Në një kohë kur qeveria ka njoftuar se më 1 prill paga minimale në Shqipëri do të rritet në 40 mijë lekë (të rinj), të dhënat tregojnë se mbeten më pak të paguarit në rajon.
Punonjësit e administratës publike në Shqipëri mbeten më të nënpaguarit në rajon, në krahasim me Kosovën.
Në shtator 2022, paga mesatare mujore bruto për aktivitetin “Administrimi publik dhe i mbrojtjes” ishte 607 euro, nga 650 euro në Kosovë në fund të vitit 2021, kur Agjencia e Statistikave të Kosovës raporton të dhënat e fundit.
Në vendet e tjera të rajonit, pagesa mujore i kalon 800 eurot. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtetet me të ardhurat më të ulëta në buxhet, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, nën 30%, ndërsa në shtetet e tjera, treguesi luhatet mes 30-40% të PBB-së.
Të ardhurat më të larta u mundësojnë shteteve të tjera të rajonit që të kenë më shumë mundësi të shpenzojnë për fondet e administratës.
Mjekët dhe infermierët mbeten më pak të paguarit në rajon. Shqipëria ishte një nga shtetet me vdekshmërinë më të lartë shtesë në Europë, si një tregues i kushteve të dobëta, por edhe mungesës së mjekëve.
Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Shqipëria ka 18 mjekë për 10 mijë banorë, nga 31 që është treguesi në Serbi, 28 në Maqedoninë e Veriut, 27 në Mal të Zi, apo 40 në Itali e 44 të Gjermani. Ndonëse janë të pakët në numër, mjekët paguhen pak, duke nxitur një emigrim masiv të kësaj kategorie, sidomos në Gjermani.
Në fund të vitit 2021 (ku janë të dhënat e fundit të disponueshme për këtë nënaktivitet për Shqipërinë dhe Kosovën), paga mesatare në shëndetësi ishte 580 euro. Në Kosovë, mjekët paguhen rreth 640 euro, ndërsa në vendet e tjera të rajonit, mbi 800 euro.
Arsimi është baza për zhvillimin e një kombi. Por, në Shqipëri, ky sektor nuk ka marrë rëndësinë e duhur. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Kosovën.
Në fund të vitit 2021 (kur raportohen dhe të dhënat e detajuara për Shqipërinë e Kosovën) paga mesatare për arsimin ishte 584 euro, nga gati 800 euro në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë dhe gati 700 euro në Maqedoninë e Veriut. Kosova i paguan arsimtarët dhe më pak se Shqipëria, me vetëm 518 euro/muaj.