah të partnerëve tanë strategjikë, në mbrojtje të qytetarëve dhe shërbimeve të sigurta”, thuhet në reagimin e ministres Balluku në rrjetet sociale.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH