Nga Suela Kalaja
Është shumë e trishtueshme përtej çdo emocioni apo fjale që mund të shprehësh, të dëgjosh për një ngjarje të tillë tragjike e fakeqësisht të përsëritur si humbja e jetës të djalit 14 vjeçar, në mes të Tiranës e në mes të ditës… E shpesh kur shohim ngjarje të tilla indiferenca ndihet në kulm deri kur kthehet në tragjedi…Po pra , është e rëndësishme të kujtojmë se adoleshentët kalojnë një periudhë shumë të ndjeshme të jetës së tyre.
Ende të rinj, me një të ardhme të ndritur përpara, por një moment i keq dhe vendimet e gabuara e ndryshon gjithçka…!!!!
Sherri mes tyre, që mund të kishte qenë një mundësi për t'u pajtuar, u shndërrua në një tragjedi. Çfarë ndodhi në mendjet e tyre? Si arritën të humbasin kontrollin dhe të kalojnë në një nivel të tillë dhune? Kjo ngjarje na bën të reflektojmë mbi ndikimin e mjedisit, presionin e shokëve dhe ndjenjat e papërmbajtura që shpesh ndihen në këtë shoqëri. Ah pa harruar prindërimin ku shpesh kthehen në fajtorët kryesorë sa edhe në viktimat e fëmijëve të tyre !!! Askush s’ka të drejtë të marri jetë. Mësojuani fëmijëve!!!
Për ata që e kthyen sherrin në krim, dhimbja do të jetë po aq e thellë për tërë jetën. Familjet dhe miqtë e tyre do përballen me një boshllëk të madh, duke u përpjekur të kuptojnë se si ndodhi kjo dhe pse?!
Një mesazh i fortë që del nga kjo ngjarje është nevoja për dashuri, vëmendje, komunikim, mirëkuptim dhe mbështetje për të rinjtë, për të siguruar që ata të ndihen të dëgjuar, për të parandaluar që tragjedi të tilla të ndodhin përsëri.
Humbje është e të tre adoleshentëve, kush që shkoi të preki parajsën e kush do bëj llogaritë me veten tashmë dhe me ligjin.
Kjo është një thirrje për të gjithë ne për të reflektuar mbi mënyrën se si ne si shoqëri mund të ndihmojmë në krijimin e një ambienti më të sigurt dhe më mbështetës për të rinjtë për të mos i kthyer në kriminelë fëmijët tanë.
Është e rëndësishme të kujdesemi për shëndetin emocional të fëmijëve tanë.
Kujdesi, mirëkuptimi dhe përkushtimi mund të ndihmojnë në shërimin e shpirtit dhe zemrës së adoleshentëve në kohëra që as ata vetë s’ia dinë kuptimin heqjes së të drejtës për te jetuar.
Të gjithë kemi nevojë për një dorë ndihmëse në momentet më të vështira të jetës.
Ngushëllime për të gjithë Ne sot!!! Ngushëllime asaj Nëne që sot e dërgoi fëmijën në shkollë për t’u edukuar dhe e mori në arkivol. Ngushëllimet nuk mjaftojnë për lotët dhe vdekjen e shpirtit që sot fëmija ia merr me vete në atë udhëtim pa kthim!!!