Kryesore

Shqipëria mes Lindjes dhe Perëndimit – Si lëviz në skakierën gjeopolitike?

               Publikuar në : 10:50 - 13/10/21 liberale

Kolana UETPRESS- 15 vjet

Titulli: Fuqitë joperëndimore dhe Shqipëria

Autor: Erlis Hoxha

Prof. Dr. Kristaq Xharo

Erlis Hoxha, nëpërmjet UET PRESS, vjen me një botim intrigues, titulluar, “Fuqitë joperëndimore dhe Shqipëria”, me objekt çështje të gjeostrategjisë në periudhën 2009-2019. Është një botim që zgjeron jo vetëm kapitalin akademik, por edhe thellon kontributin e Universitetit Europian të Tiranës për tematika me interesa madhore, tashmë në fushën e gjeopolitikës, por nën kontekstin e gjeostrategjisë. Me avantazhin e kalimit në ciklin akademik për doktoratë, botimi “Fuqitë joperëndimore dhe Shqipëria” synon të sjellë qasje të reja në këto fusha, jo vetëm duke zgjeruar bibliotekën për vetë studiuesit e fushës, por edhe për nivelet e ekspertizës, vendimmarrjes si dhe për publikun e gjerë.

Tashmë, tematikat për gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë janë trend i rikthyer fuqishëm jo vetëm në botën akademike, por edhe në mendimin politik botëror, pikërisht për shkak të zhvillimeve dhe dinamikave që po përcaktojnë rendin e sotëm global të fuqive ndërkombëtare në të gjitha nivelet. Nuk ka ngjarje në botë që nuk gjen ndikime të gjeostrategjisë apo nuk kërkon shpjegime në kontekstin gjeopolitik.

Ky botim “Fuqitë joperëndimore dhe Shqipëria” sjell një reflektim mbi zhvillimet politike të Shqipërisë në 10 vitet e fundit, duke përqasur analiza mbi pozicionime, orientime dhe ndikime në një kontekst edhe më të gjërë, për tri aktorë kryesorë rajonalë, Turqinë, Rusinë dhe Kinën. Me një informacion sa të freskët po aq edhe të vështirë, për distancën e shkurtër kohore të marrë në analizë, autori integron konceptet dhe autorët klasikë me ata bashkëkohorë duke u përpjekur suksesshëm të afrojë me realizëm qasje mjaft interesante.

Ky botim ka për qëllim të ndihmojë të kuptuarit e momenteve më të rëndësishme të dekadës së fundit, në të cilën Shipëria ishte protagoniste si vend anëtar me të drejta të plota në NATO, nga ana tjetër, edhe për të lexuar tendencat e zhvillimeve të mundshme në të ardhmen, në kontekstin e zhvillimeve gjeopolitike në vend dhe në rajon. Libri vjen si angazhim i një studenti të zhytur në njohje të rrethanave gjeopolitike me të cilat përballet vendi, por edhe me një ambicie më të gjerë në fushën e ndikimeve të aktorëve gjeopolitikë (fuqive të mëdha dhe organizatave ndërkombëtare), sigurisht, duke mos shmangur fqinjët tanë rajonalë.

Me avantazhin e shtuar të paraqitjes së një analize, për zhvillime pozitive apo edhe dilemave të zymta, që shfaqen në mjedisin gjeostrategjik, autori guxon të parashikojë edhe lëvizje të balancave të fuqisë në rajon.

I vetëdijshëm se e tashmja dhe ardhmja e Shqipërisë, nuk mund të jetë e ndarë nga dinamikat rajonale dhe ato globale, kësisoj, qasja e autorit se si zhvillimet në një skenë teatri ngjarjesh valëzohen përmes skenave të tjera, është tepër interesante. Shqetësimi i autorit, siç lajmëron në Hyrje, është të shqyrtojë se si Shqipëria, mund dhe duhet të përforcojë pozitat e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor në terma më afatgjata, në një kontekst të gjerë e të qartë të sigurisë dhe mbrojtjes.

Është interesant kur lexuesi zhytet në debatin për dilemat e vendit në periudhën 2009 – 2019, të analizuara brenda kontekstit të zhvillimeve rajonale, por edhe konkurrencës për fuqi, të cilat shfaqen hapur në rajonin e Ballkanit, si nga aktorët perëndimorë ashtu edhe ata joperëndimorë. Loja dhe interesat e këtyre aktorëve gjeopolitikë, që kërkojnë të mbushin vakumin e krijuar në amplitudën e interesave, veçanërisht nga boshllëku që mund të lerë perëndimi, vjen në një qasje krahasimore. Nga njëra anë, tendencat e përhershme ruse për ndikim dhe destabilitet, nga ana tjetër, “ofertë – mësymja” e Kinës në ekonomi nëpërmjet iniciativës 17+1 për Ballkanin Perëndimor, dhe e pamohuar dhe e shtuar, rritja e ndikimit turk në këtë rajon, e cila, shpesh lexohet si pasojë apo nënprodukt i negociatave të lodhura të Bashkimit Europian me vendin tonë dhe ato të rajonit.

Në botimin “Fuqitë joperëndimore dhe Shqipëria”, kalimi nga njëri kapitull në tjetrin vjen në mënyrë të natyrshme, por kjo nuk pengon aspak edhe mundësinë e leximit si çështje të veçanta në respekt të strukturës së punimit. Autori shqyrton avantazhet dhe vështirësitë në pesë aktorët më të mundshëm, të cilët, në fakt, pasqyrojnë edhe ndikimet e drejtpërdrejta që lidhen me identitetin, me politikën, me ekonominë, integrimin, sigurinë dhe mbrojtjen. Në secilin rast, jepet argumenti, arsyetimi dhe racionaliteti për secilin aktor dhe skenar. Një krahasim fundor përmbledh këto pozicione edhe pse të ndryshme, që vëren mungesën e konsensusit politik në vend dhe dilemën themelore të vetëbindjes së secilës pale, për kuptimin e historisë e zhvillimit, dhe sëbashku apo veç, ato zotërojnë zgjidhjen e ‘artë’.

Vetë autori nuk merr pozicion, por paraqit alternativat në mënyrë objektive, ndërsa vëren se leximet alternative të realitetit kushtëzohen nga kode divergjente kulturore e politike, të cilat parandalojnë shqyrtimin e mundësive reciproke.

Në botimin “Fuqitë joperëndimore dhe Shqipëria”, kur autori shqyrton fuqitë e mëdha, ato rajonale dhe lokale si dhe marrëdhëniet midis vendit dhe fqinjëve, gjendet ndoshta edhe pjesa më komplekse dhe thelbësore e botimit. Autori teksa shtjellon tezën e tij, nënvizon se: ndryshimet e paparashikuara gjepolitike që ndodhin në të gjithë rajonin krijojnë vështirësi dhe gati e bëjnë të pamundur që vendet e rajonit të arrijnë një zgjidhje përfundimtare pa u ndikuar ndjeshëm nga interesat e fuqive të mëdha, nga ana tjeter një rol ka edhe loja e aktorëve rajonalë dhe zhvillimet e brendshme në skenën ballkanike. Në nivelin makro, autori ‘spekulon’ në një analizë të reduktimit të fuqisë amerikane dhe si rezultat të mundshëm, rikonsideron ndikimin e shtuar të Rusisë, Kinës dhe Turqisë si fuqi me influencë në rajon. Autori paralajmëron me të drejtë se Shqipëria duhet t›i konsiderojë imperativët e interesave gjeopolitikë si mundësi të vlerave të përbashkëta. Përballë kritikave të Bashkimit Evropian për standardet e demokracisë, dhe rolit të fuqishëm të NATO-s për sigurinë, e në këtë kontekst, arrihet në përfundimin se: është në interesin më të mirë të vendit të nxisë dhe inkurajojë SHBA për të vepruar si një garantues i interesave shqiptare në rajon.

Ndërsa ndjen ngacmimin e pyetjeve intriguese, që lidhen me ndikimin e fuqive jo perëndimore në “Fuqitë joperëndimore dhe Shqipëria” në lidhje me politikat e tyre si për periudhën 2009-2019, por edhe për të tashmen dhe të ardhmen, autori afron supozime që kapin skenarë në një spektër të gjerë. Por, në çdo rast, rrjedhshmëria e ndryshimit dhe paparashikueshmëria e aleancave paralajmëron autori, do të sjellin dilema gjeopolitike, me efekte për vendin dhe të gjithë rajonin. Ky përfundim i trishtuar, përforcohet nga karakteri unik i këtij rajoni të trazuar historikisht, me çështje etnike, kulturore, ekonomike dhe politike. Dilemat gjeopolitike e gjeostrategjike në periudhën 2009-2019 përfundojnë me skenarë që marrin në konsideratë analizat e mëparshme dhe aktuale dhe paraqesin zgjidhje të mundshme për çështjet kryesore. Autori propozon në secilin prej rasteve modele të mundshme për llojin e bashkëpunimit ndërkombëtar të nevojshëm, për të kuptuar interesat gjeostrategjike përmes çështjeve sociale, politike, ekonomike dhe të sigurisë që vijnë përmes aktorëve gjeopolitikë.

Libri nënvizon standardin akademik të autorit, mungesën e sentimenta- lizmit dhe artikulimin e kujdesshëm të ndërveprimeve komplekse, modelet e të cilave zhvendosen edhe me lëkundjen më të vogël nga një drejtim në një tjetër. Mbresëlënëse është aftësia e autorit për të artikuluar skenarë të shumtë në një stil që është i qartë dhe i lexueshëm. Autori artikulon secilin skenar me thellësi dhe fushëveprim, sa që konkluzionet e tij përfundimtare janë të gjitha të pranueshme.

Kjo parathënie prek vetëm argumentet gjithëpërfshirëse dhe komplekse të paraqitura në këtë punim mjaft interesant, një model i nevojshëm për të vlerësuar realisht pozicionin e deritanishëm dhe të ardhëm të vendit në marrëdhënie me fqinjët, dhe në vetë trojet shqiptare të ndodhur dhe njohur në katër shtete të Ballkanit. Është një libër që vjen në kontekstin e ambicies së Universitetit Europian të Tiranës për të kontribuar në çështje madhore të interesave vitale kombëtare. Jo vetëm autori, por edhe institucionet universitare mund të krenohen për këtë kontribut që ndihmon në rritjen e ndjeshmërisë dhe të të kuptuarit të dilemave gjeostrategjike me të cilat përballet kombi dhe në këtë mënyrë rritjen e mundësisë së debatit inteligjent akademik e më gjerë.


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back