Aktualitet

Shqipëria merr drejtimin e Këshillit të Sigurimit të OKB, Rama: Historike!

Shkruar nga Liberale
Shqipëria merr drejtimin e Këshillit të Sigurimit të OKB,

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një videomesazh, ku shprehet se për herë të parë në histori vendi ynë merr drejtimin e Këshillit të Sigurimit të OKB.

"Kjo është dekada e tretë e mijëvjeçarit të tretë. Bota është e trazuar dhe ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të mizorive të papërshkrueshme, në më shumë se pesëdhjetë konflikte përreth globit. Demokracia dhe të drejtat e njeriut po sprovohen rëndë në anë të ndryshme të botës. U bë shumë gjatë që shohim abuzime masive me të drejtat e njeriut, nga Darfuri në Mianmar, nga Afganistani në Siri dhe bashkësia ndërkombëtare po lufton t’i vendosë autorët e krimeve të rënda para përgjegjësisë. Në Europë, plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e Ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë, janë ende të hapura. Po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën, por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe", shprehet Rama në videomesazh.

Teksa përmendi luftën në Ukrainë, ai tha se, Rusia ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur rendin botëror.

"Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla. Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë. Është urgjente të veprojmë, tani, për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta, por edhe për ne, të gjithë, për atë çka besojmë, për atë çka na bën bashkë, për të mbrojtur ligjin, për të ruajtur veprimin shumëpalësh. Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, pjesën tonë për të përmbushur. Kjo është arsyeja pse ngjarja e parë përfaqësuese e Shqipërisë në presidencën e saj të parë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të kem nderin të kryesoj më 2 qershor, i kushtohet “Forcimit të llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare”", u shpreh ai më tej.

Rama thekson se Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë më të lartë për të promovuar sesa drejtësia dhe sundimi i ligjit dhe se Shqipëria e promovon atë kombëtarisht dhe e mbron ndërkombëtarisht.

"Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë më të lartë për të promovuar sesa drejtësia dhe sundimi i ligjit. Shqipëria e promovon atë kombëtarisht dhe e mbron ndërkombëtarisht. Drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim. Jemi të privilegjuar që u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort", përfundon kreu i qeverisë.

Presidenca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së pritet t’i kalojë Shqipërisë për një muaj, nga sot qershor deri në 1 korrik. Kujtojmë se, në 11 qershor 2021 Shqipëria u pranua si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Shqipëria u pranua anëtare e OKB-së më 14 dhjetor 1955 dhe pas 66 vitesh anëtarësie, u votua për herë të parë për të qenë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një mandat 2-vjeçar.

Ky këshill përbëhet nga 15 anëtarë, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtare të përhershme kurse 10 vendet e tjera anëtare janë me një mandat dyvjeçar.

Këshilli i Sigurimit në OKB është ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve. /Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH